Në Detin e Veriut, pranë bregut perëndimor të Shlezvig-Holshtajnit, Gjermani, rreth 300 njerëz jetojnë nëpër ishujt e vegjël e të shpërndarë që quhen Haligen. Si e dëgjojnë ata mesazhin e Biblës që predikojnë Dëshmitarët e Jehovait?​—Mateu 24:14.

Për të shkuar në disa ishuj Dëshmitarët përdorin tragetin. Por, për të takuar njerëzit që banojnë në ishuj të tjerë, një grup i vogël Dëshmitarësh përdorin një mënyrë tjetër​—ecin rreth pesë kilometra përgjatë shtratit të detit. Si ka mundësi?

Përfitojnë nga baticat dhe zbaticat

Sekreti qëndron te baticat dhe zbaticat. Me intervale pak a shumë 6-orëshe, niveli i Detit të Veriut në zonën e Haligenit ulet e ngrihet afro tre metra! Gjatë zbaticës, zbulohen sipërfaqe të mëdha të shtratit të oqeanit, dhe kjo bën të mundur që Dëshmitarët të shkojnë më këmbë në tre ishuj.

Si është ky udhëtim? Ulrishi, një udhërrëfyes me përvojë që drejton grupin, thotë: «Duhen gati 2 orë të shkosh në një nga ishujt Haligen. Zakonisht, ecim zbathur. Kjo është mënyra më efikase dhe e rehatshme për të kaluar shtratin e detit. Kur bën ftohtë veshim çizme.»

Skena mund të duket e pabesueshme. Ulrishi thotë: «Të duket sikur po ecën në një planet tjetër. Në disa pjesë shtrati i detit është si llucë, në pjesë të tjera është shkëmbor dhe në të tjera akoma, i mbuluar me barishte deti. Sheh një mori zogjsh deti, gaforre dhe kafshë të tjera.» Herë pas here grupi duhet të kalojë disa përrenj që krijohen gjatë baticës e zbaticës në breg, që në gjermanisht quhen prile.

Ata që bëjnë këtë udhëtim hasin vështirësi. Ulrishi paralajmëron: «Mund të humbasësh kollaj, sidomos kur bie mjegulla e detit. Prandaj përdorim busullën dhe pajisjen GPS. Gjithashtu, i përmbahemi një programi strikt që të mos na zërë batica.»

Po predikojnë në një nga ishujt Haligen

A ia vlejnë përpjekjet? Ulrishi tregon për një burrë në të 90-at që lexon rregullisht revistat Zgjohuni! dhe Kulla e Rojës: «Një ditë, kishim kaq pak kohë sa nuk e vizituam dot këtë burrë. Por, para se të niseshim, ai erdhi me biçikletë dhe na tha: ‘Nuk do të ma jepni revistën time Kulla e Rojës?’ Patjetër që ia dhamë me kënaqësi.»