Kalo te përmbajtja

Mësuesit në Filipine vlerësojnë sitin JW.ORG

Mësuesit në Filipine vlerësojnë sitin JW.ORG

Më 2016 Dëshmitarët e Jehovait patën privilegjin t’u tregonin vlerën arsimuese të videove e të artikujve nga siti jw.org mjaft mësuesve në provincën e Zamboangë-del-Nortes, Filipine. Si fillim, Dëshmitarët kishin shkuar në kryeqytet, Dipolog, që të vizitonin Seksionin e Arsimit të kësaj province. Administratorëve u bëri aq shumë përshtypje siti jw.org, saqë i ftuan Dëshmitarët të mbanin një prezantim prej 30 minutash në tri seminarët e ardhshëm ku do të merrnin pjesë mësues nga disa krahina të Zamboangë-del-Nortes.

Si u paraqitën këto prezantime?

Dëshmitarët u treguan video dhe artikuj të përzgjedhur nga siti rreth 300 mësuesve në çdo seminar. Të pranishmit u kënaqën veçanërisht me temën «Si t’i përballojmë borxhet?» Shumë mësues mendonin se prezantimi nuk do të ndihmonte vetëm nxënësit, por edhe vetë ata. Të gjithë morën nga një fletushkë Ku mund t’i gjejmë përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës?, e cila tregon një përmbledhje të informacioneve të bollshme interesante e të dobishme që gjenden në sitin jw.org. Disa mësues shkarkuan edhe video nga siti ynë.

Të tria prezantimet ishin aq të suksesshme, saqë Seksioni i Arsimit i kësaj province mori masa për prezantime të tjera ku do të merrnin pjesë afro 600 këshilltarë shkollash dhe mësues të tjerë. Edhe këtë herë pati mjaft shprehje vlerësimi të sinqerta.

«Siti është një ndihmë e madhe»

Më vonë disa të pranishëm shpjeguan si i kishin ndihmuar prezantimet dhe siti. Një mësuese tha: «Dua t’ju falënderoj, sepse siti më ka ndihmuar teksa mësoj nxënësit e mi.» Një mësuese tjetër u shpreh: «Kam shumë gjëra për të mësuar, sidomos kur bëhet fjalë për të përballuar stresin. Siti është një ndihmë e madhe jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit.»

Mbi 350 mësues që panë prezantimet për sitin jw.org, kërkuan më tepër informacion. Dëshmitarët siguruan literaturë shtesë dhe u treguan këshilla praktike nga Bibla të gjithë atyre që pyetën.

Dëshmitarët e Jehovait janë të kënaqur që gjatë këtyre prezantimeve në Zamboangë-del-Norte morën pjesë shumë më tepër se 1.000 veta, të cilët panë se siti jw.org mund të jetë një burim i fuqishëm mësimdhënieje. Ky mjet i çmuar arsimimi mund të ndihmojë mësuesit në mbarë botën, duke siguruar një pasuri informacioni etik, moral dhe fetar. *

^ par. 9 Institucionet arsimore në Filipine kanë për detyrë jo vetëm t’u japin njohuri nxënësve, por edhe «t’u forcojnë vlerat etike dhe fetare [e t’u] zhvillojnë karakterin moral dhe vetëdisiplinën».​—Kushtetuta e Republikës së Filipineve,1987, neni XIV, pika 3/​2.