«Dua që të shkosh në Studiot e Kolumbias në qytetin e Nju-Jorkut dhe të këndosh një nga himnet tona. Do të bëjnë një incizim profesional. Mos i trego askujt për këtë.»

William Mockridge

Afër fundit të vitit 1913, William Mockridge përmbushi këtë caktim të pazakontë nga Charles Taze Russell. * Ajo këngë, e njohur nga disa si «E ardhmja e ëmbël», doli si disk me 78 rrot/min. Më vonë, William mori vesh se ajo këngë do të përdorej në hyrje të «Fotodramës së Krijimit», një prezantim me fjalime biblike dhe me muzikë, që sinkronizoheshin me filmime pa zë dhe figura me ngjyra në diapozitiva prej xhami. «Fotodrama» e pati premierën në janar 1914 në qytetin e Nju-Jorkut.

Disku i William ishte një nga më shumë se 50 disqet që përdorën operatorët e gramafonave në shfaqjet e ndryshme të «Fotodramës» në anglisht. Edhe pse pjesa më e madhe e muzikës nuk ishte e tyrja, disa disqe, përfshirë edhe atë që bëri William, u realizuan me autorizimin e Studentëve të Biblës dhe tekstet u morën nga libri Himne për agimin e Mijëvjeçarit, një nga librat e tyre të këngëve.

I kushtojnë vëmendje tekstit të këngëve

Për shumë vite Dëshmitarët përdornin në adhurim muzikë që nuk ishte e tyrja. Por, kur ishte e nevojshme, e përshtatnin tekstin që të pasqyronte kuptueshmërinë e tyre për Shkrimet.

Për shembull, një këngë e luajtur gjatë «Fotodramës» titullohej «Mbreti ynë po marshon», një përshtatje e këngës «Himni luftarak i Republikës». Vargu i parë i «Himnit luftarak» thotë: «Sytë e mi kanë parë lavdinë e ardhjes së Zotërisë.» Megjithatë, Studentët e Biblës e ndryshuan tekstin në: «Sytë e mi mund të shohin lavdinë e pranisë së Zotërisë.» Ky ndryshim pasqyronte bindjen e tyre se qeverisja e Jezu Krishtit përfshinte jo vetëm ardhjen, por edhe praninë e tij gjatë një periudhe të caktuar.Mateu 24:3.

Kur u botua libri Këndoni dhe thurni melodi në zemrat tuaja në vitin 1966, u bënë përpjekje të hiqej muzika me origjinë botërore ose nga fetë e tjera. Atë vit, Dëshmitarët mblodhën një orkestër të vogël dhe incizuan 119 këngët e librit. Kongregacionet i përdornin këto incizime për të kënduar në mbledhje dhe disa Dëshmitarë i dëgjonin me ëndje në shtëpi.

Më 2009 Dëshmitarët e Jehovait botuan një libër këngësh të ri, Këndojini Jehovait. Interpretime vokale të këngëve të tij janë incizuar në dhjetëra gjuhë. Në vitin 2013 Dëshmitarët filluan të nxirrnin videot e para muzikore për fëmijë. Njëra titullohet Lutu çdo ditë. Ata që vizitojnë sitin jw.org shkarkojnë miliona këngë në muaj.

Shumë kanë shprehur vlerësim për këtë muzikë. Një grua që quhet Xhuli shkroi për librin Këndojini Jehovait: «Sa të bukura janë këngët e reja! Kur jam vetëm, dëgjoj ato që shprehin tamam si ndihem. Falë kësaj, kuptoj se marrëdhënia ime me Jehovain forcohet gjithnjë e më shumë dhe jam më e vendosur t’i jap më të mirën.»

Ja çfarë shkroi një mama me emrin Hedhër për ndikimin që ka pasur videoja Lutu çdo ditë te fëmijët e saj shtatë e nëntë vjeç: «I ka ndihmuar të luten, jo vetëm në fillim të ditës ose kur janë me ne, por sa herë që u vjen të flasin me Jehovain.»

^ par. 3 Charles Taze Russell (1852–1916) ishte në krye të Studentëve të Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait.