Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Parashikimet e Orës së Fundit të Botës nuk do të dalin të vërteta, sepse Perëndia premton një të ardhme të ndritur për njerëzimin dhe tokën

 TEMA KRYESORE | A ËSHTË BOTA JASHTË KONTROLLIT?

Çfarë thotë Bibla?

Çfarë thotë Bibla?

SHUMË shekuj më parë, Bibla e kishte parathënë zymtësinë e botës ku jetojmë sot. Për më tepër, ajo ka parashikuar në mënyrë specifike një të ardhme të ndritur për njerëzimin. Shumë profeci të Biblës tashmë janë përmbushur me hollësi mbresëlënëse, prandaj nuk duhet të nxitohesh për të hedhur poshtë atë që thotë ajo.

Për shembull, shqyrto profecitë vijuese nga Bibla:

  • «Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie e do të ketë mungesë ushqimi dhe tërmete nga njëri vend në tjetrin.»​—Mateu 24:7.

  • «Në ditët e fundit do të ketë kohë kritike, të vështira për t’u përballuar. Njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës.»​—2 Timoteut 3:1-4.

Këto profeci përshkruajnë një botë për të cilën disa mendojnë se po shkon keq e më keq. Në njëfarë kuptimi, bota ku jetojmë është vërtet jashtë kontrollit​—jashtë kontrollit të njerëzve. Sipas Biblës, njerëzit nuk e kanë mençurinë dhe fuqinë e duhur për të sjellë zgjidhje afatgjatë. Kjo theksohet në shkrimet vijuese:

  • «Ka një udhë që njeriut i duket e drejtë, por vdekja është fundi i saj.»​—Proverbat 14:12.

  • «Njeriu ka sunduar mbi njeriun në dëm të tij.»​—Eklisiastiu 8:9.

  • «Njeriut . . . nuk i takon as të drejtojë hapat e vet.»​—Jeremia 10:23.

Nëse njerëzit vazhdojnë të bëjnë çfarë të duan, ka shumë të ngjarë që bota të përballet me një katastrofë globale. Por kjo nuk do të ndodhë! Pse? Ja çfarë thotë Bibla:

  • ‘Perëndia e ka vendosur tokën mbi themele të forta; ajo nuk do të lëkundet asnjëherë, po, kurrën e kurrës.’​—Psalmi 104:5.

  • «Një brez shkon dhe një brez tjetër vjen, por toka qëndron përjetë.»​—Eklisiastiu 1:4.

  • «Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të.»​—Psalmi 37:29.

  • «Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»​—Psalmi 72:16.

 Këto mësime të Biblës japin përgjigje të qarta. Njerëzimi nuk do të shuhet nga ndotja, mungesa e ushqimit dhe e ujit ose nga një pandemi globale. Bota nuk do të shkatërrohet nga një holokaust bërthamor. Pse jo? Të ardhmen e planetit tonë e ka në dorë Zoti. Është e vërtetë se Ai i ka lejuar njerëzit ta ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë dhe të korrin pasojat e veprimeve të tyre. (Galatasve 6:7) Por bota nuk është si një tren komplet jashtë kontrollit, që po shkon drejt një fundi katastrofik. Perëndia ka vendosur kufij për dëmet që njerëzit i sjellin vetes.​—Psalmi 83:18; Hebrenjve 4:13.

Megjithatë Zoti do të bëjë edhe më tepër. Do të sjellë ‘paqe të pafund’. (Psalmi 37:11) Pikëpamja pozitive që shpjegohet në këtë artikull, është vetëm një rreze e vogël nga e ardhmja e ndritur që miliona Dëshmitarë të Jehovait kanë mësuar nga studimi i Biblës.

Dëshmitarët e Jehovait janë një komunitet mbarëbotëror që përbëhet nga burra e gra të çdo moshe e nga çdo prejardhje etnike. Ata adhurojnë të vetmin Perëndi të vërtetë, emri i të cilit është Jehova, siç tregohet në Bibël. Nuk i frikësohen së ardhmes, pasi Bibla thotë: «Kështu thotë Jehovai, Krijuesi i qiejve, Ai që është Perëndia i vërtetë, Formuesi i tokës dhe Bërësi i saj, Ai që e ka bërë të patundshme, që nuk e krijoi më kot, por e formoi që të banohej: ‘Unë jam Jehovai, dhe nuk ka asnjë tjetër.’»​—Isaia 45:18.

Në këtë artikull shqyrtuam disa mësime të Biblës për të ardhmen e tokës dhe të njerëzimit. Për më shumë informacione, shih mësimin 5 të broshurës Një lajm i mirë nga Perëndia, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait dhe që disponohet në www.jw.org

Mund të shohësh edhe videon Pse e krijoi Perëndia tokën?, e cila disponohet në www.jw.org. (Shih te BOTIME > VIDEO)