Si i trajtojnë Dëshmitarët e Jehovait ata që dikur bënin pjesë në fenë e tyre?

Si i trajtojnë Dëshmitarët e Jehovait ata që dikur bënin pjesë në fenë e tyre?

 Ne bëjmë çmos të trajtojmë këdo me dashuri, mirësi dhe respekt. Nëse një Dëshmitar i Jehovait nuk është më i rregullt si dikur në adhurimin që i bën Perëndisë ose nuk e adhuron më, ne marrim iniciativën për të folur me të, a e sigurojmë për dashurinë tonë dhe përpiqemi ta ndihmojmë që ta rizgjojë dashurinë për Perëndinë.—Luka 15:4-7.

 Në disa raste, veprimet e një personi mund të çojnë në heqjen e tij nga kongregacioni. (1 Korintasve 5:13) Megjithatë, ngaqë i duam shumë bashkëbesimtarët, në fillim përpiqemi fort ta ndihmojmë personin që të mos jetë e nevojshme që ai të hiqet. Por edhe nëse hiqet, ne i tregojmë akoma dashuri dhe respekt, tamam siç na nxit Bibla.—Marku 12:31; 1 Pjetrit 2:17.

Pse hiqet një person nga kongregacioni?

 Bibla e thotë qartë se, nëse një i krishterë kryen një mëkat të rëndë dhe nuk pranon të ndryshojë, ai duhet hequr nga kongregacioni. b (1 Korintasve 5:11-13) Veç kësaj, Bibla përcakton cilat janë mëkatet serioze që mund të çojnë në heqjen e dikujt. Për shembull, ajo rendit veprime të tilla si kurorëshkelja, dehja, vrasja, dhuna në familje dhe vjedhja.—1 Korintasve 6:9, 10; Galatasve 5:19-21; 1 Timoteut 1:9, 10.

 Gjithsesi, ne nuk e heqim menjëherë nga kongregacioni dikë që ka kryer një mëkat të rëndë. Në fillim, pleqtë e kongregacionit c përpiqen ta ndihmojnë të ndryshojë rrugë. (Romakëve 2:4) Ata mundohen t’i prekin zemrën me butësi, ëmbëlsi dhe mirësi. (Galatasve 6:1) Kjo mund ta shtyjë keqbërësin të kuptojë gabimin e tij dhe të pendohet. (2 Timoteut 2:24-26) Nëse, edhe pas përpjekjeve të vazhdueshme për ta ndihmuar, ai e bën zakon ta shkelë kodin moral të Biblës dhe nuk pendohet, atëherë duhet hequr nga kongregacioni. Pleqtë thjesht njoftojnë kongregacionin se personi nuk është më Dëshmitar i Jehovait.

Pleqtë mundohen t’i prekin zemrën me butësi, ëmbëlsi dhe mirësi

 Ç’të mira vijnë kur hiqet një person që është i vendosur të praktikojë mëkatin? Si fillim, kongregacioni përkrah standardet e Perëndisë për pastërtinë morale dhe mbrohet nga ndikimi negativ i atij personi. (1 Korintasve 5:6; 15:33; 1 Pjetrit 1:16) Përveç kësaj, kjo mund ta shtyjë keqbërësin të mos praktikojë më mëkatin dhe të përpiqet të ndryshojë.—Hebrenjve 12:11.

Si i trajtojnë Dëshmitarët e Jehovait ata që janë hequr nga kongregacioni?

 Bibla thotë se të krishterët nuk duhet ‘të shoqërohen më’ me dikë që është hequr nga kongregacioni, ‘madje as të mos hanë me një njeri të tillë’. (1 Korintasve 5:11) Pra, ne nuk shoqërohemi me dikë që është hequr. Gjithsesi nuk e shpërfillim plotësisht, por e trajtojmë me respekt. Ai është i mirëpritur në mbledhjet tona fetare, dhe Dëshmitarët e pranishëm mund të zgjedhin ta përshëndetin. d Gjithashtu, ai mund t’u kërkojë ndihmë pleqve për t’u kthyer në kongregacion.

Ata që janë hequr nga kongregacioni janë të mirëpritur në mbledhjet tona

 Ç’të themi kur dikush është hequr nga kongregacioni, por bashkëshorti dhe fëmijët e tij të vegjël janë ende Dëshmitarë të Jehovait? Lidhjet fetare që ka me familjen ndryshojnë, por jo lidhjet e tyre të gjakut. Meqë jetojnë në të njëjtën shtëpi, marrëdhënia e tij me bashkëshorten dhe me fëmijët vazhdon, dhe ata duhet ta trajtojnë me dashuri njëri-tjetrin.

 Një njeri që është hequr, mund të kërkojë që pleqtë ta vizitojnë. Ata do t’i japin këshilla të dashura nga Shkrimet dhe do ta nxitin me ngrohtësi që të pendohet e të kthehet te Perëndia. (Zakaria 1:3) Nëse ai e lë rrugën e gabuar dhe tregon me veprime se dëshiron vërtet të jetojë në përputhje me kodin moral të Biblës, është i mirëpritur të jetë sërish pjesë e kongregacionit. Kongregacioni ‘do ta falë me gjithë zemër dhe do ta ngushëllojë’, siç bënë të krishterët në Korint kur një mëkatar i penduar ndryshoi sjellje.—2 Korintasve 2:6-8.

Si ndihen ata që dikur kanë qenë të hequr?

 Vër re komentet e disa Dëshmitarëve të Jehovait që dikur u hoqën nga kongregacioni, por më vonë vendosën të ktheheshin te Perëndia.

 «Kur vendosa të kthehesha në kongregacion, mendoja se pleqtë do të donin të dinin gjithçka që kisha bërë gjatë dekadave që kisha qenë e hequr. Mirëpo gjithë sa më thanë ishte: ‘Duam që tani të shohësh vetëm përpara.’ Pas kësaj, u ndjeva shumë e lehtësuar.»—Maria, Shtetet e Bashkuara.

 «Kongregacioni mezi priste që të kthehesha. U ndjeva i vlerësuar. Vëllezërit e motrat e mia në besim më ndihmuan të ndieja që Jehovai dhe ata më kishin falur dhe të vazhdoja përpara. Pleqtë ishin gjithmonë gati për të më ndihmuar të merrja veten. Më ngushëlluan dhe më ndihmuan të kuptoja se Jehovai më çmon dhe më do akoma.»—Malkomi, Sierra-Leone.

 «Jam e lumtur që Jehovai e do aq shumë popullin e tij, sa kujdeset vazhdimisht që organizata e tij të mbetet e pastër. Ajo që njerëzve jashtë mund t’u duket e ashpër, është si e nevojshme, ashtu edhe e dashur. Jam mirënjohëse që Ati ynë qiellor është një Perëndi i dashur dhe falës.»—Sendi, Shtetet e Bashkuara.

a Edhe pse në këtë artikull përdorim gjininë mashkullore, informacioni vlen për të dyja gjinitë.

b Më parë, përdornim fjalën «i përjashtuar» për një mëkatar të papenduar. Por tani do të përdorim të njëjtën fjalë që gjejmë në Bibël dhe do të themi se është hequr nga kongregacioni.

c Pleqtë janë burra të pjekur të krishterë, që e bazojnë mësimdhënien te Shkrimet. Si barinj të dashur, kujdesen për popullin e Jehovait duke i ndihmuar dhe duke u dhënë zemër. Ata nuk paguhen për këtë.—1 Pjetrit 5:1-3.

d Në raste ekstreme, një individ mund të lërë kongregacionin dhe të përpiqet aktivisht të shkurajojë pjesëtarët e tij ose t’i nxitë të bëjnë atë që është e gabuar. Në këto raste, ne ndjekim urdhrin e Biblës që thotë «mos e përshëndetni» një njeri të tillë.—2 Gjonit 9-11.