Kalo te përmbajtja

Estonia e konsideron «një arritje të madhe»

Estonia e konsideron «një arritje të madhe»

Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re në gjuhën estone ishte një ndër pretendentët për çmimin Arritja Gjuhësore e Vitit në Estoni për 2014-n. Nga 18 botimet e përzgjedhura, ai u rendit i treti në votimin përfundimtar.

Ky përkthim i ri i Biblës që doli më 8 gusht 2014, u propozua për këtë çmim nga gjuhëtarja Kristina Rosi që punon në Institutin e Gjuhësisë në Estoni. Ajo e përshkroi Përkthimin Bota e Re si «i lehtë dhe i këndshëm për t’u lexuar» dhe shtoi: «Gjithë puna që është bërë për këtë përkthim ka rritur ndjeshëm standartin e përkthimit në Estoni.» Rein Veidemani, profesor i letërsisë dhe i kulturës estone, e quajti këtë përkthim të ri «një arritje të madhe».

Përkthimi i parë i plotë i Biblës në estonisht doli në vitin 1739, dhe që atëherë kanë dalë edhe përkthime të tjera. Po pse e quajtën «një arritje të madhe» Përkthimin Bota e Re?

Është e saktë. Një Bibël e njohur estoneze e vitit 1988 e përkthen emrin e Perëndisë «Jehoova» (Jehova) mbi 6.800 herë në Shkrimet Hebraike (Dhiata e Vjetër), dhe kjo është e lavdërueshme. * Përkthimi Bota e Re në estonisht shkon edhe më tej: atje ku ka baza të forta, e përdor emrin hyjnor edhe në Shkrimet e Krishtere Greke (Dhiata e Re).

Është e qartë. Të bësh një përkthim edhe të saktë, edhe të rrjedhshëm është e vështirë. A e ka kapërcyer këtë vështirësi Përkthimi Bota e Re? Përkthyesi i respektuar i Biblës Tomas Pol shkroi në gazetën Eesti Kirik (Kisha e Estonisë) se Përkthimi Bota e Re «pa diskutim ka arritur të përkthehet në një estonishte të rrjedhshme». Ai shtoi: «Ju siguroj se është hera e parë që arrihet kjo gjë.»

Duke përfituar nga përkthimi në estonisht

Mënyra si e pritën estonët Përkthimin Bota e Re ishte e jashtëzakonshme. Një stacion kombëtar radiofonik mbajti një program prej 40 minutash kushtuar këtij botimi të ri. Si klerikët, ashtu edhe ata që shkojnë në kishë, kanë kontaktuar Dëshmitarët e Jehovait që të porositin kopje të këtij përkthimi. Një nga shkollat prestigjoze në Talin kërkoi 20 kopje të Përkthimit Bota e Re për ta përdorur në një orë mësimi. Estonët janë libradashës dhe Dëshmitarët e Jehovait janë të kënaqur që kanë nxjerrë për ta një përkthim të saktë e të qartë të librit më të mirë që është shkruar ndonjëherë.

^ par. 5 Pasi shpjegoi se si u arrit shqiptimi në estonisht i emrit hyjnor «Jehoova», Ain Ristani, drejtor i Studimeve për Dhiatën e re në Universitetin e Tartusë, tha në përfundim: «Mendoj se emri Jehoova është më se i përshtatshëm sot. Pavarësisht nga origjina, ai ka pasur . . . një kuptim mjaft të rëndësishëm e të thellë për shumë breza: Jehoova është emri i Perëndisë që dërgoi Birin e tij për të çliruar njerëzimin.»