Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 NJË QEVERI QË DO TË SJELLË NDRYSHIMIN

‘Paqja nuk do të ketë fund’

‘Paqja nuk do të ketë fund’

Kombet e Bashkuara po përkrahin idenë e «qytetarisë globale». Synimet përfshijnë nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e planetit. Për ç’arsye? Siç tha Maher Naseri në revistën UN Chronicle «ndryshimet klimatike, krimi i organizuar, pabarazia në rritje, konfliktet e pazgjidhura, shpërngulja në masë e njerëzve, terrorizmi global, sëmundjet infektive dhe rreziqe të ngjashme nuk njohin . . . kufij».

Të tjerë kanë shkuar akoma më tej, duke përkrahur idenë e një qeverie botërore. Ndër ta Danteja (1265-1321), një filozof, poet e burrë shteti italian dhe fizikani Albert Ajnshtajn (1879-1955). Danteja besonte se nuk mund të kishte paqe të qëndrueshme në një botë të ndarë politikisht. Duke cituar fjalët e Jezu Krishtit, ai tha: një «mbretëri e përçarë, përfundon në shkretim».​—Luka 11:17.

Pak pas Luftës II Botërore, gjatë së cilës u përdorën dy bomba atomike, Albert Ajnshtajni i shkroi një letër të hapur Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ai tha: «Kombet e Bashkuara duhet të veprojnë urgjentisht që të krijojnë kushtet e nevojshme për sigurinë ndërkombëtare, duke hedhur themelet për një qeveri botërore të vërtetë.»

Mirëpo, a mund të jemi të sigurt se politikanët që do të bëjnë pjesë në këtë qeveri të fuqishme s’do të korruptohen kurrë, nuk do të jenë të paaftë dhe shtypës? Apo do të jenë po aq të këqij sa sundimtarët e tjerë? Këto pyetje na sjellin ndër mend fjalët e historianit britanik, Lord Aktonit, që tha: «Pushteti ka prirjen t’i korruptojë njerëzit dhe, kur ai është absolut, korrupton tërësisht.»

Pra, që familja njerëzore të ketë paqe e harmoni të vërtetë, duhet të jemi të bashkuar. Por, si mund të arrihet ky synim? A është realist? Bibla thotë se po. Mund të arrihet dhe do të arrihet. Si? Jo nëpërmjet një qeverie botërore me politikanë të korruptueshëm, por nëpërmjet një qeverie të themeluar nga Perëndia. Për më tepër, me anë të saj, Perëndia do të ushtrojë të drejtën e tij për të qeverisur mbi gjithë krijimin. Cila është kjo qeveri? Bibla tregon emrin e saj: ‘mbretëria e Perëndisë’.​—Luka 4:43.

«ARDHTË MBRETËRIA JOTE»

Jezu Krishti kishte ndër mend Mbretërinë e Perëndisë kur tha në lutjen model: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt . . . në tokë.» (Mateu 6:9, 10) Po, Mbretëria e Perëndisë do të sigurohet që në tokë të bëhet vullneti i Perëndisë, jo i njerëzve egoistë dhe të etur për pushtet.

Mbretëria e Perëndisë quhet edhe «mbretëria e qiejve». (Mateu 5:3) Po pse? Sepse, ndonëse do të qeverisë mbi tokën, nuk do të qeverisë nga toka, por nga qielli. Mendo pak: kjo qeveri botërore nuk do të ketë nevojë e as do të kërkojë pará, si taksa. Ç’lehtësim do të jetë për njerëzit!

Siç tregon termi «mbretëri», Mbretëria e Perëndisë është qeveri mbretërore. Ka një Mbret​—Jezu Krishtin—​që e mori autoritetin nga Perëndia. Bibla thotë për Jezuin:

  • «Mbi supet e tij do të jetë sundimi princëror. . . . Sundimi i tij i madh princëror dhe paqja nuk do të kenë fund.»​—Isaia 9:6, 7.

  •   «Atij iu dha sundim, lavdi dhe mbretëri, që t’i shërbenin gjithë popujt, kombet dhe gjuhët. Sundimi i tij . . . nuk do të kalojë.»​—Danieli 7:14.

  • «Mbretëria e botës u bë mbretëria e Zotërisë [Perëndisë] tonë dhe e Krishtit të tij.»​—Zbulesa 11:15.

Mbretëria e Perëndisë do të kryejë plotësisht vullnetin e Perëndisë në tokë, si përmbushje e lutjes model të Jezuit. Nën qeverisjen e saj, i gjithë njerëzimi do të mësojë si të kujdeset për planetin, që të jetë sërish një vend i pastër ku gëlon jeta.

Mbi të gjitha, Mbretëria e Perëndisë do t’i arsimojë nënshtetasit e vet. Të gjithë do të mësojnë të njëjtat standarde. Nuk do të ketë mosmarrëveshje ose përçarje. Isaia 11:9 thotë: «Askush nuk do të bëjë asnjë dëm dhe nuk do të prishë asgjë, sepse toka do të mbushet me njohurinë e Jehovait, ashtu si ujërat mbushin detin.»

Banorët e gjithë tokës do të jenë në unitet e në paqe me njëri-tjetrin, diçka që Kombet e Bashkuara nuk mund ta arrijnë dot. Psalmi 37:11 thotë se njerëzit «do të kënaqen pa masë me paqen e pafund». Ndërkohë fjalët «krim», «ndotje», «varfëri» dhe «luftë» do të zhduken nga fjalori. Por, kur do të ndodhë kjo? Kur do të fillojë të qeverisë mbi tokën Mbretëria e Perëndisë? Çfarë do të bëjë ajo? Si mund të nxjerrësh dobi nga qeverisja e saj? Le ta shohim.