VËSHTIRËSIA

Falë teknologjisë mund të lidhesh me shumë veta dhe fare kollaj, si kurrë më parë në histori. Prapëseprapë, lidhjet e tua mbase të duken mjaft sipërfaqësore. Një i ri u shpreh: «Më duket sikur mund t’i humbas fare lehtë miqësitë. Nga ana tjetër, babai im ka miq të ngushtë prej dekadash.»

Pse sot është kaq e vështirë të gëzosh miqësi të qëndrueshme e domethënëse?

Ç’DUHET TË DISH

Teknologjia mund të ketë njëfarë faji. Mesazhet, rrjetet shoqërore dhe mjete të tjera elektronike ndoshta të japin përshtypjen se mund të mbash miqësi me dikë pa e takuar. Bisedat kuptimplota janë zëvendësuar me mesazhe të shpejta ose me postime në Twitter. Libri Artificial Maturity thotë: «Njerëzit komunikojnë më pak sy më sy. Studentët kalojnë më shumë kohë para ekranit dhe më pak me njëri-tjetrin.»

Ndonjëherë teknologjia bën që miqësitë të duken më të ngushta se ç’janë në të vërtetë. Një 22-vjeçar me emrin Brajan, * thotë: «Kohët e fundit kuptova se vetëm unë po merrja iniciativën të interesohesha për miqtë me anë të mesazheve. Pastaj nuk u shkrova më, që të shihja sa prej tyre do të përpiqeshin të kontaktonin. Sinqerisht, ishin fare pak. Me sa duket, disa miq nuk i kisha aq të ngushtë sa mendoja.»

Por a nuk mund të të ndihmojnë mesazhet dhe rrjetet shoqërore që të mbash lidhje me të tjerë dhe kështu të forcosh miqësitë? Po, sidomos nëse këta miq i takon edhe drejtpërdrejt, pa pajisje elektronike. Megjithatë, shpesh rrjetet shoqërore thjesht ndërtojnë ura me të tjerët, por nuk të afrojnë më shumë me ta.

 Ç’MUND TË BËSH

Dallo miqësitë e vërteta. Bibla e përshkruan një mik si dikë «me të cilin lidhesh më ngushtë se me një vëlla». (Proverbat 18:24) A të pëlqen ky lloj miku? A je ti mik i tillë? Që të gjesh përgjigjet e këtyre pyetjeve, shkruaj tri cilësi që do të doje te një mik. Pastaj shkruaj tri cilësi të tuat që do t’i kontribuonin miqësisë. Pyet veten: «Cili nga miqtë e mi në Internet shfaq cilësi që çmoj te një mik? Sipas tyre, cilat cilësi të miat i kontribuojnë miqësisë?»Parimi biblik: Filipianëve 2:4.

Vendos përparësitë. Miqësitë në Internet shpesh bazohen tek interesat e përbashkëta, si ndonjë hobi. Megjithatë, të kesh vlera të përbashkëta është më e rëndësishme se të kesh interesa të ngjashme. Liana 21-vjeçare thotë: «Mbase nuk kam shumë miq, por ata që kam, më nxitin të bëhem njeri më i mirë.»Parimi biblik: Proverbat 13:20.

Dil e njihu me të tjerë. Asgjë s’ka të krahasuar me bisedën sy më sy, ku mund të vëresh nuancat e holla të tonit të zërit, të shprehjeve të fytyrës, të gjesteve dhe të pozicionit të trupit.Parimi biblik: 1 Selanikasve 2:17.

Shkruaj një letër. Mund të të duket demode, por letra e shkruar përcjell idenë se merakosesh aq shumë për dikë, sa po i kushton vëmendje të plotë. Kjo lloj vëmendjeje është e rrallë në botën e sotme ku njerëzit bëjnë shumë gjëra njëkohësisht. Për shembull, në librin e saj Alone Together, Sherí Tërkëlli shkroi për një të ri që tha se nuk kujtonte të kishte marrë ndonjëherë letër. Duke folur për kohën kur njerëzit shkruanin letra, i riu thotë: «Më mungojnë ato ditë, edhe pse s’kisha lindur ende.» Pse të mos e përdorësh këtë «teknologji të vjetër» që të bësh miq?

Përfundimi: Miqësi e vërtetë nuk do të thotë vetëm të mbash njëfarë lidhjeje me të tjerët. Kërkon që ti dhe miqtë e tu të shfaqni dashuri, empati, durim dhe të falni. Tekefundit, këto cilësi do ta bëjnë shpërblyese miqësinë. Mirëpo, vështirë se këto do të dalin në pah kur flet vetëm në Internet.

^ par. 8 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.