Më 6 maj 2017 rreth 130 Dëshmitarë të Jehovait ndihmuan në pastrimin e pyllit të Brukoviçit në afërsi të Lvovit, Ukrainë. Vullnetarët, që ishin nga 22 deri në 80 vjeç, jetojnë dhe punojnë në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Ukrainë, e cila gjendet afër pyllit. Vetëm në tri orë ata pastruan 50 hektarë tokë dhe mblodhën rreth 600 kilogramë mbeturina.

Sipas Mihailo Splavinskit, kryeinxhinier në Qendrën për Mbarështimin dhe Shpimin në Pyllin e Lvovit, «Dëshmitarët e Jehovait ishin të parët që mbështetën pastrimin e përvitshëm të pyllit dhe kanë marrë pjesë çdo vit që prej 2014-s».

Pse kishte nevojë të pastrohej pylli?

«Pylli mbushet me plehra për dy arsye,​—shpjegon z. Splavinski.—​Së pari, sepse disa njerëz hedhin mbeturina. Dhe së dyti, sepse kamionët vijnë e shkarkojnë mbetjet e ndërtimit dhe mbeturina të tjera.»

Plehrat janë problem serioz për pyllin. Z. Splavinski thotë: ‘Plehrat duan shumë kohë të dekompozohen dhe ndotin ujin, duke shkaktuar probleme ekologjike.’ Mbeturinat prej qelqi intensifikojnë fuqinë e rrezeve të diellit, duke shkaktuar zjarre në pyje. Kurse copat e qelqit dhe shiringat e përdorura janë të rrezikshme, sidomos për fëmijët e vegjël. Ai shton: «Kur hiqen mbeturinat, problemet shmangen.»

Sigurisht të pastrosh një pyll prej 3.300 hektarësh, është një sfidë. Më tej z. Splavinski shpjegon: ‘Shteti ka caktuar vetëm pesë roja për gjithë pyllin, ndaj është e pamundur të pastrojmë një hapësirë kaq të madhe. Ja pse, një herë në vit, i bëjmë thirrje publikut të japë një dorë në pastrimin e pyllit.’

Mbledhin, klasifikojnë, eliminojnë

Të pajisur me doreza, qeska plastike dhe krehra, vullnetarët Dëshmitarë mbledhin shishe, goma makinash, xhama, mbetje metalike, letra, gjëra plastike dhe shiringa të përdorura. Si rrjedhojë, «zona për të cilën u kujdesën Dëshmitarët është shumë e pastër», thotë Ihor Fedaku, i cili punon si pylltar në këtë rajon.

Ndonëse ligji ende nuk kërkon klasifikimin e mbeturinave, vullnetarët i ndajnë sipas kategorive​—qelq, letër dhe plastikë—​dhe kjo ndihmon për riciklimin. Pastaj, mbeturinat përpunohen nga një kompani vendëse për eliminimin e mbetjeve. Që nga 2016-a Dëshmitarët kanë paguar vullnetarisht për eliminimin e mbeturinave që mbledhin. Z. Fedak u shpreh: ‘Falënderoj Dëshmitarët e Jehovait për ndihmën! Na japin goxha dorë.’

«Pastrimi nuk ma ul dinjitetin»

Dëshmitarët janë të kënaqur që mund të bëjnë pjesën e tyre në pastrimin e përvitshëm të pyllit. U pëlqen të kontribuojnë për mirëqenien e komunitetit dhe për një pyll të pastër. Shumë nga ata mendojnë njësoj si Volkeri, i cili u shpreh: «Pastrimi nuk ma ul dinjitetin. Kur bëj diçka për të tjerët, më sjell nder dhe kënaqësi.»

Anzhelika shton: «Për mua nuk ka rëndësi kush i ka hedhur mbeturinat, e rëndësishme është të bëj diçka për t’i hequr.» Në këtë fushatë mori pjesë edhe Loisa 78-vjeçare, e cila tha: «Në vend se të mërzitesh për mbeturinat që shikon kur del shëtitje, është më mirë t’i heqësh që aty.»

Vieslavi u shpreh: «Njerëzit zakonisht na shohin të veshur mirë e të kollarisur, gati për t’u folur për bindjet tona. Ama, ne jemi të gatshëm edhe të përveshim mëngët që të pastrojmë në pyll a të bëjmë punë të tjera në dobi të njerëzve.»