Të dielën më 5 janar 2014, Serzh Zherardini, ndërsa udhëtonte me autobus për në një asamble të Dëshmitarëve të Jehovait pranë Parisit, Francë, pa një aksident të tmerrshëm. Ai tregon: «Një makinë goditi barrierën prej betoni të një ure dhe fluturoi në ajër. Pastaj makina u përplas me urën, mori flakë dhe u kthye përmbys.»

Serzhi kishte më shumë se 40 vjet si zjarrfikës. Duke qenë përgjegjës i skuadrës së zjarrfikësve, reagimi i tij ishte i menjëhershëm. Ai kujton: «Ndonëse po udhëtonim në krahun tjetër të autostradës, i thashë shoferit të ndalte autobusin dhe vrapova drejt makinës që po digjej.» Serzhi dëgjoi britma: «Ndihmë! Ndihmë!» Ai thotë: «Isha me kostum e kollare dhe s’kisha asnjë pajim sigurie. Por nga ato britma kuptoja se kishte ende shpresë për të shpëtuar njerëz.»

Serzhi pa rrotull makinës, gjeti një pasagjer të trullosur dhe e largoi që aty. Ai vazhdon: «Më tha se në makinë kishte dy të tjerë. Në këtë moment kishin ndaluar disa makina, por për shkak të nxehtësisë së madhe dhe flakëve, njerëzit nuk afroheshin dot.»

Erdhën disa shoferë kamionësh me fikës zjarri. I zbrazën fikësit mbi automjetin sipas udhëzimeve të Serzhit, duke i shuar përkohësisht flakët. Shoferi kishte ngecur nën makinë. Prandaj, Serzhi dhe të tjerë që kishin ndaluar, e ngritën makinën dhe e tërhoqën shoferin jashtë.

«Në atë çast, u rindez vrullshëm zjarri»,—thotë Serzhi. Por një pasagjer tjetër qëndronte kokëposhtë, varur në rripin e sigurimit. Atëherë erdhi një zjarrfikës tjetër që nuk ishte me shërbim, me veshje lëkure që mbajnë motoçiklistët. Serzhi vazhdon: «I shpjegova se makina mund të shpërthente nga çasti në çast, prandaj vendosëm ta tërhiqnim personin nga krahët.» Më pak se një minutë më vonë, makina shpërtheu.

Kur mbërritën skuadra e zjarrfikësve dhe mjekët, u morën me të plagosurit dhe shuan zjarrin. Serzhit i dhanë ndihmën e shpejtë për të prerat dhe djegiet në duar. Kur po ngjitej në autobus për të shkuar në asamble, disa burra vrapuan drejt tij dhe e falënderuan.

Serzhi është i kënaqur që u ndodh atje për të ndihmuar. «Ndjeva se isha përgjegjës para Jehovait, Perëndisë tim, për ato jetë. Më vjen mirë që bëra diçka për t’i shpëtuar ata njerëz.»