Kalo te përmbajtja

Diçka e re për Manhatanin

Diçka e re për Manhatanin

Në nëntor 2011, një grup Dëshmitarësh të Jehovait morën iniciativën për t’i njohur njerëzit në Manhatan me mesazhin e Biblës. Ata ekspozuan në mënyrë tërheqëse literaturë nëpër tavolina dhe tezga. Fushata po zhvillohet në pjesën jugore të Manhatanit, lagjja më gumëzhitëse dhe më e vjetër e qytetit të Nju-Jorkut.

Zonën e ndanë në katër pjesë. Në çdo zonë ka vende ku kalimtarët mund të ndalen pranë një tavoline apo tezge plot me literaturë biblike të sistemuar mirë. Mësues të Biblës që shërbejnë në kohë të plotë janë gati për t’i ndihmuar. Shumë prej këtyre vendeve mund të gjenden nëpër stacionet e transportit publik ose pranë tyre, ku çdo ditë kalojnë dhjetëra mijë njerëz.

Në këto vende, njerëzit mund të marrin përgjigje nga Bibla për shumë pyetje. Ata që s’kanë kohë, mund të marrin ndonjë botim e ta lexojnë më vonë.

Literatura është në dispozicion në disa gjuhë. Nëse ndonjë botim nuk është në dispozicion në një gjuhë të kërkuar, mund të porositet e të merret brenda pak ditëve.

Publiku dhe autoritetet janë shumë entuziastë për këtë iniciativë. Një polic tha: «Ku keni qenë më parë?! Ju keni pikërisht atë që u nevojitet njerëzve.»

Një burrë ndaloi përnjëherë kur i kapi syri librin Çfarë mëson vërtet Bibla? Tha se kishte parë njerëz në metro duke lexuar librin dhe donte të dinte ku e kishin gjetur. Tani e mori vesh.

Një i ri kishte kaluar çdo ditë për gjashtë javë radhazi pranë njërës prej tavolinave, teksa shkonte për në punë. Në fund, u ndal dhe tha: «Më duhet pak ndihmë.» Ata që shërbenin në atë tavolinë e ndihmuan me kënaqësi. I dhanë një Bibël dhe i treguan si të nxirrte dobi prej saj.

Mjaft kalimtarë entuziastë janë ndalur për të folur për çështje besimi. Vetëm në një nga muajt e fundit, falë kësaj iniciative publiku në Manhatan ka marrë 3.797 revista dhe 7.986 libra.