Kalo te përmbajtja

Më shumë se 165.000 stenda të lëvizshme me literaturë

Më shumë se 165.000 stenda të lëvizshme me literaturë

Dëshmitarët e Jehovait, të njohur për predikimin shtëpi më shtëpi, tani po i shohim në vende publike pranë stendave tërheqëse me literaturë.

Kjo formë predikimi ka filluar të përdoret më shumë kohët e fundit. Në nëntor të 2011-s, një grup Dëshmitarësh në Nju-Jork filloi të përdorte tryeza dhe stenda me literaturë për t’i njohur njerëzit me mesazhin e Biblës. Kjo metodë ka pasur kaq shumë sukses, sa është përhapur me të shpejtë edhe në qytete të tjera.

Deri në mars 2015, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në mbarë botën kanë marrë 165.390 stenda të lëvizshme. Përveç këtyre, kanë marrë edhe mijëra stenda të palëvizshme, tryeza dhe kioska.

Shërbimi shtëpi më shtëpi mbetet ende mënyra kryesore si e përhapin Dëshmitarët e Jehovait të vërtetën biblike. Prapëseprapë, stendat e lëvizshme me literaturë kanë dalë shumë të efektshme. Ja disa shembuj.

Në Peru, një burrë me emrin Raul iu afrua Dëshmitarëve te një stendë, dhe u tha: «Po ku keni qenë? Kam tre vjet që i kërkoj Dëshmitarët! Kur pashë stendën tuaj, falënderova Zotin.»

Megjithëse zona ku jetonte, predikohej nga Dëshmitarët e Jehovait, Rauli nuk ishte kurrë në shtëpi gjatë ditës ose në fundjavë. Ai u tha se më parë kishte studiuar Biblën me Dëshmitarët dhe se donte të fillonte sërish. Më pas, i rregulluan gjërat që të studionte prapë.

Në Bullgari, një çift në moshë të re ndaloi te një stendë dhe mori librin Sekreti i lumturisë familjare. Javën pasuese, u kthyen dhe morën edhe dy libra të tjerë: Libri im i tregimeve biblike dhe Të mësojmë nga Mësuesi i Madh. Dëshmitari te stenda i pyeti se sa fëmijë kishin. Ata iu përgjigjën: «Akoma s’kemi, por, kur të bëhemi me fëmijë, duam t’i mësojmë për Zotin. Këta libra janë fiks ajo që na duhet.»

Në Ukrainë, një burrë me rroba ushtarake iu afrua Dëshmitareve te një stendë me literaturë. Ai pyeti: «Vajza, kur do të vijë Harmagedoni?» Burri ishte përfshirë aktivisht në konfliktin e kohëve të fundit në Ukrainë. Ngjarjet botërore e kishin bindur se Harmagedoni ishte te pragu, dhe pyeste veten pse Zoti nuk kishte vepruar më herët. Lajmëtaret i shpjeguan nga Bibla se Zoti ka arsye të forta pse nuk ka ndërhyrë ende në çështjet njerëzore, dhe se së shpejti do t’i shkatërrojë gjithë të ligjtë. Burri pranoi revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!, si edhe librin A ka një Krijues që interesohet për ju?

Në Maqedoni, një i ri u tregoi Dëshmitarëve te një stendë se i njihte mirë revistat e tyre, por tani donte librin Çfarë mëson vërtet Bibla? U tha se do të shkonte menjëherë te biblioteka publike që ta lexonte.

Rreth dy orë më vonë, u kthye pasi kishte lexuar 79 faqe të librit. Ai tha: «Ky libër të ndryshon jetën! E kuptoj se shumë gjëra që kam besuar, janë të gabuara. Gjithçka që shpjegon libri, më duket logjike. Tani e shoh krejt ndryshe jetën!»