Kalo te përmbajtja

Ndihmë për të burgosurit

Ndihmë për të burgosurit

Çdo ditë, zyrat e Dëshmitarëve të Jehovait marrin dhjetëra letra nga të burgosurit në SHBA, të cilët kërkojnë ndihmë për të njohur Perëndinë.

U përgjigjemi kërkesave të tyre duke marrë masa që Dëshmitarë të kongregacioneve vendëse të vizitojnë e të studiojnë Biblën me ata që janë në burgje, në spitale shtetërore, në qendra për të rinjtë dhe në qendra rehabilitimi nga abuzimi me substanca të ndryshme.

Në disa burgje, Dëshmitarët e Jehovait drejtojnë rregullisht mbledhje kongregacioni. Për shembull, në një godinë morën pjesë 32 veta në fjalimin publik që u mbajt në dy oborre të burgut.

Kjo ka sjellë rezultate inkurajuese. Një i burgosur në shtetin e Indianës, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të shkallës së parë, ndryshoi për mirë dhe u pagëzua si Dëshmitar i Jehovait.

Një Dëshmitar që studioi Biblën me një burrë në një burg të madh në Kaliforni, tha: «E kam parë si ishte dhe si ka përparuar. Ka bërë ndryshime të mëdha që të kualifikohej për pagëzim.»

Mjaft të burgosur kanë përqafuar të vërtetën biblike, edhe pse e dinin se kjo mund t’u rrezikonte jetën. Për shembull, disa nga ata që shkëputnin lidhjet nga një bandë duhej t’i futnin në izolim ose t’i transferonin në një burg tjetër që të ishin të sigurt.

Fuqia e Biblës për të ndryshuar jetën është kaq e madhe, sa u ka bërë përshtypje zyrtarëve të burgut. Disa u kanë dhënë Dëshmitarëve certifikata mirënjohjeje dhe çmime si vullnetarë zyrtarë për punën e mirë në burgje dhe në qendrat e rehabilitimit.