Kalo te përmbajtja

Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?

Çfarë besojnë Dëshmitarët e Jehovait?

 Si Dëshmitarë të Jehovait, përpiqemi fort t’i përmbahemi modelit të krishterimit që mësoi Jezui dhe që e praktikuan apostujt e tij. Ky artikull përmbledh bindjet tona themelore.

  1.   Perëndia. Adhurojmë të vetmin Perëndi të vërtetë e të Plotfuqishëm, Krijuesin, emri i të cilit është Jehova. (Psalmi 83:18; Zbulesa 4:​11) Ai është Perëndia i Abrahamit, i Moisiut dhe i Jezuit.​—Dalja 3:6; 32:11; Gjoni 20:17.

  2.   Bibla. E pranojmë Biblën si mesazhin e frymëzuar të Zotit për njerëzimin. (Gjoni 17:17; 2 Timoteut 3:​16) I bazojmë bindjet tona në 66 librat e saj, ku futet si «Dhiata e Vjetër», edhe «Dhiata e Re». Fjalët e profesor Xhejson D. Bedunit ishin me vend kur shkroi se Dëshmitarët e Jehovait i ndërtojnë «ato që besojnë dhe praktikojnë mbi të vërtetat e Biblës, pa e përcaktuar që më përpara se çfarë duan të gjejnë atje». a

     Ndonëse e pranojmë të gjithë Biblën, nuk e interpretojmë atë fjalë për fjalë. E kuptojmë se disa pjesë të saj janë shkruar me gjuhë të figurshme ose simbolike dhe nuk duhen marrë fjalë për fjalë.​—Zbulesa 1:1.

  3.   Jezui. Ndjekim mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit, si edhe e nderojmë atë si Shpëtimtarin tonë dhe si Birin e Perëndisë. (Mateu 20:28; Veprat 5:​31) Pra, jemi të krishterë. (Veprat 11:26) Megjithatë, nga Bibla kemi mësuar se Jezui nuk është Perëndia i Plotfuqishëm dhe se në Shkrime nuk ka asgjë që mbështet doktrinën e Trinitetit.​—Gjoni 14:28.

  4.   Mbretëria e Perëndisë. Kjo është një qeveri reale në qiell, jo një gjendje në zemrën e të krishterëve. Ajo do të zëvendësojë qeveritë njerëzore dhe do të përmbushë qëllimin e Perëndisë për tokën. (Danieli 2:​44; Mateu 6:​9, 10) Këto do t’i bëjë së shpejti, pasi profecitë biblike tregojnë se po jetojmë në «ditët e fundit».​—2 Timoteut 3:​1-5; Mateu 24:​3-​14.

     Jezui është Mbreti i Mbretërisë së Perëndisë në qiell. Ai nisi të qeveriste në vitin 1914.​—Zbulesa 11:15.

  5.   Shpëtimi. Çlirimi nga mëkati dhe vdekja është i mundur falë flijimit shpërblyes të Jezuit. (Mateu 20:28; Veprat 4:​12) Që të përfitojnë nga ai flijim, njerëzit duhet që jo vetëm të tregojnë besim te Jezui, por edhe të ndryshojnë mënyrën e jetesës e të pagëzohen. (Mateu 28:19, 20; Gjoni 3:​16; Veprat 3:​19, 20) Veprat e një njeriu tregojnë nëse besimi i tij është i gjallë. (Jakovi 2:​24, 26) Sidoqoftë, shpëtimin nuk mund ta fitojmë me forcat tona; ai vjen falë ‘dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë’.​—Galatasve 2:​16, 21.

  6.   Qielli. Perëndia Jehova, Jezu Krishti dhe engjëjt besnikë banojnë në botën e padukshme. b (Psalmi 103:19-​21; Veprat 7:​55) Relativisht pak veta, 144.000, do të ringjallen që të jetojnë në qiell për të qeverisur me Jezuin në Mbretërinë e tij.​—Danieli 7:​27; 2 Timoteut 2:​12; Zbulesa 5:​9, 10; 14:​1, 3.

  7.   Toka. Zoti e krijoi tokën që të ishte shtëpia e përhershme e njerëzimit. (Psalmi 104:5; 115:16; Eklisiastiu 1:4) Ai do t’i bekojë njerëzit e bindur me shëndet të përsosur dhe jetë të përhershme në një parajsë tokësore.​—Psalmi 37:11, 34.

  8.   E keqja dhe vuajtjet. Këto filluan kur u rebelua një nga engjëjt e Perëndisë. (Gjoni 8:​44) Ky engjëll, që pas rebelimit u quajt «Satana» dhe «Djall», e bindi çiftin e parë njerëzor të bashkohej me të, dhe pasojat për pasardhësit e tyre kanë qenë katastrofike. (Zanafilla 3:​1-6; Romakëve 5:​12) Që të zgjidhte çështjet morale që ngriti Satanai, Zoti lejoi të keqen dhe vuajtjet, por nuk do t’i lejojë përgjithmonë.

  9.   Vdekja. Njerëzit që vdesin, pushojnë së ekzistuari. (Psalmi 146:4; Eklisiastiu 9:​5, 10) Ata nuk vuajnë në një ferr të zjarrtë torturash.

     Perëndia do të ringjallë miliarda veta. (Veprat 24:15) Megjithatë, ata që do të refuzojnë të mësojnë udhët e Zotit pasi të jenë ringjallur, do të shkatërrohen përgjithmonë pa shpresë tjetër ringjalljeje.​—Zbulesa 20:14, 15.

  10.   Familja. I përmbahemi standardit fillestar të Zotit për martesën, që është lidhja mes një burri të vetëm dhe një gruaje të vetme, ku e vetmja bazë e vlefshme për divorc është imoraliteti seksual. (Mateu 19:​4-9) Jemi të bindur se mençuria e Biblës i ndihmon familjet të jenë të forta.​—Efesianëve 5:22–​6:1.

  11.   Adhurimi ynë. Nuk përnderojmë kryqin a ndonjë shëmbëlltyrë tjetër. (Ligji i përtërirë 4:​15-​19; 1 Gjonit 5:​21) Ndër aspektet bazë të adhurimit tonë janë:

  12.   Organizata jonë. Jemi të organizuar në kongregacione, dhe secili mbikëqyret nga një trup pleqsh. Sidoqoftë, pleqtë nuk përbëjnë një klasë kleri dhe nuk marrin rrogë. (Mateu 10:8; 23:8) Në mbledhjet tona nuk kërkohet e dhjeta dhe nuk kërkohen kurrë para. (2 Korintasve 9:7) Të gjitha aktivitetet tona mbështeten nga kontribute anonime.

     Trupi Udhëheqës, një grup i vogël të krishterësh të pjekur që shërbejnë në selinë tonë botërore, drejtojnë Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën.​—Mateu 24:45.

  13.   Uniteti ynë. Kemi të njëjtat bindje në të gjithë botën. (1 Korintasve 1:​10) Gjithashtu përpiqemi fort që mes nesh të mos ketë dallime sociale, etnike, racore ose klasore. (Veprat 10:34, 35; Jakovi 2:4) Por, edhe pse jemi në unitet, secili prej nesh gëzon të drejtën e zgjedhjes. Çdo Dëshmitar merr vendime sipas ndërgjegjes së tij të stërvitur sipas Biblës.​—Romakëve 14:​1-4; Hebrenjve 5:​14.

  14.   Sjellja jonë. Në çdo gjë që bëjmë, përpiqemi të tregojmë dashuri altruiste. (Gjoni 13:34, 35) Nuk praktikojmë gjëra që nuk i pëlqejnë Perëndisë, përfshirë keqpërdorimin e gjakut, si transfuzioni i gjakut. (Veprat 15:28, 29; Galatasve 5:​19-​21) Jemi paqësorë dhe nuk marrim pjesë në luftë. (Mateu 5:9; Isaia 2:4) E respektojmë qeverinë e vendit ku jetojmë dhe u bindemi ligjeve të saj për aq kohë sa nuk na kërkojnë të shkelim ligjet e Perëndisë.​—Mateu 22:21; Veprat 5:​29.

  15.   Marrëdhëniet me të tjerët. Jezui urdhëroi: «Duaje të afërmin tënd si veten.» Gjithashtu tha se të krishterët «nuk janë pjesë e botës». (Mateu 22:39; Gjoni 17:16) Ndaj përpiqemi «të bëjmë atë që është e mirë ndaj të gjithëve», ndonëse qëndrojmë rreptësisht asnjanës në çështjet politike dhe nuk bashkohemi me fe të tjera. (Galatasve 6:​10; 2 Korintasve 6:​14) Gjithsesi i respektojmë zgjedhjet e të tjerëve në këto aspekte.​—Romakëve 14:12.

 Nëse ke pyetje të tjera për bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait, mund të lexosh më shumë për ne në sitin tonë, të kontaktosh një nga zyrat tona, të shkosh në mbledhje në një nga Sallat e Mbretërisë që ke afër ose të flasësh me një Dëshmitar në zonën tënde.

a Shih librin Truth in Translation, faqja 165.

b Engjëjt e ligj janë dëbuar nga qielli, por vazhdojnë të ekzistojnë në botën e padukshme.​—Zbulesa 12:​7-9.