• Ke vendosur të hash më shëndetshëm, por akullorja duket sikur po ta bën me sy.

  • Ke vendosur ta lësh duhanin, por shoku yt të zgjat prapë një cigare, edhe pse e di se po përpiqesh ta lësh.

  • Ke planifikuar të bësh fizkulturë sot, por vetëm ideja që të rrëmosh për të gjetur atletet, të duket e lodhshme.

A e dallon çfarë kanë të përbashkët këto situata? Herë pas here përvoja ka treguar se situatat ku e futim veten dhe se njerëzit me të cilët rrimë, ndikojnë te zakonet që duam të fitojmë a të heqim.

PARIMI BIBLIK: «Mendjehollë është ai që e sheh të keqen dhe fshihet, kurse i papërvoji shkon tutje dhe vuan pasojat.»Proverbat 22:3.

Bibla na këshillon që të mendohemi paraprakisht. Kështu mund të marrim masa që të shmangim me kujdes situatat që na pengojnë për synimet dhe ta vëmë veten në situata që na ndihmojnë. (2 Timoteut 2:22) Me pak fjalë, është e mençur ta marrësh ti situatën në kontroll.

Vështirësoja vetes gjënë e gabuar dhe lehtësoja gjënë e drejtë

Ç’MUND TË BËSH?

  • Vështirësoja vetes gjënë e gabuar. Për shembull, nëse nuk do që të hash ushqime pa vlera ushqyese, përpiqu të mos mbash në kuzhinë ushqime që e di se nuk të bëjnë mirë. Kështu, kur tundohesh për diçka, do ta kesh më të vështirë të dorëzohesh se të mos dorëzohesh.

  • Lehtësoja vetes gjënë e drejtë. Për shembull, nëse planifikon që fizkultura të jetë gjëja e parë që do të bësh në mëngjes, vëri rrobat e fizkulturës afër krevatit që në darkë. Sa më të lehtë t’ia bësh vetes fillimin e një zakoni, aq më shumë të ngjarë ka që ta vazhdosh.

  • Zgjidhi me kujdes miqtë. Kemi prirjen të bëhemi si njerëzit me të cilët rrimë. (1 Korintasve 15:33) Prandaj kufizoji kontaktet me ata që të shtyjnë të kesh zakone që po përpiqesh t’i lësh dhe përpiqu të rrish me ata që të ndihmojnë t’i ngulitësh edhe më shumë zakonet e mira.