VËSHTIRËSIA

Të duket sikur dje e mbaje fëmijën në krahë. Kurse tani, ndonëse ende fëmijë, është në prag të adoleshencës, në atë pjesë të rrugëtimit drejt rritjes që quhet pubertet.

Si ta ndihmosh djalin ose vajzën ta kalojë këtë fazë tranzicioni pështjelluese, e ndonjëherë traumatike, drejt pjekurisë seksuale?

Ç’DUHET TË DISH

Puberteti ka kohën e vet. Mund të fillojë që 8 vjeç ose në mes të adoleshencës. Një libër thotë: «Në përgjithësi, harku kohor i pubertetit është shumë i gjerë.»Letting Go With Love and Confidence.

Puberteti mund të sjellë pasiguri. Adoleshentët mund të jenë tepër të ndjeshëm ndaj imazhit që krijojnë te të tjerët. Një djalë me emrin Xhared * kujton: «Fillova të merakosesha si dukesha e si sillesha para të tjerëve. Kur isha me të tjerë, vrisja mendjen nëse u dukesha i çuditshëm.» Besimi në vetvete mund të fundoset edhe më tepër nëse dalin aknet. Kela, një 17-vjeçare kujton: «Më dukej sikur më ishte bërë fytyra tabelë qitjeje. Mbaj mend se qaja dhe e quaja veten shëmtirë.»

Ata që hyjnë shpejt në pubertet hasin vështirësi të veçanta. Kjo është e vërtetë sidomos për vajzat, që mund t’i tallin kur u zhvillohet gjoksi ose kur u marrin formë linjat e trupit. Një libër thotë: «Rrezikojnë t’u bien në sy edhe djemve më të mëdhenj, që ka të ngjarë të kenë më tepër përvojë nga ana seksuale.»A Parent’s Guide to the Teen Years.

Puberteti nuk nënkupton pjekuri. Te Proverbat 22:15 thuhet: «Marrëzia lidhet me zemrën e fëmijës.» (Diodati i Ri) Këtë fakt nuk e ndryshon dot puberteti. Sipas librit You and Your Adolescent, një i ri mund të duket i rritur, por kjo «nuk tregon se është i aftë të marrë vendime të mençura, të jetë i përgjegjshëm, të ushtrojë vetëkontroll ose [të shfaqë] shenja të tjera pjekurie».

 Ç’MUND TË BËSH

Flitni për pubertetin para se të fillojë. Informoje fëmijën për atë që e pret, sidomos për menstruacionet (për vajzat) dhe për derdhjet e pavullnetshme të spermës natën (për djemtë). Në dallim nga ndryshimet graduale të pubertetit, këto ndodhin papritur dhe mund të jenë pështjelluese, e madje frikësuese. Kur t’i flasësh për këto gjëra, mbaj një frymë pozitive dhe tregoji se puberteti është fillimi i një transformimi të dobishëm drejt rritjes.Parimi biblik: Psalmi 139:14.

Fol qartë. Një djalë me emrin Xhon kujton: «Kur prindërit më hapën ‘këtë muhabet’, i ranë anës e anës. Do të doja të më flitnin një çikë më troç.» Po kështu shprehet edhe Alana, 17 vjeçe: «Mami më ndihmoi të kuptoja çfarë po më ndodhte nga ana fizike, por do të doja të më ndihmonte më shumë edhe nga ana emocionale.» Ç’mësojmë nga kjo? Sado siklet të kesh, fol me fëmijën për çdo aspekt të pubertetit.Parimi biblik: Veprat 20:20.

Bëj pyetje që hapin biseda. Sa për të thyer akullin, fol për mënyrën si po e kalojnë të tjerët fazën e pubertetit. Për shembull, mund ta pyesësh vajzën: «A flasin për menstruacionet shoqet e klasës?» «A i tallin vajzat që janë zhvilluar shpejt?» Ose mund ta pyesësh djalin: «A i tallin ata që nuk janë zhvilluar edhe aq fizikisht?» Kur adoleshentët fillojnë të flasin se si ndikon puberteti te të tjerët, mund të hapen më kollaj e të tregojnë si ndihen dhe çfarë u ka ndodhur. Nëse hapen, ndiq këshillën biblike: ‘Ji i shpejtë në të dëgjuar, mos u nxito në të folur.’Jakovi 1:19.

Ndihmoje adoleshentin të zhvillojë «mençurinë dhe aftësinë për të menduar». (Proverbat 3:21) Puberteti nuk lidhet vetëm me ndryshimet fizike dhe emocionale. Gjatë kësaj faze fëmija zhvillon aftësinë për të menduar, që do ta ndihmojë të marrë vendime të mençura kur të rritet. Shfrytëzoje këtë mundësi për t’i ngulitur norma të mira.Parimi biblik: Hebrenjve 5:14.

Mos u dorëzo. Mjaft të rinj duket sikur nuk kanë qejf të flasin me prindërit për pubertetin, por mos u gënje. Një libër thotë: «Adoleshenti që hiqet sikur nuk i intereson, sikur bezdiset, sikur ia shpif ose sikur s’po dëgjon fare, ka mundësi të jetë duke regjistruar çdo fjalë.»You and Your Adolescent.

^ par. 8 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.