Gjatë ceremonisë që u mbajt më 7 maj 2018, në Qendrën Memoriale të Kampit të Përqendrimit në Dakau, auditorit me rreth 200 veta iu zbulua një pllakë përkujtimore për vëllanë Maks Ekart. Atë e kishin burgosur në kampin e Dakaut për më se dy vjet, para se ta dërgonin në Mathauzen, në kampin famëkeq të përqendrimit në Austri. Ai nuk u kthye kurrë në shtëpi. Megjithëse pak veta e dinin kush ishte vëlla Ekarti para se të vdiste, tani njihet gjerësisht si një person që tregoi besim dhe besnikëri të jashtëzakonshme ndaj Perëndisë.

Fotografi e kohëve të fundit e ish-kampit të përqendrimit në Dakau, ku u burgos Maks Ekarti para se ta çonin në Mathauzen

Kampi i përqendrimit në Mathauzen, ku vdiq Maks Ekarti

Raportet për vëlla Ekartin tregojnë se ai i qëndroi gjithnjë besnik Perëndisë. Bashkë me të shoqen i gjobitën që më 1935-n ngaqë flitnin me të tjerë për besimin e tyre. Më vonë humbi punën ngaqë nuk pranoi të mbante flamurin me kryqin nazist. Në vitin 1937 ai ishte një nga rreth 600 Dëshmitarët sypatrembur, të cilët i internuan në Dakau. Mbi 2 vjet më vonë, e transferuan në Mathauzen, ku të paktën 90.000 të burgosur vdiqën nga kushtet brutale. Më 21 shkurt 1940, gruaja e vëlla Ekartit mori një telegram ku lajmërohej ftohtë: «Bashkëshorti vdiq sot në kamp. Për më shumë hollësi, kontakto policinë.» Ai ishte 43 vjeç.

Gjatë prezantimit të saj në ceremoni, dr. Gabriele Hamermani, drejtoreshë e Qendrës Memoriale të Kampit të Përqendrimit në Dakau, shpjegoi: «Studentët e Biblës [siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait] u përndoqën ngaqë, për shkak të bindjeve, nuk anëtarësoheshin në asnjë organizatë naziste, nuk kryenin përshëndetjen hitleriane dhe as shërbimin ushtarak.» Më tej tha: «Të burgosurit e asaj kohe [kanë folur] me respekt të madh për qëndrimin e Studentëve të Biblës. Veçanërisht [kanë theksuar] qëndrimin e palëkundur dhe gatishmërinë që kishin për të ndihmuar.»

Vëlla Volfram Slupina, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermani, e pranoi se shumë pjesëmarrës në ceremoni nuk e njihnin vëllanë Ekart. Ai tha: «Madje as foto të Maks Ekartit nuk kemi.» Por shtoi se pllaka «bën të njohur qëndrimin e palëkundur [të vëlla Ekartit] dhe vendosmërinë e tij për të mos bërë kompromis me besimin​—deri në vdekje».

Pa dyshim, Jehovai e kujton besimin dhe besnikërinë e Maks Ekartit, si edhe të të gjithë Dëshmitarëve të Jehovait që kanë vdekur për shkak të besimit.​—Hebrenjve 6:10.