MBI 2.300 vjet më parë Aristoteli dha një kontribut të madh në shkencë e filozofi. Veprat e tij kanë ngjallur interes dhe janë përkthyer e studiuar gjerësisht. Profesori i historisë Xhejms Meklaklan shkroi se «pikëpamjet e Aristotelit për natyrën mbizotëruan në kulturën evropiane për thuajse 2.000 vjet». Disa nga pikëpamjet e Aristotelit ndikuan edhe në mësimet e katolicizmit, të protestantizmit dhe të islamizmit.

Një gamë e gjerë interesash

Aristoteli shkroi për artin, astronominë, biologjinë, etikën, gjuhën, ligjin, logjikën, magnetizmin, metafizikën, lëvizjen, kënaqësinë, poezinë, politikën, psikologjinë e retorikën, si edhe për shpirtin, që e konsideronte të vdekshëm. Megjithatë, ai njihet kryesisht për kontributin në biologji dhe në logjikë.

Për të shpjeguar natyrën, studiuesit e lashtë grekë mbështeteshin në aftësitë e tyre për të vëzhguar, për të arritur në përfundime në bazë të arsyetimit dhe për të logjikuar. Duke përdorur si pikënisje të vërtetat që i konsideronin të dukshme, ata besonin se, po të arsyetonin me kujdes për këto të vërteta, pak nga pak do të arrinin në përfundime të sakta.

Bazuar në këtë filozofi, arritën vërtet në disa përfundime të sakta, një prej të cilave ishte rregulli që ka në themel universi. Megjithatë, një problem i madh ishte se duhej të mjaftoheshin vetëm me atë që shihnin me sy të lirë, ngaqë nuk kishin mjete vëzhgimi. Për shkak të kësaj, shumë burra mendjendritur, përfshirë Aristotelin, arritën në përfundime të gabuara. Për shembull, ata besonin se planetët  dhe yjet rrotulloheshin rreth tokës. Në atë kohë, kjo mendohej se ishte një e vërtetë që flet vetë. Një libër thotë: «Si arsyeja, edhe përvoja, me sa duket mbështetnin pikëpamjen greke se toka ishte në qendër të universit.»​—The Closing of the Western Mind.

Kjo pikëpamje e gabuar nuk do të kishte shumë pasoja po të kishte mbetur vetëm brenda sferës së shkencës. Por, ajo shkoi edhe më tej.

Katolicizmi përqafon pikëpamjet e Aristotelit

Në Evropën «e krishterë» të mesjetës, disa nga mësimet e Aristotelit fituan statusin e të vërtetave të pranuara gjerësisht si të sakta. Teologë katolikë romakë, sidomos Tomas Akuini (rr. 1224-1274), futën në teologjinë e tyre shkrimet e Aristotelit. Kështu, ideja e Aristotelit se toka është në qendër të universit u kthye në një dogmë katolike. Këtë mësim e përqafuan edhe krerët e protestantizmit, si Kalvini dhe Luteri, që thanë se ishte biblike.​—Shih kutinë « Ishin studiues ‘tepër të mirë’ të Biblës».

Disa nga mësimet e Aristotelit fituan statusin e të vërtetave të pranuara gjerësisht

«Në disa fusha të mendimit, [mësimet e Aristotelit] dhe katolicizmi u bënë një»,​—tha shkrimtari Çarls Frimen. Pra, thuhet se Akuini «e pagëzoi» Aristotelin si katolik. Por, në realitet, siç shkruan Frimeni, «ishte Akuini që u bë ithtar i Aristotelit». Dhe mund të themi se deri diku edhe kisha u bë ithtare e tij. Si rrjedhojë, Galileos, astronomit dhe matematicienit italian, që guxoi të paraqiste prova të bazuara në vrojtime se toka rrotullohej rreth diellit, i kërkuan të dilte para Inkuizicionit dhe e detyruan ta mohonte zbulimin e tij. * Si për ironi, Aristoteli pranoi se njohuria shkencore është progresive dhe duhet rishikuar. Ah, sikur kishat të kishin pasur të njëjtën pikëpamje!

^ par. 11 Për më tepër, shih artikullin «Konflikti i Galileos me kishën» në revistën Zgjohuni! të 22 prillit 2003.