Kalo te përmbajtja

Skuadra e përkthimit e spanjishtes transferohet në Spanjë

Skuadra e përkthimit e spanjishtes transferohet në Spanjë

Jezui tha se lajmi i mirë për Mbretërinë do t’u predikohej njerëzve në gjithë tokën. (Mateu 24:14) Botimet biblike të Dëshmitarëve të Jehovait janë përkthyer në spanjisht që nga 1909-a, dhe kanë ndihmuar njerëz përqark botës ta dëgjojnë mesazhin e Mbretërisë në gjuhën e nënës. Sot spanjishtja zë vendin e dytë pas gjuhës kineze për nga numri i njerëzve që e kanë gjuhë amtare. Në gjithë botën rreth gjysmë miliard njerëz flasin spanjisht.

William, pjesëtar i skuadrës së përkthimit të gjuhës spanjolle, thotë: «Spanjishtja është një gjuhë ndërkombëtare që flitet në dhjetëra vende me kultura të larmishme. Synimi ynë është të përkthejmë në një mënyrë që u prek zemrën lexuesve të shtresave, prejardhjeve e formimeve nga më të ndryshmet.» Për ta realizuar këtë, në skuadrën e përkthimit ka pjesëtarë nga Argjentina, Guatemala, Kolumbia, Meksika, Porto-Rikoja, Salvadori, Shtetet e Bashkuara, Uruguai, Venezuela dhe natyrisht, Spanja.

Për dekada me radhë përkthimi i botimeve në spanjisht bëhej në Shtetet e Bashkuara me ndihmën e përkthyesve Dëshmitarë në Argjentinë, Meksikë dhe Spanjë. Megjithatë, më 1993 skuadra e përkthimit të spanjishtes u transferua në Porto-Riko, që përkthyesit të punonin të gjithë së bashku në një vend.

Në mars të 2012-s u vendos që Reparti i Përkthimit i gjuhës spanjolle të transferohej prapë, këtë herë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Spanjë. Edward kujton: «Nuk u transferuan vetëm njerëzit, plaçkat e tyre dhe pajisjet. Na u desh të merrnim me vete edhe një ‘pjesëtar’ tjetër të domosdoshëm të Repartit të Përkthimit, bibliotekën e tij.» Kjo bibliotekë ka afro 2.500 vepra referimi, ndër të cilat qindra përkthime të Biblës në spanjisht.

Mirëpriten krahëhapur në Spanjë

Më 29 maj 2013 pjesëtarët e Repartit të Përkthimit të gjuhës spanjolle mbërritën në shtëpinë e re dhe u mirëpritën krahëhapur nga familja Bethel e Spanjës. Përkthyesit, veprat e referimit dhe pajisjet kanë përshkuar Oqeanin Atlantik, por falë planifikimit të kujdesshëm dhe punës së palodhur, lexuesit e botimeve tona në gjuhën spanjolle nuk kanë ndier ndonjë mungesë literature. Edward thotë: «Ajo që ka rëndësi është mesazhi për Mbretërinë, prandaj duam që ta lexojnë sa më shumë spanjishtfolës të jetë e mundur.»