Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 PROBLEMI

Siguria jonë nën kërcënim

Siguria jonë nën kërcënim

«Ky brez zotëron mjete teknologjike, shkencore dhe financiare si kurrë më parë . . . E megjithatë mbase është brezi i parë që po i çon buzë greminës sistemet [politike, ekonomike dhe mjedisore] të botës.»​—Raporti për Rreziqet Globale 2018, Forumi Ekonomik Botëror.

PSE JANË TË SHQETËSUAR PËR TË ARDHMEN TONË DHE TË TOKËS MJAFT NJERËZ TË MIRINFORMUAR? SHQYRTO VETËM DISA PROBLEME QË HASIM SOT.

  • KRIMI KIBERNETIK: Gazeta The Australian thotë: «Interneti sa vjen e po bëhet më i rrezikshëm. Është një parajsë për pedofilët, bullistët, trollsat * dhe hakerat. . . . Vjedhja e identitetit është ndër krimet që po përhapet rrufeshëm në gjithë botën. . . . Interneti krijon mundësi që njerëzit të shfaqin një nga tiparet më të këqija​—prirjen për të qenë të egër dhe mizorë.»

  • PABARAZIA EKONOMIKE: Sipas një raporti të Oxfam International, tetë njerëzit më të pasur të botës kanë aq pasuri sa 3,6 miliardë njerëzit më të varfër. Oxfam thotë: «Sistemet ekonomike të padrejta po i drejtojnë të ardhurat te një elitë e pasur në kurriz të më të varfërve të shoqërisë, shumica e të cilëve janë gra.» Disa kanë frikë se pabarazia në rritje mund të jetë një shkëndijë që çon në trazira shoqërore.

  • KONFLIKTET DHE PËRNDJEKJET: Në një raport të 2018-s nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, thuhej: «Jemi dëshmitarë të numrit më të madh të shpërnguljeve në histori.» Më tepër se 68 milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, kryesisht për shkak të konflikteve ose të përndjekjes. Raporti vazhdonte: «Çdo dy sekonda shpërngulet me forcë afërsisht 1 person.»

  • RREZIQE QË I KANOSEN MJEDISIT: Raporti për Rreziqet Globale 2018 thoshte: «Biodiversiteti po zhduket me ritme alarmante . . . ndërsa ndotja e ajrit dhe e deteve po kërcënon seriozisht gjithnjë e më shumë shëndetin tonë.» Gjithashtu, në disa vende, numri i insekteve po ulet ndjeshëm. Meqë insektet pjalmojnë bimët, shkencëtarët po paralajmërojnë për një «Harmagedon ekologjik». Edhe shkëmbinjtë koralorë e kanë punën pisk. Shkencëtarët përllogaritin se në 30 vitet e fundit është zhdukur rreth gjysma e shkëmbinjve koralorë.

A jemi të aftë ta bëjmë botën një vend më të sigurt? Disa mendojnë se që të arrihet kjo, nevojitet më shumë arsimim. Nëse është kështu, ç’lloj arsimimi? Artikujt vijues do t’u përgjigjen këtyre pyetjeve.

^ par. 5 Troll quhet ai që poston në Internet mesazhe keqdashëse, provokuese ose agresive, me qëllim që të acarojë të tjerët ose të shkaktojë debate.