PROFESORI Rajesh Kalaria, nga Universiteti i Njukasllit, Angli, e ka studiuar trurin e njeriut për më tepër se 40 vjet. Më përpara ai besonte tek evolucioni, por ndryshoi mendim. Zgjohuni! i bëri disa pyetje për punën dhe besimin e tij.

Të lutemi, na trego diçka për formimin tënd fetar

Babai lindi në Indi, kurse nëna, megjithëse kishte origjinë indiane, lindi në Ugandë. Jeta e tyre ndikohej jashtë mase nga zakonet hinduiste. Unë jam i dyti nga tre fëmijët. Jetuam në Najrobi, Kenia dhe në zonat përreth jetonin edhe shumë hinduistë të tjerë.

Pse filloi të të interesonte shkenca?

Gjithmonë më kanë pëlqyer kafshët dhe shpesh shkoja për ecje të gjata e kamping bashkë me shokët për të shijuar botën e egër spektakolare. Fillimisht doja të bëhesha veteriner. Por, pasi mbarova një shkollë të lartë teknike në Najrobi, shkova në Angli për të studiuar patologji në Universitetin e Londrës. Më vonë u specializova në studimin e trurit të njeriut.

A ndikuan studimet në bindjet e tua fetare?

Po. Sa më shumë e studioja shkencën, aq më të vështirë e kisha t’i besoja traditat dhe mitologjinë hinduiste, siç është adhurimi i kafshëve dhe i shëmbëlltyrave.

Pse e pranove evolucionin?

Kur isha i ri, shumë veta përreth mendonin se evolucioni i njeriut nisi në Afrikë, dhe shpesh diskutonim për këtë në shkollë. Gjithashtu, mësuesit dhe profesorët në universitet na linin përshtypjen se të gjithë shkencëtarët e njohur besonin tek evolucioni.

 Më vonë fillove të mendoje sërish për origjinën e jetës. Pse?

Tashmë kisha disa vjet që studioja për biologji dhe anatomi kur një shok shkolle më tregoi çfarë po mësonte nga Bibla me Dëshmitarët e Jehovait. U bëra kureshtar. Kështu, kur Dëshmitarët mbajtën një asamble në sallën e universitetit në Najrobi, shkova edhe unë. Më vonë dy misionare Dëshmitare më shpjeguan disa mësime biblike. Besimi i tyre se ekziston një Projektues i Madh që ka përgjigjet për pyetjet e rëndësishme të jetës, nuk më tingëlloi mitologjik. Më pëlqeu, pasi m’u duk i arsyeshëm.

A të pengoi njohuria në fushën e mjekësisë që të besoje te krijimi?

Aspak! Teksa studioja anatominë, vëreja se gjallesat janë tepër të mirëprojektuara dhe komplekse. Nuk kishte më kuptim që për këto gjallesa kaq të sofistikuara, t’ia jepja meritat një procesi të rastësishëm.

A mund të na japësh një shembull?

E kam studiuar trurin e njeriut që në fillim të viteve 70, dhe ky organ i jashtëzakonshëm më ka mahnitur gjithmonë. Është qendra e mendimeve dhe e kujtesës, si edhe «kulla e kontrollit» e shumë funksioneve të trupit. Gjithashtu, truri është qendra e shumë shqisave që interpreton informacionet të cilat vijnë nga brenda e nga jashtë trupit.

Arsyeja e mirëfunksionimit të trurit varet kryesisht nga reaksionet kimike komplekse dhe nga rrjetet marramendëse të neuroneve, qelizat bazë të trurit. Truri i njeriut ka miliarda neurone. Ato i dërgojnë informacione njëri-tjetrit nëpërmjet fijeve të gjata që quhen aksone dhe marrin informacione nëpërmjet dendriteve. Falë këtyre dendriteve zgjatuese, një neuron i vetëm mund të krijojë mijëra lidhje me neuronet e tjera. Si rezultat, numri total i lidhjeve në tru është astronomik. Për më tepër, ky «pyll» tejet i dendur i neuroneve dhe i dendriteve nuk është kaotik, por jashtëzakonisht i saktë. Është si një «rrjet instalimesh elektrike» goxha i ndërlikuar.

Na e shpjego të lutemi

Ky rrjet zhvillohet në një mënyrë tepër të rregullt gjatë rritjes së foshnjës në bark, si edhe pas lindjes. Neuronet dërgojnë fije drejt neuroneve të caktuara, që mund të jenë disa centimetra larg​—një distancë tejet e madhe kur bëhet fjalë për qelizat. Meqë ra fjala, shënjestra e një fijeje mund të mos jetë thjesht një qelizë specifike, por një pjesë specifike e kësaj qelize.

Teksa fija e re del nga një neuron, orientohet nga tabela kimike që i thonë «stop!», «kalo!» ose «kthehu!», derisa ajo të shkojë në destinacion. Po të mos kishin këto udhëzime të qarta, këto fije do ta humbnin rrugën shumë shpejt. I gjithë procesi drejtohet në mënyrë brilante, duke filluar me udhëzimet e shkruara në ADN.

Prapëseprapë kemi njohuri mjaft të kufizuar për mënyrën si zhvillohet dhe si funksionon truri, ku përfshihet mënyra si formohen kujtimet, emocionet dhe mendimet. Për mua, vetëm fakti që truri punon​—pa përmendur sa mirë punon dhe sa bukur zhvillohet​—tregon se ekziston një Krijues shumë më inteligjent se ne.

Pse u bëre Dëshmitar i Jehovait?

Dëshmitarët më treguan prova se Bibla është Fjala e Perëndisë. Për shembull, megjithëse Bibla nuk është libër shkencor, kur flet për çështje shkencore, është gjithmonë e saktë. Përmban edhe profeci të sakta. Gjithashtu ua përmirëson jetën atyre që i ndjekin mësimet e saj. Vetë unë jam një provë e gjallë. Që kur u bëra Dëshmitar i Jehovait në vitin 1973, Bibla ka qenë udhërrëfyesja ime. Si rezultat, tani bëj një jetë vërtet të kënaqshme dhe me një qëllim.