Kalo te përmbajtja

18 SHTATOR 2019
MBRETËRIA E BASHKUAR

Dega e Britanisë: Model përtëritjeje për mjedisin

Ndërtimi i zyrës së degës së Britanisë në Çelmsford, Eseks, pritet të përfundojë në dhjetor të 2019-s. Tashmë projekti është vlerësuar nga ekspertët si shembull i ripërtëritjes së mjedisit.

Në vitin 2015, kur vëllezërit blenë pronën, ajo ishte një pirg gjigant mbeturinash dhe hekurishtesh. Vullnetarët gërmuan e nxorën goxha mbeturina dhe i ricikluan, përfshirë këtu edhe mijëra goma, disa që nga Lufta II Botërore. Pastaj shoshitën dheun e ndotur që të hiqnin edhe copëzat më të vogla të mbeturinave dhe t’i riciklonin ose t’i ripërdornin kur ishte e mundur. Dheun e pastruar e përdorën përsëri. Më tepër se 11.000 vëllezër dhe motra kanë punuar si vullnetarë për më shumë se 4 milionë orë për ta bërë gati për ndërtim pronën me sipërfaqe 34 hektarë.

Majtas: vullnetarë të trajnuar pastruan kantierin nga mbeturinat në 2015-n; djathtas: foto e kohëve të fundit e një kopshti tërheqës

Kur të përfundojë projekti, hapësirat e gjelbëruara do të kenë kopshte me lloj-lloj lulesh, liqene të vogla, lule të egra dhe pemishte. Ky projekt nuk është vetëm i bukur për syrin, por siguron një strehë për florën dhe për faunën vendëse, minimizon shpërdorimin e ujit, mbron pemët më të mëdha e shkurrnajat, rrit numrin e bimëve të vendit dhe zbukuron zonën për banorët.

Vëlla Pol Roxhersi i Komitetit të Projektit të Ndërtimit (KPN) tha: «Prona që blemë, ishte lënë pas dore për vite me radhë. Transformimi i saj filloi me ushtrinë e vullnetarëve të gatshëm, që me kujdes filluan të pastronin vendin dhe dheun e ndotur. Pastaj bënë projektin në harmoni me mjedisin përreth dhe mbollën me qindra pemë, shkurre e bimë të tjera. Në fund, projekti i vënë në zbatim u bën jehonë fjalëve të Ezekielit 36:35, 36: «Njerëzit do të thonë: ‘Ajo tokë atje që ka qenë djerrë, është bërë si kopshti i Edenit . . . Kombet . . kanë për ta marrë vesh se unë, Jehovai, kam ndërtuar ato që ishin rrafshuar dhe kam mbjellë tokën djerrë’.»

 

Dy motra pastrojnë liqenin e pistë. Pjesa më e madhe e mbeturinave dhe e baltës u hoq me traktor, ndërsa mbetjet më të vogla dhe bimët e panevojshme u hoqën me dorë. U vendosën më shumë se 8.000 bimë ujore, që uji të jetë edhe më i pastër

Një nga rezervuarët që është pjesë e sistemit të drenazhimit, i cili mbledh ujërat e shiut të një rruge aty afër dhe të kompleksit. Në të majtë është një stacion autobusi me një pamje të bukur që banorët të shohin kopshtet

Tre kopshtarë mbjellin një pemë. Janë mbjellë afro 15.000 pemë, shkurre dhe bimë të tjera

Para kompleksit të zyrave u mbollën gjashtë pemë ulliri, që mendohet të jenë 100-vjeçare

Një grup motrash bëjnë foto teksa punojnë në kopsht. Më shumë se 18.000 zhardhokë lulesh janë mbjellë në një zonë pyjore në pronën e degës. Të paktën 80 për qind e bimëve të zgjedhura për projektin janë të zonës

Lule, shkurre dhe pemë të vendosura me rregull në hyrje të Godinës së banimit F