SHUMË qytete në lashtësi mbroheshin nga mure masive. Nëse armiku krijonte sikur edhe një të çarë të vogël në mur, rrezikohej i gjithë qyteti. Trupi ynë është pikërisht si një qytet i rrethuar me mure. Sa më shumë kujdes të bëjmë për t’u mbrojtur, aq më të shëndetshëm do të jemi. Le të shohim pesë faktorë që na ekspozojnë ndaj sëmundjeve. Gjithashtu do të shohim si të mbrohemi sa më mirë brenda mundësive.

1 UJI

RREZIKU: Organizmat e dëmshëm mund «të marshojnë» drejt e në trup nëpërmjet ujit të ndotur.

SI TË MBROHEMI: Gjëja më e mirë është ta mbrojmë ujin nga ndotja. Nëse dimë ose dyshojmë që uji është i ndotur, mund ta trajtojmë në shtëpi. * Uji i pijshëm duhet mbajtur në enë të mbyllura dhe duhet mbushur me garuzhdë të pastër ose nëpërmjet një rubineti. S’duhet t’i futim kurrë duart në ujin e pastër. Nëse është e mundur, të përpiqemi të jetojmë në një lagje ku ujërat e zeza kanalizohen në atë mënyrë që të mos ndotin ujin e pastër.

2 USHQIMI

RREZIKU: Organizmat e dëmshëm mund të jenë në ushqim ose mbi të.

SI TË MBROHEMI: Edhe pse mund të duken të freskëta dhe me vlera, ushqimet mund të jenë të ndotura. Prandaj ta bëjmë zakon t’i lajmë mirë të gjitha frutat dhe perimet. Të sigurohemi që enët e kuzhinës, banakun dhe duart t’i kemi të pastra kur gatuajmë ose kur shërbejmë ushqimin. Disa ushqime duhen gatuar në një temperaturë të caktuar që të shkatërrohen mikrobet e rrezikshme. Duhet bërë kujdes me ushqimet që kanë ndryshuar ngjyrë ose që kanë erë a shije të pakëndshme, shenja që një ushtri mikroorganizmash na ka ngritur pusi. Ushqimet e mbetura duhet t’i futim në frigorifer sa më shpejt të jetë e mundur. S’duhet të përgatitim ushqime për të tjerët kur jemi sëmurë. *

 3 INSEKTET

RREZIKU: Disa insekte mund të na transmetojnë mikroorganizmat e dëmshëm që mbartin.

SI TË MBROHEMI: Të mos ekspozohemi ndaj insekteve që mbartin sëmundje, duke mos dalë kur ato janë vërdallë ose duke veshur rroba që na mbrojnë, si bluza me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata. Është mirë të flemë poshtë rrjetave që kanë ilaç kundër insekteve dhe të lyhemi me ilaç kundër tyre. Të eliminojmë enët me ujë të ndenjur ku mund të shumohen mushkonjat. *

4 KAFSHËT

RREZIKU: Mikrobet që jetojnë te kafshët pa u shkaktuar probleme, mund të të kërcënojnë shëndetin. Nëse na kafshon ose na gërvisht një kafshë shtëpiake a ndonjë kafshë tjetër ose nëse ekspozohemi ndaj jashtëqitjes së tyre, kjo mund të përbëjë rrezik.

SI TË MBROHEMI: Disa i mbajnë kafshët jashtë shtëpisë që të kenë sa më pak kontakt me to. Duhet t’i lajmë duart pasi prekim një kafshë shtëpiake dhe duhet të shmangim çdo kontakt me kafshët e egra. Nëse na kafshojnë ose na gërvishtin, duhet ta lajmë mirë plagën dhe të kërkojmë këshilla nga një mjek. *

5 NJERËZIT

RREZIKU: Disa mikrobe mund të mësyjnë në trupin tonë nëpërmjet piklave të vockla të kollitjes ose të teshtimës. Ato përhapen edhe nëpërmjet kontaktit fizik, si përqafimi ose shtrëngimi i duarve. Dorezat e dyerve, parmakët anës shkallëve, telefonat, pultet e komandimit ose monitorët dhe tastierat e kompjuterëve gëlojnë nga mikroorganizmat e lënë nga të tjerët.

SI TË MBROHEMI: S’duhet të përdorim gjërat e njëri-tjetrit, si brisqet, furçat e dhëmbëve ose peshqirët. Duhet të shmangim kontaktin me lëngjet trupore të kafshëve apo të njerëzve, përfshirë gjakun dhe produkte që kanë në përbërje gjakun. Dhe të mos nënvlerësojmë larjen e mirë dhe të shpeshtë të duarve. Kjo është ndoshta mënyra më e efektshme për të ndaluar përhapjen e mikrobeve.

Kur është e mundur, të qëndrojmë në shtëpi nëse jemi të sëmurë. Qendrat Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve këshillojnë që, kur kollitemi ose teshtijmë, të vëmë para një shami ose krahun, por jo duart.

Një proverb i lashtë thotë: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet.» (Proverbat 22:3) Sa të vërteta janë këto fjalë sot, në një botë plot me sëmundje që mund të jenë të rrezikshme! Prandaj të përfitojmë nga informacionet e dhëna nga shërbimet shëndetësore të vendit dhe t’i fshihemi rrezikut, duke mbajtur higjienë të mirë. Le të forcojmë radhët e mbrojtjes për shëndetin dhe të ulim rrezikun e sëmundjeve!

^ par. 6 Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon disa metoda për të përmirësuar cilësinë e ujit në shtëpi, si përdorimin e klorit, dezinfektimin solar, filtrimin dhe zierjen.

^ par. 9 Për të mësuar më shumë si të kujdesemi për ushqimet, shih revistën Zgjohuni! të qershorit 2012, faqet 3-9.

^ par. 12 Për metoda specifike kundër malaries, shih revistën Zgjohuni! të korrikut 2015, faqet 14-15.

^ par. 15 Në rast lëndimi nga një kafshë helmuese, zakonisht kërkohet urgjentisht kujdes mjekësor.