Të shtunën, më 1 mars 2014, një turmë e hareshme prej 823 personash u mblodh në Sallën e Asambleve të Dëshmitarëve të Jehovait, në qytetin e Beninit, për një rast historik në Nigeri. Që nga viti 1999, kur filloi nisma për të ndërtuar Salla Mbretërie në vende me të ardhura të kufizuara, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndërtuar 3.000 salla në atë vend.

Para

Mbledhja përfshinte një historik të shkurtër të punës që ishte bërë për të siguruar vende adhurimi për kongregacionet e Nigerisë që nga vitet 20 të shekullit të kaluar. Në fillim përdoreshin shtëpi private dhe salla të marra me qira. Dokumentimi më i hershëm i një vendi në Nigeri që u përdor ekskluzivisht për mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait, ishte një sallë e ndërtuar në qytetin e Ilesës, diku nga viti 1935. Mes viteve 1938-1990, numri i kongregacioneve u rrit nga 14 në 2.681, thuajse 200-fish, dhe shumë prej tyre e kishin tejet të vështirë të gjenin një vend për t’u mbledhur. Disa Salla Mbretërie përdoreshin secila nga gjashtë kongregacione. Në vende të tjera, salla nuk i nxinte gjithë të pranishmit—njerëzve u duhej të qëndronin jashtë e të dëgjonin nga dritaret. Ndërkohë, shumë kongregacione mblidheshin ende në shtëpi private dhe në klasa shkollash.

Më pas

Në vitin 1990, zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait nisi t’i jepte mbështetje ndërtimit të sallave duke dhënë hua përmes Fondit të Sallave të Mbretërisë. Deri në vitin 1997, Komitetet Rajonale të Ndërtimit kishin ndihmuar 105 kongregacione për të ndërtuar ose për të meremetuar sallat e tyre. Në vitet 1997-1999 u ndërtuan 13 salla, ku secila prej tyre u përfundua brenda 7 deri 15 ditëve.

Por, edhe ky ritëm ndërtimi nuk mjaftonte për të qenë në një hap me rritjen e numrit të Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri. Në prill të 1998-s, zyra e degës përllogariti se në Nigeri nevojiteshin 1.114 Salla Mbretërie.

Duke folur në mbledhjen e veçantë në qytetin e Beninit, Don Trosti, pjesëtar i Komitetit të Degës në Nigeri, i tha auditorit: «Ishte një punë kolosale! Pyesnim veten: ‘Si do të arrijmë ta përfundojmë?’» Që nga 1999-a, kjo pyetje mori përgjigje kur Grupet e Ndërtimit të Sallave të Mbretërisë, me nga gjashtë deri në tetë pjesëtarë, ndihmuan kongregacionet në mbarë vendin. Duke përdorur projekte të thjeshtuara, ata kanë ndërtuar mesatarisht 17 salla çdo muaj në 14 vitet e fundit.

Pasi e lavdëroi auditorin për atë që ishte arritur, vëlla Trosti vuri në dukje se ka ende shumë punë për të bërë. Gjatë vitit 2013, numri i Dëshmitarëve të Jehovait në Nigeri u rrit me mbi 8.000 veta. «Për të përballuar rritjen në të ardhmen, do të nevojiten edhe 100 Salla Mbretërie çdo vit»,—tha ai. Në vitin 2013, në Nigeri kishte një maksimum të ri prej 351.000 Dëshmitarësh në më tepër se 5.700 kongregacione.