Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 INTERVISTË | JAN DË SHUE

Një embriolog flet për besimin e tij

Një embriolog flet për besimin e tij

PROFESOR Jan Dë Shue është drejtor i kërkimeve për embrionin në Universitetin Kombëtar të Shkencës e të Teknologjisë në Pingtung të Tajvanit. Dikur besonte tek evolucioni, por pasi filloi të merrej me kërkime shkencore, ndryshoi mendje. Ai shpjegon për revistën Zgjohuni! përse ndryshoi mendje.

Na thuaj diçka për të kaluarën tënde.

Linda në vitin 1966 dhe u rrita në Tajvan. Besimi i prindërve bazohej te taoizmi dhe te budizmi. Megjithëse adhuronim paraardhësit dhe luteshim para shëmbëlltyrave, as që e konceptonim se ekzistonte një Perëndi që kishte krijuar gjithçka.

Pse studiove për biologji?

Që i vogël më pëlqente të kujdesesha për kafshët dhe doja të mësoja si t’ua lehtësoja vuajtjet kafshëve dhe njerëzve. Për ca kohë studiova për veterinari dhe më vonë për embriologji, një fushë që shpresoja të më ndihmonte të kuptoja edhe origjinën e jetës.

Dimë se besoje tek evolucioni në atë kohë. A mund të na thuash pse?

Profesorët në universitet na mësuan evolucionin me pretendimin se ka prova që e vërtetojnë. U besoja atyre.

Pse fillove ta lexoje Biblën?

Për dy arsye. Së pari, mendoja se nga perënditë e shumta që adhurojnë njerëzit, njëri duhet të jetë më i madh. Por cili? Së dyti, e dija që Bibla është libër goxha i vlerësuar, prandaj doja të mësoja më shumë për të.

Kur fillova të studioja në Universitetin Katolik të Leuvenit më 1992, vajta në një kishë katolike dhe i kërkova priftit të më ndihmonte ta kuptoja Biblën, por nuk pranoi.

Po ku gjete përgjigje për pyetjet e tua?

Dy vjet më vonë, ndërsa merresha ende me kërkime shkencore në Belgjikë, takova Ruthën, një polake Dëshmitare të Jehovait. Kishte mësuar kinezisht që të ndihmonte studentët e universitetit që donin të dinin më shumë për Zotin. Isha lutur për këtë lloj ndihme, prandaj isha i kënaqur që e takova.

Rutha më tregoi se Bibla përputhet me shkencën, ndonëse nuk është libër shkencor. Për shembull, Davidi, një shkrimtar i Biblës, i tha në lutje Perëndisë: «Sytë e tu panë embrionin tim, dhe në librin tënd ishin shkruar tërë pjesët e tij, ditët kur ato u formuan, megjithëse ende nuk ekzistonte asnjë prej tyre.» (Psalmi 139:16) Ndonëse në gjuhë poetike, në parim Davidi kishte të drejtë. Që para se të formohen pjesët e trupit, tashmë në embrion janë përcaktuar udhëzimet për zhvillimin e tyre. Saktësia e Biblës më bindi se ajo është Fjala e Perëndisë. Gjithashtu fillova të kuptoja se ekziston vetëm një Zot, Jehovai. 1

Çfarë të bindi se Zoti krijoi gjithçka?

Qëllimi i kërkimeve shkencore është të zbulojë të vërtetën, jo të mbështetë ide të hedhura më parë. Studimi i zhvillimit të  embrionit më bëri të ndryshoja pikëpamje dhe arrita në përfundimin se jeta është krijuar. Për ta ilustruar, inxhinierët projektojnë linja prodhimi me qëllim që të montojnë si duhet pjesët e përshtatshme në vendin dhe në mënyrën e duhur. Pak a shumë kështu është edhe me zhvillimin e embrionit, por embrioni është goxha më kompleks.

Gjithçka fillon me ngjizjen e një qelize të vetme, apo jo?

Po. Pastaj, ajo qelizë mikroskopike ndahet, duke filluar kështu procesin e ndarjes. Për njëfarë kohe, numri i qelizave dyfishohet çdo 12 deri 24 orë. Në fillim të këtij procesi, formohen ato që quhen qeliza burimore. 2 Këto qeliza prodhojnë pothuajse secilën nga afro 200 llojet e qelizave të duhura për të formuar plotësisht një bebe, si qelizat e gjakut, qelizat e kockave, qelizat nervore e kështu me radhë.

Studimi i zhvillimit të embrionit më bëri të arrija në përfundimin se jeta është krijuar

Qelizat e duhura duhen prodhuar sipas radhës së duhur dhe në vendet e duhura. Si fillim ato grupohen në inde. Pastaj, indet grupohen për të formuar organet dhe gjymtyrët. Një inxhinier as që ëndërron të shkruajë udhëzime për një proces të tillë. E megjithatë, udhëzimet për zhvillimin e embrionit janë shkruar në mënyrë mahnitëse në ADN. Kur mendoj sa e bukur është e gjithë kjo, bindem se jeta është projektuar nga Perëndia.

Pse u bëre Dëshmitar i Jehovait?

E thënë me një fjalë, nga dashuria. Jezu Krishti tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:35) Kjo dashuri është e paanshme. Nuk ndikohet nga përkatësia kombëtare, kultura ose ngjyra e lëkurës. E pashë dhe e provova vetë këtë dashuri kur fillova të shoqërohesha me Dëshmitarët.

^ 2. Profesor Jan Dë Shue nuk eksperimenton me qeliza të marra nga embrioni i një njeriu, por me qeliza të marra nga embrioni i një kafshe.