Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

 TEMA KRYESORE

Depresioni tek adoleshentët—Pse ndodh? Çfarë ndihmon?

Depresioni tek adoleshentët—Pse ndodh? Çfarë ndihmon?

ANA * thotë: «Kur kaloj një periudhë depresioni, nuk më vjen të bëj asgjë, as gjërat që zakonisht më pëlqejnë shumë. Dua vetëm të fle. Shpesh ndihem e pavlerë, barrë për të tjerët e më duket sikur askush nuk më do.»

Xhulia kujton: «Mendoja të vrisja veten. Nuk doja të vdisja vërtet. Thjesht nuk doja më të ndihesha keq. Zakonisht kujdesem për të tjerët, por kur kaloj periudha depresioni, nuk dua t’ia di për asnjë dhe për asgjë.»

Ana dhe Xhulia ishin në vitet e para të adoleshencës kur iu shfaq depresioni. Ndonëse ndonjëherë edhe të rinj të tjerë mund të mos jenë në humor, Ana dhe Xhulia kalonin periudha depresioni që zgjatnin për javë ose muaj. Ana shprehet: «Ndihesh sikur ke ngecur në një gropë të thellë e të errët, prej së cilës s’del dot. Të duket se po të ikën mendja, nuk njeh më veten.»

Ana dhe Xhulia nuk janë të vetmet. Rastet e të rinjve të diagnostikuar me depresion duket se po shtohen në shkallë alarmante dhe, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), depresioni është «shkaku kryesor i sëmundjeve dhe i kufizimeve shëndetësore te djemtë dhe vajzat e moshave 10-19 vjeç».

 Simptomat e depresionit mund të shfaqen gjatë adoleshencës dhe të përfshijnë ndryshime në zakonet e gjumit, në oreks dhe në peshë. Gjithashtu, adoleshentët mund të ndihen të dëshpëruar, të pashpresë, të trishtuar e të pavlerë. Përveç këtyre ka të ngjarë të mbyllen në vetvete, të kenë vështirësi me përqendrimin ose kujtesën, të mendojnë ose të tentojnë të vetëvriten dhe të kenë simptoma të tjera të pashpjegueshme nga ana mjekësore. Kur specialistët e shëndetit mendor dyshojnë për depresion, zakonisht kërkojnë një grup simptomash që zgjatin për javë dhe që e pengojnë personin të bëjë jetë normale.

SHKAQET E MUNDSHME TË DEPRESIONIT TEK ADOLESHENTËT

Sipas OBSH-së, «depresioni vjen nga ndërveprimi i një sërë faktorëve socialë, psikologjikë dhe biologjikë». Këtu futen edhe faktorët e mëposhtëm.

Faktorët fizikë. Ashtu si në rastin e Xhulias, depresioni shpesh lidhet me familjen, domethënë trashëgohet, dhe ndoshta ndikon në aktivitetin kimik të trurit. Shkaqe të tjera janë sëmundjet kardiovaskulare, ndryshimet në nivelet hormonale dhe abuzimi i vazhdueshëm me drogën, i cili mund ta shtojë depresionin, për të mos thënë se e shkakton. *

Stresi. Edhe pse pak stres i bën mirë njeriut, stresi kronik ose i tepruar mund të shkaktojë dëme fizike dhe psikologjike, ndonjëherë aq sa e zhyt në depresion një adoleshent të ndjeshëm, ose më të prirur nga ana biologjike. Prandaj, shkaqet e vërteta të depresionit mbeten të paqarta, dhe depresioni mund të vijë nga kombinimi i disa faktorëve, siç u tha më lart.

Streset që çojnë në depresion mund të shkaktohen nga divorci ose ndarja e prindërve,  nga vdekja e një të afërmi, nga abuzimi fizik ose seksual, nga një aksident i rëndë, nga një sëmundje ose nga paaftësia për të mësuar, sidomos nëse i riu ndihet i mënjanuar si pasojë e saj. Një faktor tjetër mund të jetë pritshmëria e lartë dhe jorealiste e prindërve, ndoshta për sa u përket rezultateve në shkollë. Gjithashtu ndikojnë edhe bullizmi, pasiguria për të ardhmen, mungesa e ngrohtësisë nga prindi me depresion dhe sjellja e paparashikueshme e prindërve ndaj fëmijëve. Por çfarë mund ta ndihmojë një adoleshent nëse bie në depresion?

KUJDESU PËR MENDJEN DHE TRUPIN

Depresioni mesatar dhe i rëndë zakonisht trajtohen me mjekime e konsulta me një specialist të shëndetit mendor. * Jezu Krishti tha: «Ata që janë të fortë, nuk kanë nevojë për mjek, kurse ata që janë të sëmurë, po.» (Marku 2:17) Ashtu si çdo pjesë e trupit, edhe truri mund të sëmuret. Prandaj, meqë mendja është e lidhur ngushtë me trupin, rekomandohen ndryshime në stilin e jetesës.

Nëse vuan nga depresioni, merr masa të arsyeshme për t’u kujdesur për shëndetin fizik e mendor. Për shembull, ha ushqime të shëndetshme, fli mjaftueshëm dhe bëj fizkulturë rregullisht. Fizkultura çliron substanca kimike që të ngrenë humorin, të japin më shumë energji dhe të ndihmojnë të flesh më mirë. Nëse është e mundur, përpiqu të kuptosh shkaqet dhe shenjat e para paralajmëruese të gjendjes depresive, pastaj krijo një plan të përshtatshëm veprimi. Hapu me dikë që i beson. Rrethi i familjarëve e i miqve të ngushtë që të mbështetin, të ndihmon ta përballosh më mirë depresionin, madje të të pakësohen simptomat. Hidhi në ditar mendimet  dhe ndjenjat, diçka që e ndihmoi Xhulian që përmendëm më lart. Mbi të gjitha, sigurohu që ta mbash të fortë miqësinë me Perëndinë. Kjo ta përmirëson jashtë mase pikëpamjen për jetën. Jezu Krishti tha: «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë!»Mateu 5:3.

Ha mirë, ji aktiv dhe fli mjaftueshëm

Kur plotëson nevojën për të mësuar për Perëndinë, mund të gjesh paqe

Si Ana, edhe Xhulia dëshmojnë sa të vërteta janë fjalët e Jezuit. Ana shprehet për aktivitetet që e afrojnë më shumë me Zotin: «Aktivitetet e krishtere më ndihmojnë të përqendrohem te të tjerët, jo vetëm te problemet e mia. Kjo nuk është gjithnjë e lehtë, por më bëjnë më të lumtur.» Xhulia gjen lehtësim kur lutet dhe lexon Biblën. Ajo thotë: «Kur i zbraz zemrën Perëndisë, qetësohem. Gjithashtu, Bibla më ndihmon të kuptoj se kam vlerë në sytë e Zotit dhe se ai interesohet vërtet për mua. Leximi i Biblës më ndihmon edhe të kem një pikëpamje pozitive për të ardhmen.»

Si Krijuesi ynë, Perëndia Jehova kupton plotësisht si ndikojnë rritja, përvojat në jetë dhe formimi gjenetik në pikëpamjen dhe në emocionet tona. Prandaj mund të na japë ndihmën dhe ngushëllimin e duhur, ndoshta nëpërmjet njerëzve të dhembshur dhe të kuptueshëm. Për më tepër, do të vijë koha kur Zoti do të na shërojë nga të gjitha sëmundjet, fizike a mendore qofshin. Isaia 33:24 thotë: «Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»

Po, Bibla premton se Perëndia «do të fshijë çdo lot nga sytë [tanë]. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më». (Zbulesa 21:4) Sa na ngushëllojnë dhe na sigurojnë këto fjalë! Nëse dëshiron të mësosh më tepër për qëllimin e Perëndisë për njerëzimin dhe tokën, të lutemi vizito sitin tonë jw.org. Aty do të gjesh një Bibël online të shkëlqyer, si edhe artikuj për një sërë temash, madje edhe për depresionin.

^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.

^ par. 10 Te humori mund të ndikojnë qindra sëmundje, mjekime e droga, dhe kjo thekson nevojën për diagnostikimin e duhur mjekësor.

^ par. 14 Zgjohuni! nuk rekomandon ndonjë trajtim ose terapi të veçantë.