Për Dëshmitarët e Jehovait nuk ka libër më të rëndësishëm se Bibla. E studiojnë rregullisht dhe e përdorin që t’u mësojnë të tjerëve lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. (Mateu 24:14) Nga ky përdorim kaq i dendur, Biblat e tyre vjetrohen shpejt. Prandaj, Dëshmitarët bënë të pamundurën që botimi i rishikuar i 2013-s i Shkrimeve të Shenjta—Përkthimi Bota e Re të ishte edhe tërheqës, edhe t’i rezistonte kohës.

Bibla e re duhej të ishte e fortë. Kur përfaqësues të personelit të shtypshkronjës të Dëshmitarëve në Uollkill, Nju-Jork, SHBA, i diskutuan planet e tyre me presidentin e një kompanie libralidhjeje, ai u tha: «S’ka si të bëhet një Bibël siç e doni ju.» Pastaj shtoi: «Është një e vërtetë e hidhur, por shumica e Biblave bëhen enkas për të zbukuruar një tryezë a një raft, jo që të jenë shumë rezistente.»

Disa botime të mëparshme të Përkthimit Bota e Re prisheshin kollaj dhe ndodhte të shqiteshin nga vapa e madhe. Teksa përpiqeshin të prodhonin një Bibël që t’i bënte ballë përdorimit të shpeshtë në klima të larmishme, punonjësit e shtypshkronjës analizuan materialet për kapakun, ngjitësit dhe metodat e libralidhjes. Duke u bazuar te rezultatet e kërkimeve, prodhuan mostra të Biblës dhe ua dërguan për provë në terren Dëshmitarëve në vende me klimë të ndryshme, nga tropiku deri në Alaskë.

Pas gjashtë muajsh, Biblat i kthyen për t’i analizuar. Pastaj, personeli i shtypshkronjës bëri ca përmirësime dhe dërgoi një sasi tjetër mostrash. Në terren u provuan 1.697 Bibla gjithsej. Disa prej tyre u keqtrajtuan pa dashje. Për shembull, njëra mbeti tërë natën jashtë në shi dhe një tjetër e përmbytën ujërat e një uragani. Nga rezultatet e provave në terren dhe të incidenteve u morën informacione me vlerë për rezistencën e librit.

Më 2011, ndërsa bëheshin provat në terren, Dëshmitarët blenë pajisje të re libralidhjeje me shpejtësi të madhe për shtypshkronjat në Uollkill dhe në Ebina, Japoni. Kështu jo vetëm do të prodhohej sasia e nevojshme, por Biblat e shtypura në dy vendet do të dukeshin fiks njësoj.

Probleme me kapakët që përdridheshin

Në fillim të 2012-s dy shtypshkronjat nisën shtypjen e botimit të atëhershëm të Përkthimit Bota e Re me ngjyrë të zezë dhe vishnje, duke përdorur për kapakun materialin e ri poliuretan. Mirëpo, pajisjet e reja përdornin për veshjen e brendshme të kapakut një material dhe një ngjitës të paprovuar në terren. Kapakët e prodhuar përdridheshin goxha pasi ngjiteshin te Bibla. Përpjekjet e para për ta zgjidhur këtë problem dështuan, ndaj shtypja u ndërpre.

Prodhuesit e njërit prej materialeve thanë se përdredhja hasej shpesh te kapakët elastikë dhe ishte një problem që mezi rregullohej. Megjithatë, Dëshmitarët ishin të vendosur të prodhonin një Bibël me kapak elastik e njëherazi me pamje dinjitoze, në vend që të ktheheshin te kapaku i ngurtë. Pasi provuan për katër muaj gjithfarë kombinimesh të ngjitësit dhe të materialit për veshjen e brendshme, gjetën një kombinim me të cilin mund të rifillonte prodhimi—kësaj here për Bibla me kapak elastik që nuk do të përdridhej.

Shtypja pezullohet prapë

Në shtator 2012, shtypshkronjat u udhëzuan të ndalnin shtypjen e botimit të atëhershëm, të shpërndanin gjithçka që kishin gjendje dhe të rrinin gati për të prodhuar botimin e rishikuar të Përkthimit Bota e Re. Ishte programuar që ai të dilte më 5 tetor 2013, në mbledhjen vjetore të Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania.

Shtypshkronjat e morën materialin elektronik për Biblën e re të premten, më 9 gusht 2013 dhe shtypja nisi të nesërmen. Bibla e parë e plotë u prodhua më 15 gusht. Gjatë shtatë javëve vijuese, punonjësit e shtypshkronjave në Uollkill dhe Ebina punuan ditë e natë me turne që të prodhoheshin e të transportoheshin mbi 1.600.000 Bibla. Kështu, çdokush që do të ndiqte programin e mbledhjes vjetore mund të merrte një kopje.

Bibla e re është e bukur dhe i reziston kohës, por mesazhi i saj jetëdhënës është akoma më i çmuar. Një ditë pasi mori Biblën e re, një grua nga Shtetet e Bashkuara shkroi: «Falë botimit të ri, arrij ta kuptoj më mirë Biblën.»