Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në çift, Bibla është e para ku do të kërkoje këshilla, apo ndoshta e fundit? Krahaso mençurinë e saj të hershme me studimet e kohëve të fundit.

Indi

Sipas një sondazhi të vitit 2014, 61 për qind e të rinjve 18-25 vjeç mendojnë se seksi para martese «nuk është më problem i madh në Indi». Një mjek në Mumbai tha për gazetën Hindustan Times se sipas tij, «kur të rinjtë fillojnë një lidhje, as që e çojnë ndër mend martesën. Qoftë nëse është seks për një natë, qoftë lidhje pa angazhim a bashkëjetesë, jo medoemos e futin përkushtimin në axhendën e tyre».

PËR TË MENDUAR: Sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe traumat emocionale vijnë më tepër nga seksi para martese apo pas martese?1 Korintasve 6:18.

Danimarkë

Mosmarrëveshjet e shpeshta familjare e rritin dyfish rrezikun e vdekjes në moshë të mesme. Disa studiuese në Universitetin e Kopenhagenit panë ecurinë e 10.000 vetave të kësaj moshe gjatë 11 vjetëve dhe zbuluan se ata që grindeshin shpesh me një të afërm kishin më tepër të ngjarë të vdisnin para kohe se ata që grindeshin rrallë. Një nga studiueset thotë se zgjidhja e problemeve, e mosmarrëveshjeve dhe plotësimi i kërkesave «mund të konsiderohen mënyra të rëndësishme që shmangin vdekjen e parakohshme».

BIBLA THOTË: «Kush i frenon fjalët e veta, zotëron njohuri, dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë.»Proverbat 17:27.

Shtetet e Bashkuara

Sipas një studimi të fundit në Luizianë me 564 çifte të sapomartuara, ata që ndahen e bashkohen disa herë para se të martohen, ka më tepër të ngjarë të ndahen në pesë vitet e para të martesës. Gjithashtu janë më të prirur të kenë mosmarrëveshje dhe të jenë më të pakënaqur me martesën.

BIBLA THOTË: «Atë që Perëndia e ka bashkuar [në martesë], asnjeri të mos e ndajë.»Mateu 19:6.