VËSHTIRËSIA

Burri thotë: «Kur u martuam, unë dhe gruaja kishim pikëpamje të ndryshme për respektin. As pikëpamja e saj, as imja nuk ishin të gabuara, ishin thjesht të ndryshme. Shpesh mendoja se ime shoqe duhet të më respektonte më shumë me mënyrën si më fliste.»

Gruaja thotë: «Në kulturën ku u rrita, flitnim me zë të lartë, përdornim shprehje fytyre dramatike dhe i ndërpritnim të tjerët kur flitnin. Për ne nuk ishin mungesë respekti. Mirëpo, burri im ishte rritur në një ambient komplet tjetër.»

Respekti në martesë nuk është luks; është domosdoshmëri. Si të tregosh se e respekton bashkëshortin?

Ç’DUHET TË DISH

Burrat sidomos kanë nevojë për respekt. Bibla u thotë burrave: «Secili nga ju ta dojë gruan si veten.» Pastaj shton: «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.» (Efesianëve 5:33) Edhe pse si burrat, edhe gratë kanë nevojë të ndiejnë se i duan e i respektojnë, burrat në veçanti ndihen mirë kur i respekton. Një burrë me emrin Karlos *, thotë: «Burrat kanë nevojë të ndihen se mund t’i përballojnë situatat, t’i zgjidhin problemet dhe të kujdesen për familjen.» Kur gruaja e respekton të shoqin për këto aftësi, nxjerrin dobi të dy. Një grua me emrin Korinë, shprehet: «Ç’është e vërteta, im shoq ma shfaq më shumë dashurinë kur unë i shfaq respekt.»

Sigurisht, edhe gratë kanë nevojë për respekt. Kjo është logjike, pasi burri vështirë ta dojë vërtet gruan nëse së pari nuk e respekton. Danieli thotë: «Duhet t’i respektoj mendimet dhe sugjerimet e gruas. Gjithashtu, duhet të respektoj ndjenjat e saj. Fakti që nuk e kuptoj pse ndihet ashtu, nuk do të thotë se mund t’i shpërfill ndjenjat e saj.»

Respekti është çështje pikëpamjeje. Nuk ka rëndësi nëse ti mendon se tregon respekt, puna është a ndihet i respektuar bashkëshorti. Këtë mësim nxori gruaja e përmendur në fillim të artikullit poshtë nëntitullit «Vështirësia». Ajo shprehet: «Nuk mendoja se s’po e respektoja burrin, por nëse ai nuk ndihej i respektuar, atëherë isha unë që duhej të ndryshoja.»

 Ç’MUND TË BËSH

  • Shkruaj tri gjëra që admiron te bashkëshorti. Cilësitë e admirueshme që gjen tek ai, mund të jenë themeli mbi të cilin do të ndërtosh respektin.

  • Për një javë vëre si je ti (jo bashkëshorti) në këto aspekte.

Fjalët. Nga një studim i bërë me çiftet, u kuptua se «bashkëshortët në martesat e lumtura e të forta, ndërsa sqaroheshin për një mosmarrëveshje, përmendnin pesë gjëra të mira të bashkëshortit për një gjë negative të tij. Ndryshe nga këta, çiftet që po shkonin drejt divorcit përmendnin më pak se një (0,8) gjë të mirë për një gjë negative të tij». *Parimi biblik: Proverbat 12:18.

Pyet veten: «A i flas me respekt bashkëshortit? Më shpesh i bëj kritika apo komplimente? Me ç’ton zëri ia shpreh vërejtjet ose ankesat?» A do të ishte dakord bashkëshorti me përgjigjet e tua?Parimi biblik: Kolosianëve 3:13.

Provo këtë: Vër synim që burrit a gruas t’i bësh të paktën një kompliment në ditë. Sugjerim: kthehu te cilësitë e admirueshme që veçove më parë. Bëje zakon t’i tregosh bashkëshortit çfarë vlerëson tek ai ose tek ajo.Parimi biblik: 1 Korintasve 8:1.

Veprimet. Një grua që quhet Alisa, thotë: «Kaloj shumë kohë me punët e shtëpisë dhe, kur im shoq i respekton përpjekjet e mia, duke mos i lënë gjërat rrëmujë ose duke larë enët e veta, ndiej se ia ka vlejtur puna dhe se kam një rol të rëndësishëm në martesë.»

Pyet veten: «Mënyra si e trajtoj bashkëshortin, a tregon qartë se e respektoj? A i kushtoj kohë dhe vëmendje sa duhet?» A do të ishte dakord bashkëshorti me përgjigjet e tua?

Provo këtë: Shkruaj tri fusha në të cilat dëshiron që bashkëshorti të të respektojë. Nxite bashkëshortin të bëjë njësoj. Pastaj shkëmbeni listat që secili të punojë për të treguar respekt në fushat që përcaktuat. Përqendrohu te nevoja që ke ti për të treguar respekt. Kur fillon njëri, ka të ngjarë që edhe tjetri të veprojë po njësoj.

^ par. 8 Në këtë artikull, disa emra janë ndryshuar.

^ par. 14 Nga libri Ten Lessons to Transform Your Marriage.