NJU-JORK—Zyrat e degëve në Barbados, në Republikën Domenikane, në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë siguruar informacione për gjendjen e vëllezërve pas uraganit Irma.

Zonat e prekura në degën e Barbadosit—Anguilë, Antigua dhe Barbudë, Montserrat, Sabë, Shën-Eustatius, Shën-Kits e Nevis dhe Shën-Marten (zona holandeze). Janë raportuar dëme të rënda në Barbudë dhe Shën-Marten.

Barbuda është një ishull i vogël me rreth 1.800 banorë. Ngaqë shumë shërbime u ndërprenë dhe pothuajse 95 për qind e gjithë shtëpive u dëmtuan, autoritetet e deklaruan zonë të shkatërruar dhe shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Raportet konfirmojnë se të 11-të lajmëtarët janë evakuar të sigurt në ishullin e afërt të Antiguas, ku një Komitet Ndihme në Rast Katastrofash (KNRK) po kujdeset për nevojat e tyre. Nuk raportohen të plagosur.

Rreth 700 lajmëtarë banojnë në ishullin e Shën-Martinit (si në zonën holandeze, edhe në atë franceze). Një motër atje është lënduar. Në Shën-Martin shkoi një delegacion për të ndihmuar vëllezërit. Në të morën pjesë anëtarë të zyrave të degëve të Barbadosit dhe të Francës, si edhe mjekë.

Zonat e prekura në degën e Francës—Guadelupë, Martinikë, Shën-Bartelem dhe Shën-Martin (zona franceze). Nuk janë raportuar të plagosur apo të vdekur as në Guadelupë, as në Martinikë.

Ishulli i Shën-Bartelemit (emri francez për Shën-Barts) u shkatërrua dhe është thuajse e pamundur për të komunikuar me lajmëtarët që banojnë atje. Megjithatë, zyra e degës ka marrë një raport për ishullin nga mbikëqyrësi qarkor, që tregon se të 30-të lajmëtarët janë shëndoshë e mirë dhe Salla e Mbretërisë ka pësuar dëme të vogla. U formua një KNRK për të organizuar dërgesat me ujë, ushqim dhe gjëra të tjera të nevojshme, nga ishujt e afërt të Guadelupës dhe Martinikës për te vëllezërit në Shën-Bartelem dhe Shën-Martin.

Përgatiten ndihma për t’u dërguar në një Sallë Asamblesh në Guadelupë

Zona e prekur në degën e Republikës Domenikane. Komiteti i degës ka formuar pesë KNRK të përhershme për t’u kujdesur për 38.000 lajmëtarët e vendit. Ditë përpara uraganit Irma, pleqtë e kongregacioneve, nën drejtimin e mbikëqyrësve qarkorë, vizituan të gjithë lajmëtarët për t’u siguruar që secili kishte marrë masat e nevojshme paraprake. Në zonat e prirura për t’u përmbytur përgjatë bregut verior, pleqtë evakuan në zona të sigurta 1.273 lajmëtarë, ndërsa 2.068 të tjerë që nuk kishin shtëpi të sigurta, i udhëzuan të strehoheshin te Sallat e Mbretërisë ose te familjet e tjera Dëshmitare me banesa të sigurta.

Disa Salla Mbretërie të ndërtuara së fundmi pësuan dëme të vogla. Gjithashtu u dëmtuan pesë shtëpi Dëshmitarësh. Riparimet po bëhen nga kongregacionet vendëse ose nën drejtimin e KNRK-së. Nuk është raportuar asnjë i vdekur apo i lënduar.

Zonat e prekura në degën e Shteteve të Bashkuara—Bahamas, Florida, Xhorxhia, Porto-Riko, ishujt Turks e Kajkos dhe Ishujt Virxhin të Britanisë e të SHBA-së. Më parë raportuam vdekjen e një vëllai dhe të një motre. Ndërkohë që nuk janë raportuar vdekje të tjera mes vëllezërve, dega ka konfirmuar se janë lënduar edhe 6 të tjerë dhe mbi 3.000 janë shpërngulur. Qindra vëllezër nga Florida Qendrore dhe Xhorxhia kanë hapur dyert për të evakuarit.

Në Fort Lauderdale, Florida, pjesëtarët e Zyrës Rajonale të Përkthimit (ZRP) u evakuan në Sallën e Asambleve në West Palm Beach, ku qëndruan për disa ditë. Zyrat e ZRP-së pësuan disa dëme në rrjetin e ujit, dhe në rezidencë nuk kishte energji elektrike e Internet për ditë me radhë. Tani janë riparuar dhe puna vazhdon normalisht.

Në godinën e shkollave në Palm Coast, Florida, u evakuan të gjithë studentët e klasës së ardhshme të Shkollës për Mbikëqyrësit Qarkorë dhe Gratë e tyre, si edhe 3 klasat e Shkollës për Ungjillëzuesit e Mbretërisë. Një grup i vogël prej pak a shumë 20 vetash qëndruan të sigurt në godinë. Godina nuk pësoi dëme të mëdha, edhe pse nuk kishte energji elektrike.

Mblidhen ndihma në një Sallë Asamblesh në Kaguas, Porto-Riko

Zyra e Ndihmës në Raste Katastrofash në Repartin e Shërbimit dhe Reparti Vendës i Projektim/Ndërtimit po organizojnë punën që vëllezërit të marrin ndihmë në mënyrë të sigurt e në kohën e duhur.

Në SHBA janë ngritur qendra për dhënien e ndihmave që t’u sigurojnë ushqim e ujë të prekurve. Përveç kësaj, një KNRK në Porto-Riko po siguron ndihma humanitare për vëllezërit tanë që banojnë në ishuj.

Në Karaibe, të paktën 61 shtëpi kanë pësuar dëme të vogla dhe 55 të tjera dëme të mëdha. Po ashtu, të paktën 2 Salla Mbretërie pësuan dëme të rënda.

Ujëra të rrëmbyera jashtë një Salle Mbretërie në ishujt Turks dhe Kajkos

Vëllezër nga zyra e degës dhe nga selia botërore po udhëtojnë për në Florida dhe në ishuj, për të mbështetur vëllezërit. Ndërkohë po vazhdon vlerësimi i dëmeve të shkaktuara.

I mendojmë dhe i kujtojmë në lutje të prekurit nga uragani Irma dhe të gjithë ata që po ndihmojnë për t’u siguruar mbështetje dhe ngushëllim.​—Romakëve 15:5; 2 Korintasve 1:3, 4, 7; 8:14.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Barbados: Xhon Medfordi, +1-246-438-0655

Republika Domenikane: Hosue Felizi, +1-809-595-4007

Francë: Gai Kanonici, +33-2-32-25-55-55