NDONËSE shumë njerëz nuk i besojnë gjërat që lidhen me të mbinatyrshmen dhe me spiritizmin—sepse i konsiderojnë mashtrim ose pjellë të imagjinatës së skenaristëve të filmave—Bibla paraqet një pikëpamje tjetër për to. Ajo jep paralajmërime të qarta kundër spiritizmit. Për shembull, Ligji i përtërirë 18:10-13 thotë: «Mes teje të mos gjendet asnjë nga ata . . . që hedhin fall, që merren me magji, që kërkojnë ogure, ndonjë shtrigë, ndonjë që ysht të tjerët, që këshillohet me një medium ose me dikë që ka si zanat parathënien e ngjarjeve a ndonjë që pyet të vdekurit.» Pse jo? Shkrimi vazhdon: «Sepse ata që i bëjnë këto, janë të pështirë për Jehovain. . . . Ti duhet të jesh i patëmetë para Jehovait, Perëndisë tënd.»

Pse Bibla i ndalon rreptësisht të gjitha format e spiritizmit?

ORIGJINË E FËLLIQUR

Bibla tregon se kohë para se të krijonte tokën, Perëndia krijoi miliona krijesa qiellore, ose engjëj. (Jobi 38:4, 7; Zbulesa 5:11) Çdo engjëll ishte me vullnet të lirë, pra me aftësinë për të zgjedhur midis së drejtës e së gabuarës. Disa prej tyre zgjodhën të rebeloheshin kundër Perëndisë, lanë vendin në qiell dhe shkaktuan probleme në tokë. Si pasojë, toka «u mbush me dhunë».Zanafilla 6:2-5, 11; Juda 6.

Bibla thotë se ata engjëj të ligj ndikojnë jashtë mase te njerëzit duke mashtruar miliona veta. (Zbulesa 12:9) Madje shfrytëzojnë  kuriozitetin e natyrshëm të njerëzve për të ditur të ardhmen.1 Samuelit 28:5, 7; 1 Timoteut 4:1.

Është e vërtetë se disa fuqi të mbinatyrshme duket sikur i ndihmojnë njerëzit. (2 Korintasve 11:14) Por, në fakt, engjëjt e ligj po përpiqen t’ua verbojnë mendjen që të mos njohin të vërtetën për Zotin.2 Korintasve 4:4.

Pra, sipas Biblës, komunikimi me frymërat e liga nuk është thjesht zbavitje e padëmshme. Ja pse, kur njerëzit që u bënë dishepuj të Jezuit mësuan të vërtetën për këto praktika, «ata që ishin marrë me magji, i grumbulluan librat dhe i dogjën para të gjithëve», edhe pse kishin një vlerë të madhe monetare.Veprat 19:19.

«Me sa duket, adoleshentet po besojnë gjithnjë e më shumë te shtrigëria ngaqë ndikohen nga mënyra si paraqiten kohët e fundit shtrigat e bukura dhe joshëse në televizor, filma e libra.»—Sondazhi Gallup me të rinj, 2014

Po kështu, shumë veta sot kanë vendosur të mos kenë lidhje fare me veprimtari dhe zbavitje që i kanë rrënjët në spiritizëm. Për shembull, kur Maria * ishte 12 vjeçe, me sa duket mund të parashikonte disa ngjarje ose rreziqe të së ardhmes. U lexonte shokëve të klasës letrat tarot dhe, ngaqë parashikimet e saj dilnin të vërteta, e bëri për vete okultizmi.

Maria mendonte se Zoti ia kishte dhënë këtë dhunti që të ndihmonte të tjerët: «Mirëpo, diçka më shqetësonte,—pranon ajo.—Edhe pse doja të dija të ardhmen time, nuk i lexoja dot letrat për veten, por vetëm për të tjerët.»

Ngaqë e mundonin pyetjet e shumta pa përgjigje, Maria iu lut Perëndisë dhe  më vonë takoi Dëshmitarët e Jehovait, me të cilët filloi të studionte Biblën. Mësoi nga Bibla se aftësia e saj për të parashikuar të ardhmen nuk vinte nga Perëndia. Mësoi edhe se ata që duan të jenë miq me Perëndinë, duhet të heqin çdo objekt që lidhet me spiritizmin. (1 Korintasve 10:21) Çfarë bëri ajo? Hodhi të gjitha sendet dhe librat e okultizmit. Tani flet edhe me të tjerët për ato që mëson vërtet Bibla.

Në adoleshencë Majkëlli ishte lexues i etur i romaneve me personazhe të mbinatyrshme. Ai tregon: «Më pëlqente kur gjeja veten te heronjtë e moshës sime që eksploronin botën imagjinare.» Pak nga pak, Majkëlli e bëri zakon të lexonte libra për magjinë dhe për ritet satanike. Ai pranon: «Nga kureshtja, lexoja libra dhe shihja filma me subjekte të tilla.»

Por, nga studimi i Biblës e kuptoi mirë sa e nevojshme ishte t’i shqyrtonte me kujdes ato që lexonte. Ai shprehet: «Bëra një listë të të gjitha gjërave që lidheshin me spiritizmin dhe i zhduka. Nga 1 Korintasve 10:31 mësova diçka të rëndësishme. Aty thuhet: ‘Gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.’ Prandaj tani pyes veten: ‘A më përfshin leximi i këtij materiali në diçka që çnderon Perëndinë?’ Nëse po, nuk e lexoj.»

Me të drejtë, Bibla përshkruhet si llambë. Është burim ndriçimi unik që e demaskon vërtet spiritizmin. (Psalmi 119:105) Madje bën edhe më tepër: një premtim të mrekullueshëm për një botë pa ndikimin e frymërave të liga. Vërtet, njerëzimi do të lehtësohet jashtë mase. Për shembull, Psalmi 37:10, 11 thotë: «Edhe pak dhe i ligu nuk do të jetë më. Do ta këqyrësh me kujdes vendin e tij, por ai nuk do të jetë më. Kurse zemërbutët do të trashëgojnë tokën dhe do të kënaqen pa masë me paqen e pafund.»

^ par. 10 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.