Kalo te përmbajtja

Pritje për publikun në Selters

Pritje për publikun në Selters

Dëshmitarët e Jehovait shtypin literaturë në 15 degë përreth botës. Njëra prej tyre, dega e Evropës Qendrore, gjendet në Selters, Gjermani, në një zonë të quajtur Shtainfels, e cila në gjermanisht do të thotë «shkëmb».

Më 23-25 maj 2014, dega e Evropës Qendrore ftoi fqinjë, njerëz të biznesit dhe zyrtarë lokalë në një pritje për publikun. Tema e këtij rasti ishte «30 vjet në Selters», sepse më 21 prill 1984 u përuruan godinat e degës.

Gjatë kësaj pritjeje ndërtesat i vizituan mbi 3.000 të ftuar. «Vizitat në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait janë gjithmonë raste speciale»,—u shpreh kryetari i bashkisë, që ka punuar në qeverisjen lokale për gati 30 vjet. Ai tha: «Akoma mahnitem kur mendoj sa shpejt u ndërtua zyra e degës në Shtainfels, nga 1979-a deri më 1984.»

Çfarë përfshinte pritja për publikun?

Një ekspozitë titullohej «Populli i Jehovait në Evropën Qendrore». Vizitorët u njohën me rreth 120 vjet histori të Dëshmitarëve në atë rajon. Ekspozita historike tani ka një vend të përhershëm në zyrën e degës.

Në një ekspozitë tjetër kishte Bibla të rralla dhe të një rëndësie të veçantë. Për shembull, aty gjendej një botim i hershëm i Biblës së plotë në gjermanisht, i vitit 1534, dhe një pjesë nga Bibla Shumëgjuhëshe e Elias Huterit, e vitit 1599, ku teksti paraqitet në 12 gjuhë. Gjithashtu, stendat, tabelat dhe prezantimet me video theksonin vlerën praktike të parimeve të Biblës në ditët tona.

Në dy vizita pa ciceron, vizitorët u njohën me rutinën e përditshme të më tepër se 1.000 burrave e grave që jetojnë e shërbejnë në zyrën e degës. Në vizitën e parë me temë «Si jetojmë», të ftuarit panë disa dhoma të banorëve, hëngrën në sallën e ngrënies dhe bënë një xhiro në park. Një vizitore, tha: «Vendi është i mrekullueshëm.»

Në vizitën e dytë, të quajtur «Prodhimi», përfshihej Shtypshkronja, Reparti i Libralidhjes dhe Reparti i Dërgimit. Vizitorët panë me sytë e tyre si shtypej literatura biblike, si lidhej dhe si dërgohej në më se 50 shtete. Një burrë komentoi: «S’e kisha imagjinuar kurrë që Dëshmitarët e Jehovait të ishin një organizatë globale. Botimet e tyre shkojnë në çdo cep të botës. Ta bësh këtë me vullnetarë, është një mrekulli.»

Vizitorët njihen me jw.org

Një vend special zinte këndi jw.org, ku ekspozohej siti zyrtar i Dëshmitarëve të Jehovait. Të rinj e të moshuar panë prezantime me video. Gjithashtu, morën përgjigje për pyetjet e shumta që kishin.

Falë këtij këndvështrimi të ri për veprën mbarëbotërore të Dëshmitarëve të Jehovait, mjaft vizitorë u larguan buzagaz dhe me një ndjenjë admirimi për punën që bëhej aty. Një burrë tha: «Kisha plot ide të gabuara për Dëshmitarët. Më duhet vërtet të ndryshoj opinion.» Një grua u shpreh disa herë: «Kjo ditë rrëzoi vërtet shumë paragjykime.»

^ par. 17 Të dhënat për vitin 2014

^ par. 21 Të dhënat për vitin 2014

^ par. 24 Të dhënat për vitin 2014