VËSHTIRËSIA

Shpesh çiftet i kalojnë vështirësitë më të mëdha pasi fëmijët rriten e largohen nga shtëpia. Kur shtëpia mbetet bosh, mund të ndihen thuajse si të huaj. Geri Njumani, specialist në fushën e familjes, shkruan: «Këshilloj shumë veta që nuk dinë si të rilidhen emocionalisht me bashkëshortët. Tani që fëmijët janë larguar, [prindërve] u mbeten fare pak gjëra për të bërë së bashku ose për të folur me njëri-tjetrin.» *

A e përshkruan kjo deri në njëfarë mase martesën tënde? Nëse po, mund t’i vësh gjërat në vijë sërish. Megjithatë, në fillim shqyrto disa faktorë që mund të të kenë larguar nga bashkëshorti.

PSE NDODH

Për vite me radhë fëmijët zinin vendin e parë. Nisur nga motive të mira, shumë prindër vënë nevojat e fëmijëve para nevojave të martesës. Prandaj mësohen kaq shumë me rolin e babait dhe të nënës, saqë humbasin lidhjen si burrë e grua​—një fakt që bie menjëherë në sy me t’u larguar fëmijët. Një grua 59 vjeçe thotë: «Kur fëmijët jetonin me ne, të paktën bënim disa gjëra bashkë.» Megjithatë pranon se, pasi ata u larguan nga shtëpia, «secili nga ne shihte hesapin e vet». Madje, në njëfarë pike i tha të shoqit: «S’të duroj dot!»

Disa çifte s’janë gati për t’u përshtatur me këtë fazë të re të jetës. Ka çifte që ndihen si të huaj me njëri-tjetrin. Ndjesia se kanë fare pak gjëra të përbashkëta, i shtyn shumë bashkëshortë të bëjnë jetën e vet, duke jetuar si shokë dhome e jo si të martuar.

Megjithatë ka shpresë, ju mund t’i shmangni këto gracka​—madje ta shijoni​—këtë kapitull të ri të jetës. Bibla mund t’ju ndihmojë për këtë. Le të shohim si.

 Ç’MUND TË BËSH

Jini të vendosur të pranoni ndryshimin. Për fëmijët e rritur, Bibla thotë: «Burri do të lërë babanë dhe nënën.» (Zanafilla 2:24) Si prindër, qëllimi juaj ishte t’i stërvitnit fëmijët për këtë moment, pra t’i ndihmonit të zhvillonin aftësi që do t’i bënin të rritur të përgjegjshëm. Prandaj, largimi i tyre duhet t’ju bëjë krenarë dhe me të drejtë.​—Parimi biblik: Marku 10:7.

Sigurisht, për fëmijët tuaj, do të mbeteni gjithmonë prindër. Gjithsesi, tani më shumë sesa drejtues jeni këshillues. Falë kësaj marrëdhënie të re do të ruani një lidhje të ngushtë me fëmijët tuaj ndërsa vini bashkëshortin në vend të parë. *​—Parimi biblik: Mateu 19:6.

Fol për gjërat që të shqetësojnë. Fol me bashkëshortin si po ndikojnë te ti këto ndryshime, dhe ji gati ta dëgjosh kur shprehet si ndihet. Ji i duruar dhe trego mirëkuptim. Mbase duhet kohë për të forcuar lidhjen në çift, ama ia vlen barra qiranë.​—Parimi biblik: 1 Korintasve 13:4.

Bëni gjëra të reja së bashku. Flitni për synimet e përbashkëta ose për gjërat që ju pëlqen të bëni. Rritja e fëmijëve ju ka pasuruar me plot mençuri praktike. Pse të mos e përdorni për të ndihmuar të tjerët?​—Parimi biblik: Jobi 12:12.

Tregoji bashkëshortit se je ende i përkushtuar. Mendoni për cilësitë që ju tërhoqën te njëri-tjetri. Kujtoni momentet që keni kaluar së bashku si dhe stuhitë e jetës. Në fund, edhe ky mund të jetë një kapitull i bukur në librin tuaj të jetës. Në fakt, duke u përpjekur të dy, mund të keni martesë më të lumtur dhe të rizgjoni dashurinë që ndezi lidhjen tuaj.

^ par. 4 Nga libri Tradhti emocionale (anglisht).

^ par. 12 Nëse fëmijët nuk janë rritur akoma, mos harro se je «një mish i vetëm» me bashkëshortin. (Marku 10:8) Fëmijët ndihen veçanërisht të sigurt kur dallojnë që prindërit e tyre kanë një lidhje të fortë.