Në Kanada fliten mbi 60 gjuhë aborigjene (vendëse) dhe, për rreth 213.000 kanadezë, njëra nga këto gjuhë është gjuha e tyre amtare.

Për të prekur zemrat e aborigjenëve, shumë Dëshmitarë të Jehovait kanë mësuar një nga këto gjuhë. Nga fundi i 2015-s mbi 250 veta përfunduan një kurs të gjuhëve aborigjene, që organizuan Dëshmitarët.

Përveç kësaj, Dëshmitarët e Jehovait kanë përkthyer botime të bazuara në Bibël, ku futen video të shkurtra, në tetë gjuhë aborigjene që fliten në Kanada: algonkuine, gjuha e fisit të këmbëzinjve, kri e fushave, kri e kënetës perëndimore, inuktitute, mohoke, odave dhe ojibue e veriut. *

Ata që mësojnë një gjuhë aborigjene, e pranojnë se mund të jetë sfidë. Karma thotë: «Kur fillova të ndihmoja skuadrën e përkthimit në gjuhën e fisit të këmbëzinjve, ishte si të punoja symbyllas. Nuk e njihja mirë gjuhën. As nuk dija të lexoja e as i kuptoja njerëzit kur flitnin.»

Terenci, që punon në skuadrën e përkthimit të krisë së kënetës perëndimore, thotë: «Shumë fjalë janë të gjata dhe të vështira për t’u shqiptuar.» Danieli, një predikues në kohë të plotë në ishullin Manitulin, Ontario, u shpreh: «Ekzistojnë fare pak fjalorë dhe libra gramatike. Mënyra më e mirë për të mësuar gjuhën odave është të gjesh një gjysh a gjyshe në komunitet që të të mësojë.»

A ia vlen e gjithë kjo punë e palodhur? Një grua që flet gjuhën ojibue, u shpreh se përpjekjet e Dëshmitarëve të Jehovait në këtë drejtim i dallojnë ata nga fetë e tjera. Ajo tha se Dëshmitarët i vizitojnë njerëzit nëpër shtëpi dhe u lexojnë Shkrimet në gjuhën ojibue, sepse duan që vendësit të ndihen më rehat për të diskutuar rreth Biblës.

Berti, një përkthyes që është rritur në rezervatin e Fisit të Gjakut në Albertë, vëren: «Kam parë disa nga këmbëzinjtë të shtrëngojnë fort në kraharor një botim dhe të thonë: ‘Kjo është gjuha ime. Kjo është për mua.’ Shpesh u mbushen sytë me lot kur shohin një video në gjuhën e tyre.»

Një grua që flet gjuhën kri, e vlerësoi jashtë mase videon Pse ta studiosh Biblën? në gjuhën e saj amtare. Tha se ndihej sikur po i fliste e ëma.

Bëhen përpjekje të mëdha

Shumë Dëshmitarë kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’ua çuar komuniteteve aborigjene mesazhin ngushëllues të Biblës. Terenci dhe e shoqja, Orleana, kujtojnë një nga këto udhëtime: «Ishim pjesë e një grupi që udhëtoi për rreth 12 orë në rrugët e akullta, që të predikonim në rezervatin Little Grand Rapids. Reagimi ishte i mahnitshëm.»

Të tjerë kanë lënë shtëpitë e tyre të rehatshme, që të jetojnë pranë këtyre komuniteteve. Danieli dhe e shoqja, Liana, vendosën të transferoheshin në ishullin Manitulin, pas një fushate predikimi tremujore atje. Danieli shpjegon: «Jemi të kënaqur që kemi më tepër kohë për të fituar besimin e vendësve dhe për t’i ndihmuar të njohin Perëndinë.»

«Sepse i kam vërtet për zemër»

Pse Dëshmitarët e Jehovait bëjnë përpjekje të veçanta për të ndihmuar aborigjenët? Roza, gruaja e Bertit, shpjegon: «Meqë jam aborigjene dhe meqë kam nxjerrë dobi vetë duke zbatuar parimet biblike, nxitem të ndihmoj të tjerët.»

Orleana pohon: «Dua që njerëzit që flasin gjuhën kri, të kenë mundësinë të udhëhiqen nga Krijuesi ynë. Është vërtet një privilegj t’i ndihmosh të bëhen miq me Jehovain dhe të përballojnë vështirësitë e sotme.»

Marku punon në skuadrën e përkthimit të gjuhës së këmbëzinjve. Pse i pëlqen të ndihmojë aborigjenët në komunitetin e tij? Ai përgjigjet: «Sepse i kam vërtet për zemër.»

^ par. 4 Disa nga këto gjuhë i flasin edhe aborigjenët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.