HELSINKI—Të premten pasdite, më 18 gusht 2017, një nga motrat tona në Finlandë u vra gjatë një sulmi që po hetohet si një akt terrorist që kishte në shënjestër gratë. Përveç saj, agresori vrau edhe një grua tjetër, si edhe plagosi tetë të tjerë në sheshin e pazarit në Turku, qytet në bregun jugperëndimor të Finlandës. Menjëherë pas sulmit, përfaqësues nga zyra e degës në Finlandë, mbikëqyrësi qarkor dhe pleqtë vendës ngushëlluan dhe mbështetën ata që u prekën nga kjo tragjedi.

Veiko Leinoneni, zëdhënës i zyrës së degës në Finlandë, tha: «Kjo ngjarje është thellësisht tragjike dhe tronditëse. U trishtuam veçanërisht për vdekjen e motrës sonë të shtrenjtë pioniere, e cila u vra në këtë sulm rastësor ndërsa merrte pjesë në dëshminë publike në metropol. Sigurisht, pavarësisht nga çdo masë parandaluese, nuk i shmangim dot gjithmonë ‘ngjarjet e paparashikuara’, siç janë aktet e dhunshme e të terrorit. Gjithsesi vazhdojmë t’i japim zemër njëri-tjetrit, sidomos familjes së motrës që u vra. Lutemi që Jehovai t’u japë paqe atyre që janë pikëlluar nga kjo humbje e dhembshme. Gjithashtu vazhdojmë të marrim masa praktike dhe të mos lejojmë që ankthi i panevojshëm të na paralizojë ndërsa nuk ndalemi në veprën e predikimit.»—Eklisiastiu 9:11; Romakëve 15:13; Filipianëve 4:6, 7.

Zyra e degës u dërgoi një letër të gjitha kongregacioneve në Finlandë, që t’i mbështeste emocionalisht dhe t’i inkurajonte nga Shkrimet. Ajo organizoi edhe një mbledhje speciale për të inkurajuar 135 vëllezërit e motrat që mbështetin dëshminë publike në metropol në Turku. Pionierët po shfaqin një frymë të guximshme dhe janë më se të gatshëm ta vazhdojnë dëshminë publike.

Shumë banorë të Turkut u trazuan jashtë mase ngaqë sulmi ndodhi në Finlandë, që shpesh përshkruhet si një nga vendet më të sigurta në botë. Të nesërmen, fill pas sulmit, vëllezërit i dëgjuan me empati njerëzit dhe i inkurajuan nga Shkrimet ndërsa jepnin dëshmi në sheshin e pazarit dhe ndërsa predikonin shtëpi më shtëpi.

Zyra e degës në Finlandë i është mirënjohëse vëllazërisë mbarëbotërore për lutjet e shumta dhe për mesazhet me anë të të cilave na mbështetin. (1 Pjetrit 2:17; 5:9) Mbi të gjitha, së bashku falënderojmë Jehovain, ‘Perëndinë që jep qëndrueshmëri dhe ngushëllim’.—Romakëve 15:5.

Zëdhënësit për mediat:

Ndërkombëtar: Dejvid Semoniani, Zyra e Informacionit Publik, +1-845-524-3000

Finlandë: Veiko Leinoneni, +358-400-453-020