VËSHTIRËSIA

Dami ishte gjashtë vjeçe kur një aneurizmë në tru i mori jetën të atit. Deriku ishte nëntë vjeç kur babai i vdiq nga një sëmundje zemre. Xheni ishte shtatë vjeçe kur e ëma humbi jetën pas një beteje 1-vjeçare me kancerin në vezore. *

Këta tre të rinj u përballën tepër herët me vdekjen e një njeriu të dashur. A të ka ndodhur edhe ty e njëjta gjë? Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë të përballosh dhembjen. * Megjithatë, si fillim shqyrto disa fakte rreth pikëllimit.

Ç’DUHET TË DISH

Ka shumë mënyra për ta shprehur pikëllimin. Kjo do të thotë se ti mund ta shprehësh pikëllimin ndryshe nga të tjerët. Një libër pohon: «Nuk ka një model standard apo një seri rregullash për të përballuar vdekjen e dikujt.» (Helping Teens Cope With Death) E rëndësishme është të mos i ndrydhësh tepër ndjenjat e pikëllimit. Pse? Sepse . . .

Të ndrydhësh ndjenjat e pikëllimit, mund të jetë e dëmshme. Xheni, e përmendur në hyrje të artikullit, thotë: «Mendoja se duhej të bëhesha e fortë për motrën e vogël, kështu që nuk e shprehja hidhërimin. Që atëherë më është bërë zakon ta ndrydh dhembjen, dhe kjo s’më bën mirë.»

Ekspertët janë dakord me këtë. Libri The Grieving Teen shkruan: «Dhembjen nuk mund ta ndrydhësh apo ta mbash përbrenda përgjithmonë. Do të dalë kur s’ta pret mendja në formën e shpërthimeve të zemërimit ose të sëmundjeve fizike.» Madje, për të mpirë dhembjen, disa abuzojnë me alkoolin e drogën.

Bashkë me pikëllimin vijnë edhe ndjenja kontradiktore. Për shembull, disa zemërohen me personin që ka vdekur, sepse mendojnë se i ka «braktisur». Të tjerë fajësojnë Perëndinë sepse mendojnë se nuk duhet ta kishte lejuar këtë. Shumë ndihen fajtorë për çfarë i kanë bërë a thënë personit, meqë s’i kërkojnë dot më falje.

S’ka dyshim se pikëllimi është proces i ndërlikuar. Si ta lehtësosh dhembjen e të ecësh para?

 Ç’MUND TË BËSH

Fol me dikë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë mbase e ke më të lehtë të mbyllesh në vetvete. Por, nëse hapesh me një familjar ose me një mik, do ta përballosh më lehtë hidhërimin e tragjedia s’do të të vërë poshtë.Parimi biblik: Proverbat 18:24.

Mbaj ditar. Shkruaj për prindin që ka humbur jetën. Për shembull, cili është kujtimi më i bukur që ke prej tij? Shkruaj për cilësitë e tij të bukura. Cilat prej tyre dëshiron të imitosh?

Nëse të pushtojnë mendime negative—për shembull, nëse s’të shqitet nga mendja një fjalë e ashpër që i ke thënë prindit para se të vdiste—shkruaj si ndihesh dhe pse. Për shembull: «Ndihem fajtor sepse u zura me babin një ditë para se të vdiste.»

Pastaj mendo sa të arsyeshme janë këto ndjenja faji. Në librin The Grieving Teen thuhet: «S’mund ta fajësosh veten që nuk e dije se s’do të kishe mundësi të kërkoje falje. S’është realiste të mendosh se njeriu s’duhet të bëjë a të thotë kurrë diçka për të cilën do t’i duhet të kërkojë falje.»Parimi biblik: Jobi 10:1.

Kujdesu për veten. Pusho mirë, bëj ushtrime të përshtatshme dhe ha shëndetshëm. Nëse s’ke oreks për vakte të plota, ha nga pak gjëra me vlera ushqyese—të paktën derisa të të rikthehet oreksi. Mos u përpiq të gjesh ngushëllim tek ushqimet e pashëndetshme ose tek alkooli; vetëm sa do ta përkeqësojnë situatën.

Fol me Perëndinë në lutje. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai vetë do të të mbështetë.» (Psalmi 55:22) Lutja nuk është thjesht patericë a lehtësim emocional. Është komunikim real me Zotin, i cili «na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona».2 Korintasve 1:3, 4.

Një mënyrë si i ngushëllon Perëndia të pikëlluarit është nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës. Pse të mos shqyrtosh se çfarë mëson Bibla për gjendjen e vërtetë të të vdekurve dhe për shpresën e ringjalljes? *Parimi biblik: Psalmi 94:19.

^ par. 4 Në artikullin vijues mund të lexosh më tepër për historinë e Damit, të Derikut dhe të Xhenit.

^ par. 5 Ndonëse ky artikull flet për vdekjen e një prindi, parimet e shqyrtuara vlejnë edhe kur të vdes vëllai, motra ose një shok.

^ par. 19 Shih kapitullin 16 të librit Të rinjtë pyesin—Përgjigje praktike, vëllimi 1. Mund ta shkarkosh falas në www.jw.org. Shih te BOTIME.