Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | FAN JU

Një programues flet për besimin e tij

Një programues flet për besimin e tij

DR. FAN JU e filloi karrierën si studiues në fushën e matematikës në Institutin e Kinës për Energjinë Atomike, afër Pekinit. Në atë kohë ishte ateist dhe besonte në teorinë e evolucionit. Kurse tani beson se jeta u projektua dhe u krijua nga Perëndia. Revista Zgjohuni! i bëri disa pyetje për besimin.

Na trego pak për fëmijërinë tënde

Linda më 1959 në qytetin Fuzhou të provincës së Xhangshës, Kinë. Kur isha tetë vjeç, vendi po vuante pasojat e atij që tani njihet si revolucioni kulturor. Tim atë, inxhinier ndërtimi, e urdhëruan të ndërtonte një hekurudhë në një vend të largët të pabanuar. Për vite me radhë vinte në shtëpi vetëm një herë në vit. Atëherë jetoja me mamanë, që ishte mësuese në shkollë fillore. Në fakt banonim pikërisht në shkollën ku ajo jepte mësim. Në vitin 1970 na u desh të transferoheshim në Jufang, asokohe një fshat i varfër në Krahinën Linçuan, ku mezi gjeje për të ngrënë.

Çfarë besimi kishte familja jote?

Babait nuk i interesonte shumë feja apo politika, ndërsa mamaja ishte budiste. Në shkollë më mësuan se jeta ka evoluar nga procese natyrore, dhe besoja gjithçka që thoshin mësuesit.

Si të lindi interesi për matematikën?

Matematika më tërhiqte, sepse e kërkon të vërtetën nëpërmjet arsyetimeve logjike. Shkova në universitet në vitin 1976, pak pasi vdiq udhëheqësi i revolucionit, Mao Ce Duni. Zgjodha degën e matematikës. Puna ime e parë, pasi mbarova masterin, ishin kërkimet matematikore për projektimin e reaktorëve bërthamorë.

Cila ishte përshtypja jote e parë për Biblën?

Në vitin 1987 erdha në Shtetet e Bashkuara që të studioja në Universitetin A&M të Teksasit për të marrë doktoraturën. E dija që në Amerikë shumë njerëz besonin te Zoti dhe lexonin Biblën. Gjithashtu kisha dëgjuar se Bibla ka mjaft këshilla të mençura, prandaj mendova ta lexoja.

 Mësimet e Biblës më dukeshin shumë praktike. Por, disa pjesë nuk arrija t’i kuptoja dhe nuk e lexova më.

Si t’u rizgjua interesi për Biblën?

Ideja e ekzistencës së një Krijuesi ishte diçka e re për mua, kështu që vendosa të bëja vetë kërkime

Në vitin 1990 në derën tonë trokiti një Dëshmitare e Jehovait dhe më foli për shpresën që jep Bibla për të ardhmen. Ajo solli një çift që të më ndihmonte të kuptoja Biblën. Më vonë filloi të studionte Biblën edhe gruaja ime, Lipingu, e cila në Kinë kishte qenë mësuese fizike e shkollës së mesme dhe po kështu ishte ateiste. Mësuam çfarë thotë Bibla për origjinën e jetës. Ideja e ekzistencës së një Krijuesi ishte diçka e re për mua, kështu që vendosa të bëja vetë kërkime.

Çfarë bëre konkretisht?

Si matematikan isha mësuar të llogaritja probabilitetin e ngjarjeve. Gjithashtu kisha mësuar se, që jeta të lindë spontanisht, duhet të ekzistojnë më parë proteinat. Ndaj u përpoqa të llogaritja sa mundësi ka që një proteinë të lindë vetvetiu, pa u drejtuar nga dikush. Proteinat janë ndër molekulat më komplekse që njihen, dhe qelizat e gjalla kanë mijëra lloje proteinash që ndërveprojnë me saktësi mahnitëse. Ashtu si të tjerë, e kuptova se formimi i vetvetishëm i proteinave s’ka fare gjasa të ndodhë, sepse në thelb është i pamundur. Nuk kam lexuar asgjë në teorinë e evolucionit që të më bindë se këto molekula tejet komplekse mund të krijohen vetë, për të mos folur për sistemet e gjallesave ku këto molekula janë pjesë thelbësore. Faktet më treguan se ekziston një Krijues.

Çfarë të bindi se Bibla është nga Perëndia?

Ndërsa studioja Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, mësova se ajo shpjegon me hollësi shumë profeci që janë përmbushur. Gjithashtu fillova të provoja dobitë e parimeve biblike. Vrisja mendjen: «Si ka mundësi që shkrimtarët e Biblës, të cilët jetuan mijëra vjet më parë, shkruan fjalë të mençura që janë praktike edhe sot?» Pak nga pak e kuptova se ajo është Fjala e Perëndisë.

Çfarë të bind ende se ka një Krijues?

Kur mendoj për elementet në natyrë, s’mund të mos besoj se ka një Krijues. Tani hartoj programe kompjuterike, dhe shpesh mahnitem kur shoh se si truri ynë i tejkalon programet e kompjuterit. Për shembull, aftësia jonë për të kuptuar të folurit të lë gojëhapur. Shumica prej nesh e kupton lehtë procesin e të shprehurit, madje edhe kur dëgjojmë fjali të paplota, qeshje, kollitje, belbëzim, të folur me theks, jehona, zhurma në sfond ose në telefon. Kjo ndoshta nuk ju duket ndonjë gjë e madhe, ama për programuesit është e jashtëzakonshme. Edhe programi më i sofistikuar që kupton të folurit, as që krahasohet me trurin e njeriut.

Ndryshe nga kompjuterët më kompleksë, truri ynë mund të dallojë emocionet, thekset e gjuhëve dhe personin që po flet. Programuesit po përpiqen që në programet kompjuterike të imitojnë aftësitë e trurit njerëzor për të kuptuar të folurit. Jam i bindur se gjatë kërkimeve thjesht studiojnë veprën e duarve të Perëndisë.