Stuhia tropikale Florenca ka përmbytur pjesë të mëdha të Karolinës së Veriut, Karolinës së Jugut dhe të shteteve të tjera. Në një moment të caktuar, kjo stuhi u kthye në një uragan shumë të fuqishëm. Ajo ka vrarë të paktën 32 veta dhe ka detyruar mijëra të tjerë të shpërngulen nga shtëpitë.

Dega e Shteteve të Bashkuara raporton se asnjë lajmëtar nuk ka humbur jetën e as nuk kanë pësuar dëme serioze nga stuhia, ndonëse mbi 4.000 Dëshmitarë janë shpërngulur. Edhe pse situata po përmirësohet, disa zona janë ende të pakalueshme për shkak të nivelit të lartë të ujit. Raportet e tanishme tregojnë se stuhia ka dëmtuar 351 shtëpi të vëllezërve dhe motrave tona, si dhe 21 Salla Mbretërie.

Një Komitet i Ndihmës në Rast Katastrofash (KNRK) po organizon punën që të sigurojë ushqim, ujë, veshje, strehim dhe nevoja mjekësore bazë. Gjithashtu ka formuar dy skuadra për heqjen e pemëve të rëna. Tani që stuhia ka përfunduar dhe nevojat e ngutshme të vëllezërve janë plotësuar, problemi kryesor është riparimi i dëmeve të shkaktuara nga përmbytja. Për të ndihmuar, janë ftuar vullnetarë nga kongregacionet vendëse si dhe nga zona të tjera që do të punojnë nën drejtimin e KNRK-së. Pleq vendës dhe mbikëqyrës qarkorë po u bëjnë vizita inkurajuese vëllezërve të prekur nga stuhia.

Lutemi për vëllezërit dhe motrat tona të cilët po përballen me rrethana të vështira si pasojë e kësaj stuhie dhe mezi presim kohën kur ‘s’do të kemi më frikë’.—Isaia 12:2.