Pjesa e parë e Përkthimit Bota e Re doli në vitin 1950. Që nga ajo kohë, disa kanë komentuar ose kanë vënë në dyshim saktësinë e Përkthimit Bota e Re *, ngaqë në disa pjesë ndryshon nga përkthime të tjera të Biblës. Zakonisht, arsyet e këtyre ndryshimeve mund të klasifikohen në një nga kategoritë e mëposhtme.

  • Besueshmëria. Përkthimi Bota e Re bazohet në kërkime akademike të përditësuara dhe në dorëshkrimet më të besueshme të kohëve të lashta. Krejt ndryshe, përkthimi King James Version i vitit 1611 u bazua në dorëshkrime që shpesh ishin më pak të sakta dhe jo aq të vjetra sa dorëshkrimet që u përdorën për Përkthimin Bota e Re.

  • Besnikëria. Përkthimi Bota e Re përpiqet fort ta përcjellë besnikërisht mesazhin origjinal të frymëzuar nga Perëndia. (2 Timoteut 3:16) Shumë përkthime të Biblës sakrifikojnë besnikërinë ndaj mesazhit të Perëndisë që të ndjekin traditat njerëzore, për shembull duke zëvendësuar emrin e Perëndisë, Jehova, me tituj, si Zot ose Perëndi.

  • Përkthimi fjalë për fjalë. Ndryshe nga përkthimet e parafrazuara, Përkthimi Bota e Re bën përkthim fjalë për fjalë për aq kohë sa kjo nuk sjell një formulim të çuditshëm në fjali ose nuk fsheh idenë e shkrimeve origjinale. Përkthimet që parafrazojnë tekstin origjinal të Biblës, mund të futin mendime njerëzore ose të lënë pa përmendur hollësi të rëndësishme.

Dallimet mes Përkthimit Bota e Re dhe përkthimeve të tjera

Libra që mungojnë. Në Biblat e tyre, Kisha Katolike dhe Kisha Ortodokse përfshijnë libra që disa i njohin si libra apokrifë. Gjithsesi, këta libra nuk u pranuan në kanonin judaik, dhe vlen të përmendet ajo që thotë Bibla se judenjtë ishin ata të cilëve «iu besuan thëniet e shenjta të Perëndisë». (Romakëve 3:1, 2) Kështu, Përkthimi Bota e Re dhe shumë përkthime të sotme të Biblës me të drejtë i lënë jashtë librat apokrifë.

Vargje që mungojnë. Disa përkthime shtojnë vargje dhe shprehje që nuk gjenden në dorëshkrimet më të lashta të Biblës që disponohen, por Përkthimi Bota e Re i heq këto pjesë të shtuara. Shumë përkthime të sotme ose nuk i përmendin këto shtesa të mëvonshme, ose e pranojnë se ato nuk mbështeten nga shumë burime të autoritetshme. *

Mënyra të ndryshme të shprehuri. Me raste, përkthimet fjalë për fjalë janë të paqarta ose përcjellin ide tjetër. Për shembull, fjalët e Jezuit te Mateu 5:3 shpesh janë përkthyer: «Lum skamësit në frymë.» (Diodati i Ri; Bibla Simon Filipaj) Shumë vetave u duket i paqartë përkthimi «skamësit në frymë», kurse të tjerë mendojnë se këtu Jezui po theksonte vlerën e përulësisë ose të varfërisë. Megjithatë, Jezui donte të thoshte se lumturia e vërtetë vjen kur jemi të vetëdijshëm se kemi nevojë për udhëheqjen e Perëndisë. Përkthimi Bota e Re e përcjell saktë atë që donte të thoshte Jezui, duke e përkthyer «ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë».Mateu 5:3.

Komente pozitive për Përkthimin Bota e Re nga studiues që nuk janë Dëshmitarë

  • Në një letër të datës 8 dhjetor 1950, një përkthyes dhe studiues i njohur i Biblës, Edgar J. Goodspeed, shkroi për Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re: «Jam i interesuar për veprën misionare të njerëzve tuaj dhe shtrirjen e saj mbarëbotërore, si edhe shumë i kënaqur me përkthimin e natyrshëm, të qartë dhe të gjallë. Ai paraqet një gamë të gjerë dijesh të shëndosha dhe serioze, siç mund ta dëshmoj edhe vetë.»

    Edgar J. Goodspeed

  • Profesori Allen Wikgren nga Universiteti i Çikagos e përmendi Përkthimin Bota e Re si shembull të një përkthimi me gjuhë bashkëkohore, i cili, në vend që të ketë ardhur nga përkthime të tjera, shpesh ka «mendime të shprehura në mënyrë të pavarur dhe të lavdërueshme».The Interpreter’s Bible, vëllimi I, faqja 99.

  • Duke komentuar Shkrimet e Krishtere Greke—Përkthimi Bota e Re, kritiku anglez i Biblës, Alexander Thomson, shkroi: «Duket qartë se përkthimi është vepër e studiuesve të aftë e të shkathët, të cilët janë përpjekur të paraqitin sa më shumë kuptimin e vërtetë të tekstit grek për aq sa gjuha angleze është në gjendje ta shprehë.»—The Differentiator, prill 1952, faqja 52.

  • Ndonëse u shpreh se disa pjesë të përkthyera i dukeshin të pazakonta, autori Charles Francis Potter tha: «S’ka dyshim se përkthyesit anonimë kanë përkthyer dorëshkrimet më të mira, si ato në greqisht, edhe në hebraisht, me aftësi dhe mendjemprehtësi akademike.»—The Faiths Men Live By, faqja 300.

  • Megjithëse mendonte se Përkthimi Bota e Re kishte edhe gjëra të çuditshme, edhe të shkëlqyera, Robert M. McCoy e përfundoi analizimin e tij duke thënë: «Përkthimi i Dhiatës së Re dëshmon se në lëvizjen [e Dëshmitarëve të Jehovait] ka studiues të kualifikuar që i trajtojnë me inteligjencë problemet e shumta të përkthimit të Biblës.»—Andover Newton Quarterly, janar 1963, faqja 31.

  • Profesori S. MacLean Gilmour, edhe pse nuk ishte dakord me disa pjesë të përkthyera te Përkthimi Bota e Re, prapëseprapë e pranoi se përkthyesit «ishin jashtëzakonisht kompetentë në gjuhën greke».—Andover Newton Quarterly, shtator 1966, faqja 26.

  • Në analizën që i bëri Përkthimit Bota e Re, i cili është pjesë e Kingdom Interlinear Translation of the Greek Scriptures, docenti Thomas N. Winter shkroi: «Përkthimi që bëri komiteti anonim, është krejtësisht i përditësuar dhe plotësisht i saktë.»—The Classical Journal, prill-maj 1974, faqja 376.

  • Profesori Benjamin Kedar, një studiues hebre në Izrael, tha në vitin 1989: «Në kërkimet e mia gjuhësore lidhur me pjesën hebraike të Biblës dhe përkthimet, shpesh i referohem një botimi në anglisht i cili njihet si Përkthimi Bota e Re. Duke bërë këtë, më përforcohet gjithnjë e më shumë mendimi se kjo vepër pasqyron një përpjekje të sinqertë për të arritur një kuptueshmëri sa më të saktë të tekstit.»

  • Bazuar në analizën që u bëri nëntë përkthimeve më kryesore në anglisht, Jason David BeDuhn, docent i studimeve fetare, shkroi: «Duke e krahasuar me përkthimet e tjera, BR-ja [Përkthimi Bota e Re] është më i sakti.» Megjithëse publiku i gjerë dhe shumë studiues të Biblës mendojnë se ndryshimet në Përkthimin Bota e Re janë rezultat i fanatizmit fetar të përkthyesve, BeDuhn tha: «Shumë ndryshime ekzistojnë ngaqë BR-ja ka saktësi tepër të madhe, pasi është përkthim fjalë për fjalë dhe besnik i shprehjeve origjinale të shkrimtarëve të Dhiatës së Re.»—Truth in Translation, faqet 163, 165.

^ par. 2 Komentet vlejnë për botimet e Përkthimit Bota e Re në anglisht para rishikimit të vitit 2013. Përkthimi Bota e Re në shqip bazohet në versionin në anglisht, por, për t’u siguruar për saktësinë, u jemi referuar edhe teksteve në gjuhët origjinale.

^ par. 8 Për shembull, shih përkthimet Diodati i Ri dhe Bibla ECM. Vargjet e shtuara janë Mateu 17:21; 18:11; 23:14; Marku 7:16; 9:44, 46; 11:26; 15:28; Luka 17:36; 23:17; Gjoni 5:4; Veprat 8:37; 15:34; 24:7; 28:29 dhe Romakëve 16:24. Versioni Diodati i Ri përmban një fragment trinitar te 1 Gjonit 5:7, 8, i cili u shtua qindra vjet pasi u shkrua Bibla.