Kalo te përmbajtja

Çojnë mesazhin biblik në veriun e largët

Çojnë mesazhin biblik në veriun e largët

Në vitin 2014 Trupi Udhëheqës i Dëshmitarëve të Jehovait dha udhëzime në lidhje me një program të ri për të çuar mesazhin biblik në zonat e thella në veri të Evropës dhe të Amerikës Veriore. (Veprat 1:8) Në fillim programi përqendrohej në komunitete të caktuara në Alaskë (SHBA), Laponi (Finlandë), Nunavut dhe në Territoret Veriperëndimore (Kanada).

Dëshmitarët e Jehovait kishin predikuar prej dekadash në këto zona të thella. Megjithatë, qëndronin vetëm për periudha të shkurtra dhe shpesh nuk arrinin të bënin shumë, vetëm shpërndanin botime biblike.

Me këtë program të ri, zyra e degës që mbikëqyr veprën e Dëshmitarëve të Jehovait në zonat e thella veriore, fton shërbëtorë në kohë të plotë (pionierë) që të qëndrojnë të paktën tre muaj në territoret që u caktohen. Nëse në një komunitet ka shumë njerëz që duan të studiojnë Biblën, pionierët mund të qëndrojnë më gjatë e madje të mbajnë edhe mbledhje publike.

Sigurisht, veriu paraqet disa vështirësi të veçanta. Nga dy pionierët që u caktuan në Berou të Alaskës, njëri më parë jetonte në jug të Kalifornisë dhe tjetri në Xhorxhia, SHBA. Dimrin e parë në Berou, temperaturat ranë deri minus 38 gradë celsius. Por, brenda pak muajsh arritën të predikonin në rreth 95 për qind të shtëpive të qytetit dhe filluan katër studime biblike, njëri prej të cilëve ishte një djalë me emrin Xhon. Bashkë me të dashurën po studiojnë librin Çfarë mëson vërtet Bibla? dhe ua tregon edhe shokëve e kolegëve atë që mëson. Ai lexon edhe shkrimin e ditës nga broshura Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë nëpërmjet aplikacionit JW Library në celularin e tij.

S’ka rrugë që të çon në Renkin Inlet në territorin kanadez të Nunavutit. Prandaj dy pionierë shkuan me avion në këtë fshat të vogël dhe filluan disa studime biblike. Pasi pa videon Çfarë ndodh në një Sallë Mbretërie?, një burrë pyeti se kur do të ndërtonim një Sallë Mbretërie në atë vend. Pastaj shtoi: «Nëse jam akoma këtu pasi ta ndërtoni, do të vij në mbledhje.»

Pionierët e caktuar në Savukoski të Finlandës, ku ka rreth dhjetë herë më shumë drerë polarë se njerëz, tha: «Temperaturat janë të ulëta dhe bie shumë borë.» Prapëseprapë ata u shprehën se ishte momenti i duhur për të shkuar atje. Pse? Ata shpjegojnë: «Kemi arritur të predikojmë të gjitha territoret. Rrugët për në fshatra dhe zonat e thella pastrohen nga dëbora dhe mirëmbahen. Nga temperaturat e ulëta, njerëzit nuk dalin shumë nga shtëpia.»

Përpjekjet tona për të çuar të vërtetën biblike në vendet e izoluara në veri, kanë rënë në sy. Pas vizitës së dy pionierëve, kryetarja e bashkisë së një qyteti të Alaskës postoi komente pozitive në rrjete sociale për bisedën e tyre dhe një fotografi të fletushkës Çfarë është Mbretëria e Perëndisë?

Në Heinz të Alaskës, ku dy pionierë kanë mirëpritur deri në tetë veta në mbledhjet që kanë mbajtur në bibliotekën e qytetit, gazeta lokale shkruante se në qytet kishin shkuar dy burra nga Teksasi dhe Karolina e Veriut që ofronin arsimim biblik individual në shtëpi. Në fund të njoftimit, thuhej: «Për të mësuar më shumë, shkoni në jw.org.»