Dyzet vjet më parë, më 2 shkurt 1973, në Uollkill, në Nju-Jork të SHBA-së, u instaluan makina shtypi të reja për të prodhuar revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni!

Dhjetë vjet më përpara Dëshmitarët e Jehovait kishin blerë atje një pronë për ta kthyer në fermë që të siguronin ushqim për personelin e selisë së tyre në Bruklin, Nju-Jork. Por tani, kjo pronë do të përdorej edhe për të prodhuar një tjetër lloj ushqimi, atë frymor.Mateu 24:45-47.

Fermat Watchtower në Uollkill, Nju-Jork, në fillim të viteve 70

Philip Wilcox, në atë kohë mbikëqyrësi i shtypshkronjës, kujton ditën e parë kur u vunë në punë makinat e shtypit në Uollkill: «Na u desh rreth një muaj për t’i montuar makinat rotative të shtypit me shpejtësi të lartë. Tani ishin gati dhe i provuam. Pa kaluar shumë, makineritë shtypën disa mijëra revista. I çuam në shtypshkronjën e Bruklinit dhe nga aty u dërguan me anije nëpër kongregacione që të plotësonin kërkesat e tyre. Ishim të vendosur të mos çonim dëm asnjë revistë.»

Dëshmitarët e Jehovait e ndërtuan këtë shtypshkronjë të re për të plotësuar punën marramendëse të shtypjes që atëherë bëhej në Bruklin. Në fillim të viteve 70 kërkesat për literaturë biblike tejkalonin vazhdimisht sasinë e literaturës që arrinin të prodhonin makinat gjatë ditës. Prandaj, shtypshkronja në Bruklin punonte edhe natën që të përballonte kërkesat.

Lart: Duke instaluar makinën e parë të shtypit MAN në Uollkill, në janar të 1973-shit. Poshtë: Duke futur letër në makinën e shtypit MAN

Kur përfundoi ndërtesa e parë e shtypshkronjës në Uollkill, kishte katër makina shtypi, një depo për dërgimin e literaturës dhe një Sallë Mbretërie. Megjithatë, para se të vihej plotësisht në punë, filluan punimet për një ndërtesë të dytë më të madhe ngjitur me të parën. Kërkesa për literaturë biblike ishte kaq e madhe, sa në ndërtesën e dytë u vendosën edhe gjashtë makina shtypi të tjera, madje para se ajo të përfundonte plotësisht.

Gjatë viteve teknologjia e shtypjes ka përparuar dhe kërkesat për literaturën tonë janë shtuar. Për t’u përshtatur me këto ndryshime, na është dashur ta modifikojmë dhe ta zgjerojmë disa herë shtypshkronjën në Uollkill. Në vitet 80 makinat e shtypit ofset me shpejtësi të lartë zëvendësuan makinat e vjetra tipografike.

Më 2004 shtypshkronja në Bruklin u mbyll dhe për herë të parë librat nisën të botoheshin në Uollkill. Më 2010 shtypja e revistave u zhvendos sërish në veri, kësaj here në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Kanada. Makineritë e reja atje mund të shtypin 200.000 revista në orë.

Lart: Përgatitin fashikuj për linjën e libralidhjes në Uollkill, 2005. Poshtë: Fermat Watchtower në Uollkill, Nju-Jork, 2013

Sot shtypshkronja në Uollkill është e pajisur me makineri automatike të kohëve të fundit dhe tepër të sofistikuara. Atje punojnë rreth 280 vullnetarë. Vitin e kaluar atje u botuan mbi 17 milionë libra dhe Bibla. Përveç shtypshkronjave në Uollkill, Kanada dhe Meksikë në Amerikën e Veriut, Dëshmitarët e Jehovait kanë edhe 12 shtypshkronja të tjera në Afrikë, Azi, Australi, Evropë dhe në Amerikën e Jugut. Ato ndihmojnë që të plotësohet nevoja frymore e miliona vetave.Mateu 5:3.