Kalo te përmbajtja

Video në qindra gjuhë

Video në qindra gjuhë

Si Dëshmitarë të Jehovait njihemi gjerësisht për punën e madhe që bëjmë për sa i përket përkthimit. Deri në nëntor 2014 kishim përkthyer Biblën në 125 gjuhë dhe literaturë biblike në 742 gjuhë. Në këto përkthime përfshihen edhe videot. Deri në janar 2015, videoja Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? disponohej në 398 gjuhë, kurse videoja Pse ta studiosh Biblën? në 569 gjuhë. Pse dhe si është bërë kjo?

Në mars 2014, Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait i udhëzoi zyrat e degëve anembanë botës që të përgatitnin në sa më shumë gjuhë përmbajtjen audio të videove, me qëllim që të nxitin studimin e Biblës.

Për të përkthyer një video duhen ndjekur disa hapa. Në fillim, një skuadër përkthimi vendëse përkthen skenarin. Më pas, për secilin zë në video përzgjidhen persona që flasin në atë gjuhë. Më tej, skuadrat e audio/videos regjistrojnë audion në gjuhën e përkthyer, modifikojnë regjistrimin dhe përpunojnë tekstin që do të shfaqet në ekran. Në fund, audio, teksti dhe video kombinohen për të prodhuar një dokument përfundimtar që ngarkohet në sit.

Disa degë kishin studio regjistrimi dhe personel të trajnuar që kujdesej për këtë punë. Por, ç’mund të thuhet për ato gjuhë që fliten dhe përkthehen në zona të largëta dhe të veçuara?

Anembanë botës, teknikët e audios me sisteme regjistrimi portative iu futën punës. Duke përdorur një mikrofon dhe një laptop me një program për regjistrimin e audios, një teknik krijonte një studio regjistrimi të përkohshme në një zyrë, në një Sallë Mbretërie ose në një shtëpi private. Ata që flitnin gjuhën amtare lexonin, jepnin udhëzime dhe kontrollonin punën. Kur regjistrimi kishte përfunduar dhe ishte miratuar, tekniku i audios paketonte pajisjet dhe shkonte në një zonë tjetër.

Me këtë metodë, u prodhuan video në trefishin e gjuhëve që ishin prodhuar më parë.

Reagimi ndaj këtyre videove ka qenë i jashtëzakonshëm. Për shumë veta, videot tona ishin të parat që shihnin në gjuhën e tyre.

Një nga gjuhët në të cilat u bënë regjistrime ishte pitjantjatjara, e cila flitet nga më shumë se 2.500 veta në Australi. Regjistrimet në këtë gjuhë u bënë në Alis-Springs, në Territorin Verior. Kalan Tomas, i cili ndihmoi për prodhimin e regjistrimeve audio, tha: «Videot u pritën në mënyrë të jashtëzakonshme. Vendësit nuk shqiteshin nga tableta dhe vazhdonin të pyetnin se ku mund të gjenin më shumë video të tilla. Materialet në këtë gjuhë janë gjë e rrallë. Kur i dëgjojnë, e sidomos kur i shohin, mbeten gojëhapur.»

Dy Dëshmitarë në Kamerun po lundronin me kanoe kundër rrjedhës së një lumi. Ata ndaluan në një fshat të pigmenjve dhe folën me kreun, që ishte mësues në një shkollë vendëse. Kur morën vesh se fliste gjuhën bassa, vëllezërit i treguan në tabletë videon Pse ta studiosh Biblën? në gjuhën e tij. Atij i bëri shumë përshtypje dhe kërkoi edhe botime të shtypura.

Në një fshat të Indonezisë, udhëheqësi fetar, që është kundërshtar i Dëshmitarëve të Jehovait, dogji gjithë literaturën që kishin shpërndarë në atë zonë. Të tjerë kërcënuan të digjnin Sallën e Mbretërisë. Pas kësaj, katër policë shkuan në shtëpinë e një Dëshmitareje dhe morën në pyetje atë dhe familjen e saj. Ata donin të dinin se çfarë bëhet në një Sallë Mbretërie, prandaj ajo u tregoi videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie? në gjuhën indoneziane.

Pasi pa videon, një nga policët tha: «Tani e shoh që njerëzit ju keqkuptojnë dhe nuk ju njohin tamam.» Një polic tjetër pyeti: «A mund ta kem këtë video që t’ua tregoj të tjerëve? Ka informacione të sakta për ju.» Tani policia ka përshtypje të mira për Dëshmitarët dhe i mbron.

Nëse nuk i ke parë ende këto video, pse të mos i shohësh në gjuhën tënde?