Jo, nuk e kemi ndryshuar. Përkundrazi, kur kemi zbuluar se bindjet tona nuk ishin tërësisht në përputhje me Biblën, kemi ndryshuar bindjet tona.

Shumë kohë para se të botonim Shkrimet e Shenjta​Përkthimi Bota e Re në vitin 1950, e morëm Biblën në shqyrtim. Përdorëm çdo përkthim të Biblës që kishim në dispozicion dhe krijuam bindjet tona sipas tyre. Shqyrto për shembull disa bindje që ne Dëshmitarët e Jehovait i kemi pasur prej kohësh dhe vendos vetë nëse përputhen me atë që mëson vërtet Bibla.

  1. Çfarë besojmë: Perëndia nuk është Trinitet. Revista Kulla e Rojës e Sionit, numri i korrikut 1882, thoshte: «Lexuesit tanë janë në dijeni se, ndonëse besojmë te Jehovai e Jezui, dhe te Fryma e shenjtë, e hedhim poshtë tërësisht si jobiblik mësimin se këta janë tre Perëndi në një person, ose siç e thonë disa, një Perëndi në tre persona.»

    Çfarë thotë Bibla: «Jehovai, Perëndia ynë, është një Jehova.» (Ligji i përtërirë 6:4, The Holy Bible nga Robert Young) «Ka veçse një Perëndi, Ati, nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zotëri, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat dhe ne jetojmë me anë të tij.» (1 Korintasve 8:6, American Bible Union Version) Vetë Jezui pohoi: «Ati është më i madh se unë.»​—Gjoni 14:28, Diodati i Ri.

  2. Çfarë besojmë: Nuk ekzistojnë torturat e përhershme në një ferr të zjarrtë. Duke cituar Romakëve 6:23 nga përkthimi King James Version, Kulla e Rojës e Sionit e titulloi numrin e korrikut të vitit 1882 «Paga e mëkatit është vdekja». Aty thuhej: «Sa të qarta dhe të thjeshta janë këto fjalë. Është e çuditshme, por shumë veta që pohojnë se e konsiderojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë, me këmbëngulje i hedhin poshtë këto fjalë, dhe thonë se besojnë që paga e mëkatit është jeta e përhershme në torturë dhe se këtë e mëson Bibla.»

    Çfarë thotë Bibla: «Shpirti që mëkaton do të vdesë.» (Ezekieli 18:4, 20, DIO) Ata që dalin kundër Perëndisë nuk do të marrin si ndëshkim përfundimtar një torturë të përjetshme, por një «shkatërrim të përjetshëm».​—2 Selanikasve 1:9, DIO.

  3. Çfarë besojmë: Mbretëria e Perëndisë është një qeveri reale, jo thjesht një gjendje zemre. Në lidhje me Mbretërinë e Perëndisë, Kulla e Rojës e Sionit, dhjetor 1881, tha: «Sigurisht, vendosja e kësaj mbretërie do të përfshijë rrëzimin e të gjitha mbretërive të tokës.»

    Çfarë thotë Bibla: «Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri dhe do të ekzistojë përjetë.»​—Danieli 2:44. DIO.

A bazohen Dëshmitarët e Jehovait vetëm te Përkthimi Bota e Re për të mbështetur bindjet e tyre?

Jo, sepse ne vazhdojmë të përdorim shumë përkthime të tjera të Biblës në veprën tonë të predikimit. Në fakt, edhe pse u ofrojmë falas një kopje të Përkthimit Bota e Re atyre që studiojnë pa pagesë Biblën me ne, me kënaqësi studiojmë edhe me ata që preferojnë të përdorin përkthime të tjera.