A ndihesh shumë i ngarkuar? Nëse po, nuk je i vetmi. Gazeta The Economist raportoi se «kushdo duket tepër i zënë kudo qoftë».

NË NJË sondazh të 2015-s me punëtorë në kohë të plotë nga tetë vende, shumë prej të anketuarve thanë se e kanë të vështirë të përmbushin përgjegjësitë edhe në punë, edhe në familje. Disa nga shkaqet përfshinin kërkesat që shtohen në punë a në shtëpi, shpenzimet në rritje dhe orët e gjata të punës. Për shembull, në Shtetet e Bashkuara punonjësit në kohë të plotë raportuan një mesatare prej 47 orësh punë në javë. Kurse gati 1 në 5 prej tyre thoshte se punonte 60 orë a më shumë.

Në një sondazh tjetër, ku u përfshinë 36 vende, më tepër se çereku i të anketuarve thanë se shpesh ndiheshin sikur duhej t’i bënin gjërat me vrap edhe në kohën e lirë. Edhe fëmijët mund të ndihen po njësoj nëse janë të mbingarkuar me një program tejet të ngjeshur me aktivitete.

Kur përpiqemi vazhdimisht të bëjmë më shumë se ç’na lejon koha, mund të stresohemi e të bëhemi viktima të asaj që quhet «presioni i kohës». Por, a është e mundur të kemi një jetë më të ekuilibruar? Si ndikojnë bindjet, zgjedhjet dhe synimet tona? Si fillim, shqyrto katër arsye pse disa përpiqen të bëjnë kaq shumë gjëra.

 1 DËSHIRA QË TË MOS I MUNGOJË ASGJË FAMILJES

Një baba me emrin Geri, thotë: «Punoja shtatë ditë në javë sepse gjithmonë doja t’u jepja fëmijëve diçka më të mirë. Dëshiroja të kishin gjërat që unë s’i kisha pasur kurrë.» Edhe pse nxiten nga motive të mira, prindërit duhet të shqyrtojnë përparësitë. Disa studime tregojnë se të rriturit dhe fëmijët që u japin shumë rëndësi parave dhe të mirave materiale, priren të jenë më të palumtur, më të pakënaqur nga jeta dhe më të dobët fizikisht se ata që nuk janë materialistë.

Kur fëmijëve u mësohet se gjërat materiale janë shumë të rëndësishme, janë më pak të lumtur

Që të sigurohen se fëmijët do të jenë të suksesshëm në të ardhmen, disa prindër i mbingarkojnë ata dhe veten me aktivitete të ndryshme. Rezultati: fëmijë dhe prindër që vuajnë.

2 IDEJA «SA MË SHUMË, AQ MË MIRË»

Reklamuesit përpiqen të na mbushin mendjen se, nëse nuk blejmë produktet e tyre më të fundit, po i privojmë vetes diçka. Gazeta The Economist thotë: «Për shkak të bumit të të mirave materiale, njerëzit ndihen sikur s’kanë mjaft kohë» ndërkohë që konsumatorët «e kanë të vështirë të zgjedhin çfarë të blejnë, të shohin ose të hanë» në kohën e kufizuar që kanë në dispozicion.

Në vitin 1930 një ekonomist me emër parashikoi se, për shkak të përparimeve teknologjike, punonjësit do të kishin më shumë kohë të lirë. Sa gabim e kishte! Elizabeta Kolberti, një shkrimtare e revistës New Yorker, vërejti se «në vend që të lënë [punën] herët», njerëzit «zbulojnë gjëra të reja që mendojnë se janë të nevojshme»​—të cilat kushtojnë pará dhe kohë.

3 PËRPIQEN TË KËNAQIN PRITSHMËRITË E TË TJERËVE

Disa të punësuar rraskapiten me orë të tëra vetëm e vetëm që të mos ua prishin punëdhënësve. Edhe kolegët e punës mund të ushtrojnë njëfarë presioni, duke i bërë të tjerët të ndihen fajtorë nëse nuk punojnë deri vonë. Nga ana tjetër, pasiguria ekonomike mund t’i shtyjë njerëzit të jenë gati të punojnë me orar të zgjatur ose pa një orar fiks.

Po njësoj, prindërit mund të ndihen nën presion që të jenë në një hap me ritmin e vrullshëm të familjeve të tjera. Nëse nuk e bëjnë këtë, mund të ndihen fajtorë se po «i privojnë» fëmijët nga ndonjë gjë.

 4 DUAN TË KENË NJËFARË STATUSI E TË NDIHEN TË PLOTËSUAR

Timi që jeton në Shtetet e Bashkuara, thotë: «E doja punën dhe gjithë kohës isha zhytur në të. Mendoja se duhej të tregoja aftësitë e mia.»

Ashtu si Timi, edhe shumë të tjerë e lidhin ngushtë mendimin për veten me ritmin e jetës. Rezultati? «Të qenët i zënë ka fituar status shoqëror», thotë Elizabeta Kolberti e përmendur më parë. Ajo shton: «Sa më i ngarkuar të jesh, aq më i rëndësishëm dukesh.»

MËSO TË JESH I EKUILIBRUAR

Bibla nxit papërtueshmërinë dhe punën e palodhur. (Proverbat 13:4) Ama, nxit edhe ekuilibrin. Eklisiastiu 4:6 thotë: «Është më mirë të kesh një grusht me pushim, se dy grushte me mund dhe duke u rropatur pas erës.»

Një jetë e ekuilibruar na bën mirë për shëndetin mendor dhe fizik. Por, a është vërtet e mundur të punojmë më pak a të ngadalësojmë disi ritmin? Po. Shqyrto katër sugjerime:

 1 KI VLERA DHE SYNIME TË QARTA

Dëshira për njëfarë sigurie financiare është më se normale. Por, sa para mjaftojnë? Çfarë është suksesi i vërtetë? A matet vetëm nga të ardhurat ose të mirat materiale? Nga ana tjetër, edhe pushimi a zbavitja e tepërt mund të na shkaktojnë stres, meqë s’do të kemi mjaft kohë për gjërat e tjera të nevojshme.

Timi, i përmendur më sipër, thotë: «Bashkë me gruan analizuam me kujdes jetën tonë dhe vendosëm ta thjeshtonim. Bëmë një tabelë që tregonte jetën që po bënim dhe synimet e reja. Folëm për rezultatet e vendimeve të së kaluarës dhe se çfarë duhej të bënim, që të arrinim synimet tona.»

2 SHMANG MANINË PËR TË BLERË

Bibla na këshillon të mbajmë nën kontroll «dëshirat e syve». (1 Gjonit 2:​15-17) Reklamat mund t’i ushqejnë këto dëshira e ta nxitin dikë të punojë me orar të zgjatur ose të jepet pas zbavitjeve të tepërta e të shtrenjta. Është e vërtetë se mbase s’e ke në dorë t’i shmangësh të gjitha reklamat. Megjithatë mund të bësh diçka që të mos ndikojnë aq shumë te ti. Gjithashtu mund të shqyrtosh me kujdes nevojat e tua reale.

Mos e shpërfill edhe ndikimin e shoqërisë. Nëse ata rendin me etje pas gjërave materiale ose nëse e matin suksesin me gjërat që zotërojnë, mund të jetë e mençur të kërkosh miq që kanë përparësi më të mira. Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»​—Proverbat 13:20.

3 VENDOSI KUFIJ PUNËS

Fol me punëdhënësin për punën dhe përparësitë e tua. Dhe mos u ndie fajtor nëse nuk jeton për të punuar. Libri Puno për të jetuar  (anglisht) thotë: «Ata që vendosin kufij mes punës dhe shtëpisë ose që shkojnë me pushime, zbulojnë këtë të vërtetë të pandryshueshme: kur ti s’je në punë, nuk vjen fundi i botës.»

Geri i përmendur më sipër, ishte mirë ekonomikisht, ndaj vendosi të punonte më pak. Ai thotë: «Fola me familjen dhe sugjerova të thjeshtonim jetën. Pastaj gradualisht bëmë hapa për këtë. Gjithashtu i kërkova punëdhënësit të punoja më pak ditë në javë dhe pranoi.»

4 JEPI PËRPARËSI FAMILJES

Bashkëshortët kanë nevojë të kalojnë kohë së bashku e po ashtu edhe fëmijët me prindërit. Ndaj mos u përpiq të ndjekësh ritmin e familjeve të tjera që janë gjithmonë të zëna. Geri sugjeron: «Lër kohë të pushosh dhe hiq dorë nga gjërat që kanë më pak rëndësi.»

Kur jeni si familje, mos lejo që televizori, celularët apo pajisjet e tjera t’ju izolojnë nga njëri-tjetri. Hani të paktën çdo ditë një vakt së bashku dhe shfrytëzojeni këtë kohë që të flitni si familje. Kur prindërit i vënë veshin kësaj këshille të thjeshtë, fëmijët janë më të lumtur dhe kanë rezultate më të mira në shkollë.

Flitni si familje gjatë vakteve

Si përfundim, pyet veten: «Çfarë dua nga jeta? Çfarë dua për familjen time?» Nëse dëshiron një jetë më të lumtur e më kuptimplotë, vendos përparësi që pasqyrojnë mençurinë e padiskutueshme të Biblës.