Duke filluar nga numri i korrikut 2011, filloi të dilte për një periudhë prove njëvjeçare botimi i thjeshtuar i Kullës së Rojës në anglisht. Tani periudha e provës mbaroi dhe është vendosur që versioni i thjeshtuar të botohet në vazhdimësi.

Duke filluar nga janari 2013, botimi i thjeshtuar do të jetë në dispozicion edhe në frëngjisht, portugalisht dhe spanjisht.

Ky botim u përgatit për të ndihmuar ata që frekuentojnë mbledhjet e kongregacioneve anglishtfolëse në Sallat e Mbretërisë, por që nuk e kanë anglishten gjuhën e tyre amtare.

Që në numrin e parë vërshuan një lumë letrash vlerësimi. Një erdhi nga Rebeka 64-vjeçare që jeton në Liberi dhe që nuk ka qenë kurrë në shkollë. Ajo shkroi: «Po mësoj të lexoj. Ndonjëherë e lexoja Kullën e Rojës, por nuk e kuptoja. Më pëlqen shumë botimi i thjeshtuar. Arrij ta kuptoj.»

Shumë prindër po e përdorin këtë botim për të ndihmuar fëmijët të përgatiten për Studimin e Kullës së Rojës, një nga mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Rozmaria që po rrit tri mbesa, shkruan: «Të studioje Kullën e Rojës me vajzat ka qenë gjithnjë një sfidë. Na duhej të hapnim fjalorin për të parë kuptimin e shumë fjalëve. Për disa artikuj harxhonim aq shumë kohë vetëm për të kuptuar fjalët, sa shpesh fëmijët nuk e kapnin pikën. Tani e përdorim kohën për shkrimet dhe se si lidhen ato me mësimin.»

Le të shohim një shembull që tregon ndryshimin ndërmjet tekstit standard dhe tekstit të thjeshtuar. Për të përshkruar një mbledhje të apostujve të Krishtit në kapitullin 15 të Veprave, botimi standard thotë: «Ajo çka vijoi nuk ishte një debat teologjik bajat për hollësi teknike, por një diskutim i gjallë doktrinal.» Kurse botimi i thjeshtuar në anglisht thotë: «Mbledhja e tyre nuk ishte një debat i mërzitshëm fetar për hollësi të parëndësishme, por një diskutim i gjallë rreth mësimeve biblike.»