Kalo te përmbajtja

«Dhurata e Perëndisë për njerëzit» ekspozohet në Qytetin e Thesarit

«Dhurata e Perëndisë për njerëzit» ekspozohet në Qytetin e Thesarit

Kluzhi, një nga qytetet më të mëdha në Rumani, njihet si Qyteti i Thesarit. Gjatë panairit të librit Gaudeamus që u mbajt në këtë qytet më 20-24 prill 2016, Dëshmitarët e Jehovait theksuan vlerat morale dhe vlerat e parimeve të Biblës. Ata ngritën një stendë në panair dhe folën me mijëra të pranishëm kureshtarë për videot, botimet e bazuara në Bibël dhe për Biblat e ekspozuara.

Disa shkolla shkuan për ekskursion në panair dhe mësuesit i sollën nxënësit te stenda e Dëshmitarëve. Nxënësit u kënaqën jashtë mase me videot e animuara nga seria Bëhu mik i Jehovait, dhe shumë prej tyre donin botimin Libri im i tregimeve biblike e broshurën Mësoji fëmijët. Një grua që punon në një qendër kujdesi për fëmijë, e cila i pa videot e animuara, i tha koleges: «Duhet ta mbajmë shënim këtë adresë [www.jw.org] që t’u tregojmë fëmijëve të gjithë filmat vizatimorë.»

Nxënësit adoleshentë u mahnitën nga videot me skicime që panë në tableta. Ndër videot e përzgjedhura ishin Dashuri apo fiksim?, Rrjetet sociale: Tregohu i zgjuar dhe Mund t’i bësh ballë bullizmit pa grushta.

Një prift ortodoks bashkë me gruan shkuan disa herë te stenda, ku morën Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re dhe disa broshura. Ai tha se në këtë përkthim i kishte bërë përshtypje veçoria «Renditja e fjalëve biblike», si edhe burimet e shumta e të besueshme që kishin përdorur përkthyesit. U dha Dëshmitarëve numrin e telefonit dhe u kërkoi ta kontaktonin që të vazhdonin më tej bisedën rreth Biblës.

Gruaja e priftit i pyeti në cilin seksion të sitit jw.org mund të gjente informacione për fëmijët dhe ata i treguan pjesën «Fëmijët». Më pas, pa videon Thoni të vërtetën, e cila i pëlqeu shumë. Pasi e eksploroi këtë dhe veçori të tjera të sitit, i shoqi e quajti sitin: «Dhurata e Perëndisë për njerëzit.»