Edhe ata që kanë probleme me përpikërinë, mendojnë se përpikëria është gjë e mirë. Bibla jep mençuri praktike për këtë temë.

Sa e rëndësishme është përpikëria?

PSE KA RËNDËSI:

Disa kanë parë se kur shkon pak më herët në një takim, ke më pak stres. Përpikëria është edhe një plus për reputacionin. Si ka mundësi?

Përpikëria tregon se je i zoti. Kur je në kohë, tregon se përpiqesh ta kontrollosh ti jetën, në vend që të lejosh rrethanat të të nxjerrin pengesa për të bërë gjërat që do.

Përpikëria tregon se je i besueshëm. Në një shoqëri ku shpesh nuk mbahen premtimet dhe shpërfillen angazhimet, njerëzit i vlerësojnë ata që e mbajnë fjalën. Njerëzit e besueshëm fitojnë respektin e miqve dhe të familjes. Punëdhënësit i vlerësojnë ata që mbërrijnë në kohë në punë dhe respektojnë afatet. Punëtorët e besueshëm mund të shpërblehen me rrogë më të mirë dhe u besohet më shumë.

ÇRARË THOTË BIBLA:

Në Shkrime ka disa pjesë që flasin për përpikërinë. Për shembull, Bibla thotë: «Çdo gjë le të ndodhë si ka hije dhe me rregull.» (1 Korintasve 14:40) Kur të dy palët bien dakord të takohen në një kohë e vend të caktuar, është e hijshme dhe e përshtatshme të jenë të përpiktë. Bibla thotë edhe: «Për çdo gjë ka një kohë të caktuar, ka një kohë për çdo punë nën qiej.» (Eklisiastiu 3:1) Konteksti i këtij vargu thotë se ka «një kohë për të mbjellë dhe një kohë për të shkulur». (Eklisiastiu 3:2) Bujqit mbjellin tamam në kohën e duhur, që të marrin të korrat më të mira të mundshme. E thënë ndryshe, kur ata janë të përpiktë, korrin rezultate të mira.

Bibla jep një arsye më fisnike për përpikërinë: tregon respekt për të tjerët e për kohën e tyre të çmuar. (Filipianëve 2:3, 4) Në kontrast me këtë, ata që vazhdimisht i lënë të tjerët të presin, në fakt po u vjedhin kohën.

«[Shihni] me interes jo vetëm çështjet tuaja, por edhe ato të të tjerëve.»Filipianëve 2:4.

 Ç’mund të bësh që të jesh i përpiktë?

ÇFARË THOTË BIBLA:

Bibla na nxit të planifikojmë që më parë. (Proverbat 21:5) Nëse shpesh shkon me vonesë në takime, ndoshta programi yt është tepër i ngjeshur. Pse të mos i heqësh gjërat e panevojshme që të harxhojnë kohë? Lër më shumë kohë ndërmjet punëve dhe syno t’i nisësh herët. Kështu do të kesh kohë për të papriturat, si trafiku i rënduar ose moti i keq.

Bibla na nxit edhe të jemi modestë. (Proverbat 11:2) Kjo do të thotë të njohësh kufizimet e tua. Duke pasur parasysh programin tënd, mendohu mirë para se të biesh dakord për ndonjë takim ose afat. Kur planifikon më shumë se ç’mund të bësh, shtohet stresi dhe acarimi, si për ty, edhe për të tjerët.

Bibla na këshillon edhe që ta përdorim sa më mirë kohën. (Efesianëve 5:15, 16) Jepu përparësi gjërave më të rëndësishme. (Filipianëve 1:10) Ose, kur përdor transportin publik apo kur pret të tjerët, shfrytëzoje kohën duke lexuar ose duke bërë plane për pjesën tjetër të ditës.

«Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim.»Proverbat 21:5.