Kalo te përmbajtja

Pse mësojnë bengale?

Pse mësojnë bengale?

Në Queens, Nju-Jork, kohët e fundit, 23 Dëshmitarë të Jehovait mësuan të flitnin e të lexonin bengale, gjuhë e folur në Bangladesh e në pjesë të Indisë. Ata u regjistruan në një klasë ku Dëshmitarë të tjerë ua mësuan shpejt këtë gjuhë.

Klasa e gjuhës bengale ishte një nga disa klasat e gjuhëve të ndryshme të mbajtura në SHBA e në vende të tjera. Synimi i kësaj pjesëmarrjeje është të flitet për mesazhin biblik me njerëz që flasin gjuhë tjetër.

Magala, studente e gjuhës bengale, shpjegoi: «Ata që flasin gjuhën bengale në zonën tonë po shtohen shpejt. Njerëzit duan të dinë përgjigje për pyetje të rëndësishme, si: ‘Pse vuajmë kaq shumë?’ Kur u flas për premtimet e mrekullueshme të Perëndisë që do të plotësohen në të ardhmen, duan të dinë më tepër. Por gjuha është gjithnjë pengesë.»

Që t’i ndihmonin studentët të mësonin sa më shpejt, mësuesit përdorën metoda argëtuese mësimdhënieje. Një metodë kombinonte mësimin me ushtrimet fizike, që t’i mbanin më mirë mend gjërat.

Pasi mbaronte një orë mësimi, studentët menjëherë praktikonin gjërat e reja që kishin mësuar duke vizituar ata që flitnin gjuhën bengale në zonën e tyre dhe i ftonin të diskutonin për tema biblike. Magala tha: «Njerëzit kënaqen dhe duan të dinë pse po e mësoj gjuhën e tyre. Fakti që harxhoj kohë për këtë, i ndihmon të kuptojnë sa i rëndësishëm është mesazhi ynë.»

Dëshmitarët e Jehovait jo vetëm mësojnë gjuhë të huaja, por edhe organizojnë klasa ku stërvitin mësues për këto gjuhë. Vetëm në territorin e zyrës së Shteteve të Bashkuara, nga janari 2006 deri në janar 2012, në rreth 38 seminare për mësimin e gjuhëve të huaja janë stërvitur 2.244 mësues. Ndërsa, nga 1 shtatori 2012, në territorin e degës së Shteteve të Bashkuara janë mbajtur mbi 1.500 klasa ku janë mësuar 37 gjuhë.