Peshku-klloun portokalli

TË PAKTË janë peshqit që bien në sy ashtu si peshku-klloun. Ndoshta na bën për vete me ngjyrat festive, që të kujtojnë kllounin e cirkut. Ose mbase na habit vendi që zgjedh për t’u strehuar: mes tentakulave pickuese të anemonës së detit. Ja pse në disa gjuhë quhet ndryshe peshku i anemonës.

Ashtu si shumë aktorë Hollivudi, peshkut-klloun i pëlqen të jetë objekt i paparacëve. Palombarët dhe zhytësit zakonisht presin që ai të pozojë para aparateve fotografike, meqë rrallë ikën larg shtëpisë dhe nuk është edhe aq i ndrojtur.

Por, ajo që e bën të jashtëzakonshëm peshkun-klloun, është jeta e tij në dukje e rrezikshme mes tentakulave helmuese, që është si ta ngresh shtëpinë në një fole gjarpërinjsh. E megjithatë, peshku-klloun dhe anemona që zgjedh, bëhen të pandashëm. Çfarë e bën të mundur e të suksesshëm këtë partneritet të çuditshëm?

‘S’JETOJ DOT PA TY!’

Peshku-klloun me dy vija

Ashtu si shumë partnerë të mirë, ai dhe anemona jetojnë në simbiozë. Për peshkun-klloun kjo marrëdhënie nuk është  thjesht e leverdisshme; është jetësore. Biologët e detit mbështetin faktin që peshku-klloun nuk mund të jetojë në natyrë pa strehimin që i ofron anemona. Nuk shquhet si notar i madh dhe, pa mbrojtjen e anemonës, do të ishte pre e lehtë e grabitqarëve të uritur. Ama duke pasur anemonën si bazë strehimi dhe si mbrojtje në rast sulmi, peshku-klloun mund të jetojë deri në dhjetë vjet.

Anemona i bëhet edhe strehë mbrojtjeje, edhe shtëpi. Peshku-klloun i shtron vezët rrëzë anemonës, ku të dy prindërit i ruajnë me kujdes. Më vonë sheh gjithë familjen teksa notojnë përreth së njëjtës anemonë.

Po anemona, çfarë përfiton nga kjo marrëdhënie? Peshku-klloun bëhet truprojë për të, sepse largon peshkun-flutur që ushqehet me tentakulat e anemonës. Të paktën një lloj anemone nuk jeton dot pa peshkun-klloun. Një herë, kur studiuesit larguan peshqit-kllounë, anemonat u zhdukën komplet brenda 24 orësh. Me sa duket, peshku-flutur i kishte gllabëruar.

Duket se peshku-klloun i jep edhe energji mikpritëses së tij. Amoni që sekreton peshku-klloun, ndihmon në rritjen e anemonës. Dhe, ndërsa peshku-klloun noton mes tentakulave të anemonës, qarkullon ujin e pasur me oksigjen.

NOTOJNË ATJE KU TË TJERËT KANË FRIKË

Peshku-klloun rozë

Peshku-klloun mbrohet me anë të lëkurës. Mukoza e lëkurës së tij i mban larg pickuesit. Me sa duket, falë kësaj shtrese kimike, anemona e konsideron peshkun-klloun si pjesë të sajën. Si vërejti një biolog detar, peshku-klloun bëhet «peshk me lëkurë anemone».

Disa studiues mendojnë se, kur zgjedh një shtëpi të re, ai duhet të kalojë procesin e përshtatjes. Është vërejtur se, kur i afrohet anemonës për herë të parë, e prek herë pas here për disa orë. Me sa duket, ky kontakt i herëpashershëm i jep mundësi të përshtatë veshjen mbrojtëse ndaj ndonjë helmi të veçantë të anemonës. Ka gjasa që peshku-klloun të pickohet pak gjatë këtij procesi. Mirëpo, pas kësaj, shkojnë mirë me njëri-tjetrin.

Nga bashkëpunimi mes krijesave kaq të ndryshme nxjerrim një mësim të jashtëzakonshëm për punën në skuadër. Në shumë bashkëpunime njerëzore, njerëz nga kultura e formime të ndryshme arrijnë rezultate të jashtëzakonshme kur japin nga vetja. Njësoj si peshku-klloun, mund të na duhet pak kohë për t’u përshtatur teksa punojmë me të tjerët, ama në fund ia vlen.