Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Vlerat morale, si busull e besueshme, mund ta ndihmojnë fëmijën të përcaktojë drejtimin e duhur

 PËR PRINDËRIT

7—Vlerat

7—Vlerat

ÇFARË DO TË THOTË

Vlerat janë norma personale sipas të cilave zgjedh të jetosh. Për shembull, a përpiqesh të jesh i ndershëm në çdo gjë? Atëherë ka të ngjarë që dëshiron t’ua rrënjosësh këtë vlerë morale fëmijëve të tu.

Vlerat përfshijnë edhe normat etike. Për shembull, dikush me parime të larta morale është i papërtuar, i drejtë dhe tregon konsideratë për të tjerët​—cilësi që zhvillohen më mirë teksa je ende i ri.

PARIMI BIBLIK: «Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket.»​—Proverbat 22:6, Diodati i Ri.

PSE KA RËNDËSI

Në epokën e teknologjisë, normat morale janë thelbësore. Një mama me emrin Kerën, thotë: «Pajisjet elektronike mund të bëhen burim i ndikimeve të këqija në çdo moment. Mbase jemi ulur fare pranë fëmijëve, ndërsa ata shohin diçka të turpshme.»

PARIMI BIBLIK: ‘Njerëzit e pjekur kanë aftësitë perceptuese të stërvitura për të shquar si të drejtën, ashtu edhe të gabuarën.’​—Hebrenjve 5:14.

Edhe normat etike janë thelbësore. Këtu përfshihen shprehje mirësjelljeje, si «të lutem» e «faleminderit» dhe meraku për të tjerët​—vlerë që është bërë kaq e rrallë, pasi njerëzit duket se interesohen më tepër për gjërat materiale, si pajisjet elektronike, sesa për të tjerët.

PARIMI BIBLIK: «Ashtu si dëshironi të bëjnë të tjerët për ju, njësoj bëni edhe ju për ta.»​—Luka 6:31.

Ç’MUND TË BËSH

Bëja të qarta vlerat e tua morale. Për shembull, studimet tregojnë se ka më shumë mundësi që adoleshentët të mos kryejnë marrëdhënie seksuale para martesës, nëse u është thënë qartë se një sjellje e tillë është e gabuar.

SUGJERIM: Përdor një ngjarje të fundit për të nisur një bisedë për vlerat. Për shembull, nëse në lajme raportohet për një vrasje, mund të thuash: «Është e tmerrshme si e shprehin inatin ndaj të tjerëve disa njerëz. Si mendon se arrijnë deri këtu?»

«Është goxha e vështirë për fëmijët të zgjedhin mes së drejtës e së gabuarës nëse nuk e dinë ç’është e drejtë ose e gabuar.»​—Brendoni.

Mësoju normat etike. Edhe më të vegjlit mund të mësojnë të thonë «të lutem» e «faleminderit» dhe të tregojnë konsideratë për të tjerët. «Sa më shumë që fëmijët kuptojnë se janë pjesë e diçkaje më të madhe se vetja​—familja, shkolla, komuniteti—​aq më shumë janë gati të shfaqin vepra mirësie që të përfitojë çdokush, jo vetëm ata.»​—Libri Parenting Without Borders.

SUGJERIM: Jepu fëmijëve punë shtëpie që t’i ndihmosh të mësojnë sa vlerë ka t’u shërbesh të tjerëve.

«Nëse fëmijët tanë mësohen që tani me punë shtëpie, s’do t’u bjerë si bombë kur të jetojnë më vete. Tashmë përgjegjësitë do t’u jenë bërë pjesë e jetës.»​—Tara.